Lajme

Deputeti shqiptar në Kuvendin serb, thirrje Vuçiqit: Të respektohen pakicat kombëtare

Raportohet se së fundmi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se i ka dërguar letër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill dhe atij të OSBE-së në lidhje me zgjedhjen e gjyqtarëve në Bujanoc, përcjell albinfo.ch.

Me një postim në Facebook, Kamberi ka thënë se zgjedhja e gjyqtarëve në Bujanoc është në kundërshtim me ligjin dhe parimet e barabartësisë, ndërsa i ka bërë thirrje presidentit që të respektohen pakicat kombëtare.

“Zgjedhja e gjyqtarëve në Bujanoc në kundërshtim me ligjin dhe parimet e barabartësisë është shkelje e qartë e të drejtave të pakicave kombëtare.

Nga ambasadori SHBA në Beograd dhe ai i OSBE po ashtu në Beograd kërkova një përgjigje urgjente për respektim të plotë të përbërjes kombëtare në institucionet e drejtësisë.

Me një shkresë tjetër kërkova nga presidenti i Serbisë ndërprerjen e këtij diskriminimi ndaj shqiptarëve dhe fillimin e realizimit të Planit 7 pikësh”, ka shkruar Kamberi në Facebook.