Lajme

Dëbohen kamarieret serbe, dënohet shefi i tyre, shtetas i Maqedonisë

Të dyja tashmë janë dëbuar nga Zvicra, ndërsa ndaj shefit të lokalit është ushtruar kallëzim penal

Dy të reja, 23 dhe 27-vjeçare nga Serbia, janë kapur duke punuar ilegalisht në një lokal të një “shoqate” (klubi) në Baar të Kantonit të Zug-ut. Policët i kanë arrestuar ato të martën që shkoi, shkruan Luzerner Zeitung.

Dy punonjëset e shërbimit (kameriere) nuk kishin lejen përkatëse të punës, ka bërë të ditur të premten policia e Zug-ut, transmeton albinfo.ch. Punëtoret në të zezë janë dënuar me procedurë të shkurtuar me një dënim me gjobë, me kusht. Vendimi gjyqësor është i plotfuqishëm.

Ndërkohë Zyra Kantonale për Migracion i ka dëbuar të premten dy serbet e përmendura. Përveç dëbimit dhe dënimit me kusht, atyre u është shqiptuar edhe masa e ndalimit dyvjeçar të hyrjes në Zvicër dhe në Zonën e Shengenit.

Me rastin e kontrollimit në lokalin e “shoqatës”, policët kanë gjetur edhe aparatura për lojëra të ndaluara sportive të fatit (baste) si dhe disa mijëra franga para të gatshme.

Udhëheqësi i lokalit, shtetas i Maqedonisë, duhet të përgjigjet para Prokurorit të Kantonit të Zug-ut për shkelje të ligjit mbi lojërat me para dhe atij për të huaj dhe integrim.