Uncategorized

Deputetët zviceranë kritikojnë Qeverinë për mosreagim ndaj masakrës në Ukrainë

Ndërsa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë dënuar njëzëri masakrën e fundit të Rusisë ndaj civilëve ukrainas në qytetin Bucha, reagimi i Zvicrës ndaj mizorisë ka qenë më i matur, njofton albinfo.ch.

Tani deputetët zviceranë po kritikojnë presidentin Ignazio Cassis për përdorimin e termit “ngjarje” në lidhje me masakrën, në vend të “krimeve të luftës” ose “krimeve kundër njerëzimit”, siç kanë bërë kombet e tjera.

Cassis, i cili është gjithashtu ministër i Punëve të Jashtme të Zvicrës, u përgjigj se të cilësosh vrasjet krim kundër njerëzimit “nuk është një gjest politik, por juridik. I takon një gjykate ta karakterizojë këtë situatë si të tillë. Mund të imagjinohet se është një krim kundër njerëzimit, por diplomacia duhet të jetë e vëmendshme ndaj përdorimit të fjalëve”.

Ai shtoi se, edhe pse pamjet nga Bucha “na tronditën thellësisht të gjithëve si qenie njerëzore, shteti duhet të reagojë me kokë të ftohtë”.