Kosova

Delegacioni i BE-së bën thirrje për bashkim të pozitës e opozitës në Kuvend

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka deklaruar se subjektet politike në Kuvendin e Kosovës duhet të gjejnë konsensus për çështjet me interes të Kosovës

Apostolova ishte pjesë e një delegacioni të Parlamentit Evropian, anëtarë të Komisionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, të kryesuar nga Tonino Picula që takuan drejtuesit e institucioneve.

Shefja e BE-së në Kosovë ka thënë se të gjitha palët do të dalin mirë kur reformat kyçe nuk mbahen pengë për luftëra të vogla politike.

“Në Kosovë duhet të shihet interesi i përbashkët i qytetarëve dhe i partive politike. Përpjekjet e Kuvendit që kanë dështuar drejt BE-së janë shqetësuese”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se ky delegacion ka dhënë kontribut të çmuar në arritjen e MSA-së për Kosovën, ndërsa tani si pjesë e komisionit të përbashkët me delegacionin e Kuvendit të Kosovës, përbën një forum të pazëvendësueshëm në mbështetje të Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Ai po ashtu tha se liberalizimi i vizave do të shënojë një input të ri në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. E kryesuesi i delegacionit të Parlamentit Evropian, Tonino Picula, tha se Kosova dhe BE-ja duhet të qëndrojnë afër.