Lajme

Deputeti Müller, nga CVP-ja kalon në SVP

Deputeti i deridjeshëm federal i CVP-së, njëherësh kryetar i komunës së Rorschah-ut (SG), Thomas Müller, ka kaluar dje në SVP. Këtë ndërrim partish ai e ka bërë publik në një intervistë të dhënë gazetës “SonntagsBlick”.

Si arsyetim për këtë ndryshim Müller ka paraqitur mospërputhjet në ide që ai ka me partinë e deritashme dhe me grupin e saj parlamentar në Parlamentin Federal, në shumë çështje. Nga ana tjetër, Müller ka pranuar se është identifikuar më tepër me politikën, sidomos atë të jashtme, të partisë SVP.

Ndërkohë, CVP, partia të cilën Müller e ka përfaqësuar nga viti 2006 në organin më të lartë legjislativ të vendit, ka ngritur kundërshtimet e saj. Ajo kërkon që Müller të dorëzojë mandatin, i cili, sipas saj, i takon partisë që e ka fituar atë mandat.

Por, ndryshe mendon SVP. Ajo konsideron se radhët e saj tash kanë fituar edhe një deputet më shumë dhe se Müller nuk ka detyrime ndaj ish partisë së tij.