Ekonomi

Deutsche Bank dhe Commerzbank, mund të shkrihen në një

“Welt am Sonntag” raportoi se të dyja bankat po reagojnë ndaj presionit të Qeverisë, që pret një vendim mbi shkrirjen në javët e ardhshme

Bordi i Deutsche Bank ka rënë dakord për të zhvilluar bisedime me Commerzbank, për mundësinë e një shkrirjeje mes huadhënësve, sipas burimeve për Reuters.

Megjithatë, bisedimet janë në faza fillestare dhe mund të tërhiqen.  Spekulimet mbi shkrirjen e dy bankave më të mëdha në Gjermani kanë vazhduar prej muajsh dhe arritën kulmin kur ministri i Financave, Olaf Scholz, theksoi rëndësinë e krijimit të një huadhënësi të madh.

Sipas analistëve, bashkimi i huadhënësve do të zinte 20% të tregut të bankingut retail në Gjermani dhe do të arrinte një vlerë tregu prej mbi 25 miliardë euro, bazuar në sesionin e fundit tregtar, transmeton ‘Scan’.

Kjo do të bëjë që bankat të mund të rrisin çmimet, në një vend ku shërbimet bankare kanë qenë thuajse zero apo low-cost, përcjell albinfo.ch.

“Welt am Sonntag” raportoi se të dyja bankat po reagojnë ndaj presionit të Qeverisë, që pret një vendim mbi shkrirjen në javët e ardhshme. Dy bankat, që kanë pasur bisedime për shkrirje edhe në vitin 2016, kanë hasur vështirësi në rikthimin e përfitueshmërisë së qëndrueshme që prej krizës financiare. Qeveria ka një zotërim prej mbi 15% te Commerzbank, pasi ndërhyri për të shpëtuar huadhënësin, ndërsa aksionet e Deutsche Bank kanë rënë me mbi 73% në 5 vitet e ardhshme.

E themeluar në 1870 për të mbështetur tregtinë, Deutsche Bank cilësohet si një nga bankat më të rëndësishme në sistemin financiar botëror dhe ka patur rritje të shpejtë në vitet 90, duke u kthyer në një gjigant të bankingut të investimeve. Megjithatë, vlera në treg ka pësuar rënie që prej krizës financiare dhe ka rezultuar në 3 vite radhazi të humbjeve si dhe dështimeve në provat e rezistencës.