Lajme

Dështon ‘CureVac’, vetëm 47% efikase

Kompania gjermane e bioteknologjisë, “CureVac” humbi miliarda euro ditën e enjte në bursë, pasi vaksina e saj rezultoi vetëm 47% efikase në teste, duke dëmtuar besimin e investitorëve për të konkurruar vaksinat rivale. Sidoqoftë, kompania ka deklaruar se nuk do të ndalet në misionin e saj.

“Nuk mendoj se gjithçka ka marrë fund dhe nuk e di nëse aprovimi do të bëhet apo jo, kjo nuk varet nga ne dhe as nga vetë kompania ‘CureVac’. Kjo do të vendoset nga autoriteti përkatës evropian. Efikasiteti prej 47%, nëse mbetet kaq, nuk është i mjaftueshëm. OBSH e ka caktuar 50 për qind pragun. Ndaj gjërat nuk duken mirë, por mund të përmirësohen. Ka shpresë, por vaksina nuk u afrohet dot simotrave të ‘BioNTech’ dhe ‘Moderna’ sa i takon efikasitetit”, thotë Peter Kremsner, lektor në Universitetin spitalor Tübingen.

Ndërkohë, Rumania ka vendosur të shesë dozat e vaksinës për shkak të tepricës. Qeveria vendase aprovoi një urdhëresë që caktonte kornizën ligjore për shitjen e sasive të tepruara, të blera nga Ministria e Shëndetësisë.