Integrimi

Deputetët: Është koha t’i kushtohet vëmendje diasporës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe diasporës kosovare.
Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike është mbajtur sot dëgjimin publik për Projektligjin për Diasporën, ku deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se vitin e kaluar diaspora ka ndihmuar me 2 miliardë euro, aq sa është edhe buxheti i Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Nënkryetarja e këtij komisioni dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrija, deklaroi se dëgjimi publik për diasporën është specifikë e veçantë.
Përfaqësuesi nga Suedia, mësuesi Xhevat Isufi, ka thënë se e mirëpret këtë projektligj dhe tha se në Suedi 65 për qind e nxënësve mësojnë gjuhën shqipe. Isufi ka thënë se mosfinancimi në diasporë do të thotë një asimilim i ngadalshëm.“ Më gëzon fakti qe bisedojmë për këtë projektligj për diasporën, duke e ditur kontributin e diasporës për shtetndërtim dhe shtetveprim”, tha ai.
E përfaqësuesja e Qeverisë së Kosovës për diasporë, Shyhrete Gosalci, ka thënë se duhet t’u jepet fokus të veçantë qendrave kulturore.
Ndërsa përfaqësuesi i Zyrës ligjore, Ejup Kamberi, ka thënë se Kosova ka vetëm 3 qendra kulturore në botë, një në Stamboll, një në Zvicër, kurse tjetra në Suedi.