Integrimi

Derdhin djersë në mërgim, paratë në Kosovë

Mërgimtarët e Kosovës vazhdojnë ta dërgojnë centin e fundit në Kosovë

  • albinfo.ch: Jetish Durmishi

  • albinfo.ch: Gasper Markaj

  • albinfo.ch: Faton Luma

Derisa udhëtoja një ditë me tramvaj nëpër rrugët e Vjenës, një bashkatdhetar nga Kosova, sapo hipi në tramvaj dëgjohet teksa flet shqip me një mik të tij në telefon. “O Asllan miku, a mundesh bre miku im me m’i gjet 300 euro deri në fund të muajt, se të gjitha paratë ia kam dërguar vëllait në Kosovë. Asnjë cent nuk e kam ndalë për familjen time…”, ishte një pjesë e bisedës, kur ky bashkatdhetar qante hallet me mikun e tij. Raste si të këtij bashkatdhetari ka të panumërta nëpër vende të ndryshme të Evropës, ku mërgimtarët tanë edhe centin e fundit e dërgojnë në vendlindjen e tyre.

Të gjitha paratë që i kam fituar në kurbet, i kam dërguar në Kosovë

albinfo.ch:  Jetish Durmishi
albinfo.ch: Jetish Durmishi

Jetish Durmishi, i cili jeton në Vjenë të Austrisë, është një nga qytetarët e Kosovës, i cili që nga viti 1984 ka marrë rrugën e mërgimit, duke punuar në vende të ndryshme, si në Dubrovnik, Gjermani, Greqi, e që prej vitit 1998 ka migruar së bashku me familje në Austri. “ Të gjitha përfitimet që kam bërë në jetën time, të gjitha i kam investuar në Kosovë. Të gjitha kursimet e mia, të bashkëshortes dhe të fëmijëve të mi, i kemi dërguar në vendlindje”, thotë ai duke treguar se gjatë kohës së tij që ka migruar në Gjermani, ai kishte humbur 28 kilogramë.

Mirëpo, gjendja e rëndë e Kosovës dhe udhëheqja e shtetit tonë që nga paslufta e ka dëshpëruar tej mase Jetishin. “Kurrë në jetë nuk kisha besuar se pas luftës shqiptari bëhet i pabesë, tradhtar, hajn që vjedh shtetin e vet, që plaçkit qytetarët, mërgimtarët dhe që nuk i intereson për askënd përpos xhepit të vet”, shprehet Durmishi, i cili ndjehet keq që tashme asgjë nuk ka mundur të kursejë për të lënë trashëgimi për fëmijët e tij. “Në jetën time kam bërë gjithçka për të tjerët, për Kosovën, kurse sot asgjë nga trashëgimia nuk u kam lënë fëmijëve të mi”, pohon ai për albinfo.ch.

Durmishi nuk beson se gjeneratat e reja do të vazhdojnë traditën e të parëve të tyre që paratë e kursyera t’i dërgojnë në Kosovë. Ai mendon se gjeneratat e reja janë të shkolluara në mërgim dhe kanë mendime të tjera. Ata më shumë janë të orientuar që kursimet e tyre t’i investojnë në vendin ku jetojnë, duke hapur biznese dhe firma të ndryshme të tyre. “Askush nuk ka para për të humbur dhe për të dhënë haraçe. Këta e kanë parë gjendjen se si është në Kosovë dhe e kanë vërenjtur se derisa vazhdon kjo keqqeverisje, nuk kanë më investime në Kosovë”, thotë ai.

Paratë e mërgimtarëve, e vetmja mënyrë për të ulur varfërinë e Kosovës

albinfo.ch: Gasper Markaj
albinfo.ch: Gasper Markaj

Në anën tjetër, edhe pse para më shumë se dy vjetëve ka migruar, Gasper Markaj shprehet se prej që ka ardhur në Austri  mundohet që të gjitha kursimet t’i dërgojë te familja e tij në Kosovë. “Jeta në të cilën ne gjeneratat e reja jetojmë në kurbet është me pak mundësi për të kursyer se sa gjeneratat më të vjetra. Megjithatë, me ato mundësi që kemi, mundohemi t’ i ndihmojmë familjet tona në Kosovë”, thotë ai për albinfo.ch.

Sipas Markajt, e vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë gjendje dhe varfëri nëpër të cilën po kalon Kosova janë ndihmat nga mërgimtarët. “Kosova po kalon në një gjendje të vështirë ekonomike, papunësia është shumë e madhe. Ne jemi të vetmit ata që mundemi sado pak të ndihmojmë familjet tona për të kaluar këtë krizë ekonomike”.

Diaspora duhet të investojë në hapjen e vendeve të punës

albinfo.ch: Faton Luma
albinfo.ch: Faton Luma

Ndërkohë një mendim pak më ndryshe se si duhet të ndihmohet Kosova e ka biznesmeni shqiptar në Austri, i cili menaxhon firmën “Rebacon GmbH”,  Faton Luma. Ai thotë se Kosova nuk duhet të ndihmohet me remitenca, por duhet të hapen biznese për të hapur vende të reja të punës. “Mendoj se ne gjeneratat e reja nuk duhet të vazhdojmë rrugën e prindërve tanë, të cilët kanë punuar dhe kanë dërguar para në Kosovë, duke investuar në ndërtime të pashfrytëzuara. Mendoj se diaspora mjaft ka ndërtuar në infrastrukturë banimi, tash duhet të kujdesimi për të hapur vende të reja të punës. Diaspora ka vullnet dhe kapacitete të mjaftueshme për ta ngjallur ekonominë e Kosovës”,  shprehet ai.

Biznesmeni Luma është i gatshëm për të investuar në Kosovë, por ai kërkon që politika të heqë dorë nga bizneset. “Politika duhet të heqë dorë nga bizneset. Në momentin kur politika përzihet në biznese, atëherë nuk ka biznes. Politika duhet t’u hapë rrugë investitorëve, por jo biznesi të jetë i varur nga politika”,  thotë ai albinfo.ch.

Sidoqoftë, sipas ekspertëve të ekonomisë kosovare, Republika e Kosovës vetëm gjatë kësaj vere falë mërgimtarëve pritet të përfitojë rreth 700 milionë euro.

Paratë e mërgimtarëve, të cilat i sjellin në Kosovë, janë një nga shpresat më të mëdha për mirëqenien e qytetarëve, zhvillimit të bizneseve dhe uljen e varfërisë.