Kosova

Deklarata e Samitit kërkon zbatim të marrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë

Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka zënë vend në deklaratën që doli nga samiti BE-Ballkani Perëndimor. Kjo çështje është renditur si pikë e 13 e kësaj deklarate, e ku thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i pengon të dy partnerët.

“Marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Shtojca e saj. BE-ja rikujton se një parakusht për mbështetjen në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor është që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në këtë deklaratë.

BE-ja ka siguruar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, duke rikonfirmuar kështu angazhimin e tyre ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Tutje thuhet se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet, siç thuhet në Deklaratën e Granadës.