Lajme

Dëmtohet monumenti në Gjermani, vepër e skulptorit shqiptar

Autor është skulptori i ndjerë shqiptar Fuat Dushku. Skulptura është punuar nga bronzi i përfituar pas shkrirjes së busteve të Enver Hoxhës, Leninit dhe Stalinit

Skulptura prej bronzi, e vendosur në një shesh të qytetit gjerman Göttingen, e cila paraqet shkencëtarin gjerman Georg Christoph Lichtenberg, është dëmtuar mbrëmë, supozohet, nga një automjet. Është thyer me këtë rast krahu i djathtë i skulpturës.

Skulptura, pas këtij “aksidenti” është çmontuar dhe dërguar në shkritore, transmeton albinfo.ch. Personit që dyshohet se ka shkaktuar dëmin pa dashje i kërkohet të kontaktojë me autoritetet e qytetit, thuhet më tutje në njoftimin nga komuna e Göttingenit.

Kjo lutje bëhet për faktin se riparimi i dëmit mund të trajtohet më pas nga sigurimi i personit. Në këtë rast, qyteti është i gatshëm të tërheqë padinë, shkruan göttingen.de.

Një pyetje që lexuesit tanë mund ta shtrojnë me të drejtë është: Përse ky lajm duhet të marrë vend në mediat në gjuhën shqipe?

Ja përse: Autor i veprës është skulptori i ndjerë shqiptar Fuat Dushku (1930-2002). Edhe më interesant është fakti se kjo skulpturë bronzi, e krijuar në vitin 1992 është realizuar nga bronzi i përfituar pas shkrirjes së busteve të Enver Hoxhës, Leninit dhe Stalinit, shkruan albinfo.ch.

Monumenti qe zbuluar në korrik të vitit 1992 në ditëlindjen e 250-të të Lichtenberg-ut. Është 1.57 metra e lartë pa bazë dhe peshon 150 kg.
• Georg Christoph Lichtenberg (1742-1799) ishte fizikan eksperimental, matematikan, astronom, satirist dhe mendimtar i mprehtë në Epokën e Iluminizmit.