Lajme

Detaje nga vdekja e rëndë e shqiptares në Francë

Rrëfehet 28-vjeçari që vrau shqiptaren në Francë

Në natën e Krishtlindjeve në Mugins, në afërsi të Kanës në Francë, u vra një 37-vjeçare shqiptare, e quajtur Brunilda Sadushi.

Mediat franceze shkruajnë se është zbuluar autori i krimit makabër të shqiptares dhe se është arrestuar që ditën e ngjarjes, një 28-vjeçar nga Kana.

Thuhet se viktima ishte nëna e një djali të mitur u gjet gjysmë e zhveshur natën e Krishtlindjes në një park të qytetit dhe trupi i saj ishte pjesërisht i djegur, ndërsa autori ka rrëfyer para policisë dhe prokurorisë edhe krimin e bërë, ndërsa ka thënë se në ato momente kishte ‘humbur mendjen’.

Informacionet tregojnë se i dyshuari kishte pranuar se kishte mbytur gruan e re gjatë natës së 24-25 dhjetorit pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me të, tha prokurori i çështjes, Fabienne Atzori.

Po ashtu, prokurori tha më tej se i riu nga Kana kishte paguar për të kryer marrëdhënie seksuale me shqiptaren, të cilën më pas e mbyti dhe e transportoi në Mougins, rreth 9 kilometra larg, për ta zhveshur dhe për ta djegur pjesërisht., shkruan tch.

I dyshuari, 28 vjeç, jetonte mes Kanës dhe Le Cannet dhe punonte si shofer kamioni. Ai tregoi se e njihte viktimën si një klient i rastit.

Një autopsi e viktimës pritet të kryhet të hënën, ndërsa prokurori tha se deklaratat e të dyshuarit “ janë në përputhje me vëzhgimin mjeko-ligjor paraprak.” /Albinfo.ch