Integrimi

Dënohet një familje e tërë rome nga Kosova: ka mbajtur skllave tri vajza të mitura

Pesë anëtarë të një familjeje janë gjetur fajtorë për mbajtjen me dhunë të tri vajzave nga Kosova. Ato janë trajtuar si skllave dhe janë liruar kundrejt pagesave

Pesë anëtarëve të një familjeje rome nga Kosova u janë shqiptuar të martën në Gjykatën e Landit në Konstanz, Gjermani dënime nga dy vjet deri në 3 vjet e gjysmë burg për vepra penale si mbajtje peng, privim nga liria dhe lëndime me rrezik për jetën.

Personat në fjalë janë gjetur fajtorë për mbajtjen me dhunë për disa vite me radhë të tri vajzave të moshës së mitur nga Kosova. Ato janë trajtuar si skllave dhe kanë mundur të lirohen vetëm kundrejt një pagese të lartë.

Ndonëse padia i ngarkonte familjarët edhe për përdhunim dhe trafikim me qenie njerëzore, këto pika të padisë nuk u arrit të dëshmoheshin në proces. Për ketë arsye të akuzuarit për këto vepra janë liruar për mungesë faktesh.

Trupi gjykues ka dënuar kreun e familjes, i cili njëherës është konsideruar si figura qendrore në këtë gjykim, një burrë 58 vjeçar me tri vjet e gjysmë burg. Dy bijtë e tij, 20 dhe 22 vjeç kanë marrë dënime me nga dy vjet e gjysmë burg për të rinj, dhe nga dy vjet e kusht. Një vëlla 38 vjeçar i kryefamiljarit dhe gruaja 57 vjeçare janë dënuar me nga dy vjet burg me kusht për ndihmesë të ofruar në kryerjen e veprave penale, shkruan südkurier. Trupi gjykues ka konstatuar se vajzat e mitura nga Kosova janë fejuar nga prindërit e tyre në Kosovë me djemtë e familjes nga Singeni sipas zakoneve të romëve dhe i janë dhënë familjes në fjalë kundrejt një pagese të caktuar.

Njëra nga vajzat kishte qëndruar rreth tre vjet e gjysmë në familjen e përmendur, ku gjatë gjithë kohës ka qenë me qëndrim ilegal, pa dokumente. Njësoj sikur edhe dy vajzat tjera, ajo është rrahur rregullisht. Për faktin se në Kosovë e priste një jetë me kushte të vështira dhe në varfëri, njëra nga vajzat ka thënë se është detyruar t`i dorëzohej fatit, ka thënë kryetari i trupit gjyqësor.

Por, nga viti 2011 ajo kishte vendosur të mos duronte më dhe të ikte nga familja që e mbante me dhunë. Këtë vendim ajo e kishte marrë edhe nga shkaku se kishte zbuluar se “bashkëshorti” i saj kishte edhe një grua tjetër me të cilën kishte dhe fëmijë. Por, një përpjekje për ikje i kishte dështuar. Vetëm pasi që nëna e saj e cila jetonte në Francë kishte ushtruar padi kundër familjes nga Singeni, policia e kishte liruar vajzën në mars të vitit 2012.

Fat të ngjashëm kishte pasur edhe vajza tjetër, e cila ishte “dhënë” për djalin 20 vjeçar të familjes rome. Pasi që policia kishte urdhëruar familjen që vajzën t`ia kthente prindërve të saj, ata i kishin mashtruar policët, duke inskenuar një lirim të vajzës. Por në fakt ata e kishin kthyer atë në Singen dhe e kishin mbyllur në bodrumin e shtëpisë. Kështu, prindërit e vajzës qenë detyruar të shitnin shtëpinë e tyre në Kosovë që të paguanin 9000 euro për lirimin e saj.

Njësoj ka ndodhur edhe me vajzën e tretë, e cila veç tjerash ka dëshmuar edhe rrahje të rënda nga “bashkëshorti”, djali 20 vjeçar i familjes, me ç`rast i është thyer edhe hunda. Por, pasi që ai i ka kërkuar falje, vajza pranon që të martohet me të.

Me rastin e shqiptimit të dënimeve, në sallën e gjykimit ka pasur tollovi të shkaktuar nga anëtarë të shumtë të familjes dhe të afërm të tjerë të tyre. Ka ndodhur madje edhe një sulm fizik ndaj njërit nga vëzhguesit e procesit. Për pasojë, trupi gjykues ka urdhëruar zbrazjen e sallës dhe shqiptimi i dënimeve është bërë pa prezencën e medieve.

Dënimet e shqiptuara nuk janë ende të plotfuqishme