Kosova

Carla del Ponte: Putini, si Millosheviqi: Ai duhet dhe mund të arrestohet

"Millosheviqi e justifikonte luftën në Kosovë duke thënë se shqiptarët ishin terroristë. Edhe Millosheviqi ishte president serb dhe askush nuk besonte se do të arrestohej. Por kjo ndodhi"

Ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, zvicerania Carla del Ponte ka bërë të njohur qëndrimin e saj për domosdonë e arrestimit dhe të dënimit të presidentit rus, Vladimir Putin, shkruan albinfo.ch. Ajo ka thënë se duhet një fletarrest ndërkombëtar për Putinin dhe këtë e ka mbështetur në përvojën me Millosheviqin.

Del Ponte, në një intervistë për transmetuesin publik të Zvicrës, SRF, ka thënë: “Analogjia është mënyra se si të dy këta justifikojnë luftërat e tyre përkatëse. Millosheviqi e justifikonte luftën në Kosovë me arsyetimin se shqiptarët ishin terroristë. Ai e thoshte gjithmonë këtë. Ndërsa presidenti Putin e justifikon pushtimin e tij ushtarak të Ukrainës me nevojën për “denazifikim” të vendit.

Si Millosheviçi ashtu edhe Putini me këtë argumentim kanë “legjitimuar diçka që nuk ekziston”.

Por, sa realiste është që presidenti Putin të arrestohet në të ardhmen e afërt, kur dihet se është në postin e presidnetit, është pyetja e radhës, përcjell albinfo.ch. “Më kujtohet Millosheviçi. Ai ishte president serb dhe askush nuk besonte se do të arrestohej. Por kjo ndodhi. Ju duhet të besoni në këtë, të punoni, të prisni dhe shikoni. Gjyqësori mund të presë. Por drejtësia vjen, drejtësia për viktimat”.