Lajme

Deklaratat për bashkimi kombëtar, irritojnë Federatën ruse

Federata ruse ka shprehur shqetësim rreth deklaratave të fundit të politikanëve shqiptarë, kryeministrit Rama e presidentit Hashim Thaçi, lidhur me bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Sipas Moskës ky është provokim

Deklaratat e dy liderëve shqiptarë, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për bashkimin e shqiptarëve në një shtet në rast se humbin shpresat e integrimit në BE, kanë shqetësuar edhe federatën e Rusisë, e cila e konsideron si përpjekje për të destabilizuar Evropën Juglindore.

Përmes një deklarate lëshuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, Moska vlerëson se nën maskën e akuzave të pabazuara të përpjekjeve për destabilizim të Ballkanit, po bëhen përpjekje për të implementuar “projektin e Shqipërisë së Madhe, projekt që bazohet në Kushtetutën shqiptare, e cila i jep të drejtën Tiranës të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë vendit, kudo që ata ndodhen”.

“Nën maskën e bisedimeve hipokrite mbi nevojën e stabilizimit të rajonit nën mbikëqyrjen e NATO-s, themelet e vërteta të stabilitetit po tronditen. Një kurs i ri politik është adoptuar për të rishikuar kufijtë në Ballkan, gjë që shton në mënyrë të paevitueshme potencialin për konflikt”, thuhet në deklaratë, citin TCH.

Ky, siç nënvizon Moska zyrtare, është konteksti i deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, si dhe kreut të të vetëquajturës Kosovë e pavarur, Hashim Thaçi, mbi gatishmërinë e tyre për të bashkuar forcat nën një shtet të vetëm shqiptar.

Këtyre deklaratave, vijon më tej Ministria e Jashtme ruse, u ka bërë jehonë edhe kreu i Bashkisë së Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, një rajon i populluar kryesisht nga shqiptarë, të cilët shpallën dëshirën për të qenë pjesë e shtetit të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Ministria e Jashtme ruse shkon më tej, teksa thotë se pjesë e këtij konteksti është edhe e bujshmja “platformë e Tiranës”, e miratuar nga partitë shqiptare në Maqedoni, që po minon themelet e shtetit maqedonas.

“E pavarësisht këtyre deklaratave, padronët kryesorë të Tiranës dhe Prishtinës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ose kanë qëndruar të heshtur, ose kanë dhënë vetëm disa deklarata si zakonisht të pakuptimta”, thuhet në komunikatë.

“Ne nuk mund të ndihmojmë, por pajtohemi tërësisht me shqetësimet e shprehura qartazi nga kryeministri serb, njëkohësisht presidenti i zgjedhur Aleksandar Vuçiç, si dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, të cilët kanë dënuar me vendosmëri retorikën e politikanëve shqiptarë dhe kanë kërkuar përgjigjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve nga ana e Brukselit, Uashingtonit, si dhe vendeve të tjera kryesore evropiane”, thuhet nga Ministria e Jashtme ruse.

Kremlini zyrtar ka theksuar gjithashtu edhe ironinë e hidhur, siç është shprehur edhe nga pala serbe, se nëse Vuçiç do t’i lejonte vetes të sugjeronte publikisht bashkimin e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë me Serbinë, ai do të ishte bombarduar nga zyrtarët në Bruksel.

E për këtë arsye, diplomacia ruse ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme përballë politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës, por edhe kujtdo në vendet e Ballkanit, që lëshojnë pretendime apo spekulime mbi rishikimin e kufijve të Ballkanit, gjë që është e papranueshme.

“Ne kërkojmë nga partnerët perëndimorë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe mirëkuptimin, duke mos aplikuar standarde të dyfishta”, përfundon deklarata.

Ndryshe, tri ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për “Politico”, ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit nxjerrën jashtë  zgjerimit të BE-së. Ai tha se kur nuk ka bashkime të mëdha, atëherë ndodhin ato të voglat.

“Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama, duke apostrofuar bashkimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në një shtet të vetëm.

Menjëherë pas Ramës, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbështetur idenë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet nëse Bashkimi Evropian ia mbyll dyert Ballkanit perëndimor. Thaçi tha se të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, nëse mbyllen shpresat e integrimit evropian.

“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht, atë që e kam thënë edhe në vitin 2013 e them edhe tani, nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”, është shprehur Thaçi.