Lajme

Debat në DokuFest: Diaspora nuk është vetëm “bankomati” ynë

Tashmë dihet se diaspora shqiptare, çdo vit dërgon në atdhe qindra miliona euro. Por a mjafton roli i diasporës si “bankomat” dhe si mund të kontribuojë diaspora për të bashkëndërtuar të ardhmen e vendit prej nga vinë?

Këto dhe çështje të tjera u diskutuan dje në hamamin e Gazi Mehmet Pashës, në kuadër të panelit “Diaspora përtej remitencave”, organizuar nga Dokufest, GERMIN dhe Fondacioni Global Shqiptar, shkruan albinfo.ch.

Në panelin e moderuar nga Liza Gashi, drejtore në GERMIN, ishin të pranishëm Shqiptar Oseku, Fëllanza Podrimja, Vlashent Sata dhe Nikolin Kola.

© Tughan Anit (DokuFest)

“Remitencat e mbajnë gjallë Kosovën”, por a mjaftojnë?

Shqiptar Oseku nga Suedia, duke përmendur shifrat e të hyrave nga diaspora, tha se remitencat janë të rëndësishme për Kosovën. “Kanë qenë dhe mbeten burim i stabilitetit social”, tha ai.

Por sipas tij, mënyra më e mirë për ta ndihmuar diaspora Kosovën dhe anasjelltas, është që secili ta bëjë më të mirën për vete. Këtu ai theksoi se Kosova duhet të punojë më shumë për ta përmirësuar sistemin e arsimit dhe të ofrojë mundësi për shkëmbimin e studentëve.

Për rëndësinë e remitencave foli edhe panelistja Fëllanza Podrimja, e cila tha se me anë të të hyrave nga diaspora, ndihmohet paqja sociale në Kosovë. “Na e mbajmë gjallë qeverinë e Kosovës, sepse e mbajmë gjallë pak a shumë. A janë 750 milionë a janë 500 milionë, nuk e di se edhe shumë para hynë në të zezën në Kosovë, e mbajmë disi gjallë qeverinë e Kosovës, sepse e ndihmojmë paqen sociale deri diku”, tha Podrimja.

Pavarësisht rëndësisë së remitencave, Liza Gashi theksoi se ato mbeten vetëm 15% e GDP-së së Kosovës. “90% e remitencës që vjen, shkon në konsum, e konsumi del jashtë vendit, sepse ne nuk është që kemi prodhim, kështu që, realisht, paraja hyn në treg tonin edhe del në tregje tjera. Vetëm 10% është investim kapital”, tha Gashi.

Liza Gashi / © Tughan Anit (DokuFest)

Sipas saj, pjesë e rëndësishme e diskutimeve me diasporën duhet të jetë çështja se si të kthehen në prodhim remitencat që hynë në Kosovë.

Çka mund të japë diaspora për atdheun, përtej remitencave?

Në debatin se si mund të kontribuojë diaspora për ta ndërtuar të ardhmen e atdheut, u morën shembull “Za Fest” dhe Fondacioni “Rrno”, shkruan albinfo.ch.

Para tri vitesh, këngëtari shqiptar Vlashent Sata, erdhi nga Parisi në Theth, dhe prej aty i lindi një ide për ta gjallëruar këtë zonë përmes artit. Ai krijoi një festival të veçantë që i kushtohet trashëgimisë së Alpeve shqipatare, të quajtur “Za Fest”. E ky festival, siç tha Sata, lindi “aksidentalisht”. Pas dhjetë ditësh qëndrimi në Theth, pronarët e bujtinës, në shenjë mikpritjeje, nuk e lanë të paguante asnjë cent.

“Gjesti më preku shumë më tepër se sa vlera monetare, dhe mendova se si mund t’i ndihmoj njerëzit këtu, por akoma më shumë ishte nevoja për ta kthyer njëfarë interesi në very të Shqipërisë nga ana kulturore, sepse shumë njerëz e dimë që Shqipëria e veriut ka qenë e izoluar gjatë kohës së komunizmit, për shkak se kultura është një bletë shumë e mirë për të bërë mjaltë dhe është dashur të luftohet për të mos e lënë njeriun të mendojë. Kështu lindi Za Festi”, tregoi Sata.

Vlashent Sata / © Tughan Anit (DokuFest)

“Za Fest” tashmë çdo vit sjellë në Theth artistë e turistë shqiptarë dhe të huaj, duke e promovuar në këtë mënyrë turizmin dhe duke fuqizuar ekonomikisht vendasit në Theth, përmes të hyrave nga turistët. Këtë muaj, festivali përmbylli edicionin e tretë, dhe sipas organizatorëve, i solli Thethit edhe më shumë turistë se sa vitet e kaluara.

Një nismë në promovim të kulturës shqiptare, e ka marrë edhe Nikolin Kola, bashkë me një grup kuzhinierësh shqiptarë që punojnë dhe jetonjnë jashtë vendit. Ata krijuan fondacionin “Rrno”, përmes së cilit mëtojnë ta promovojnë gastronominë shqiptare në botë.

“U krijua me qëllimin fillestar që të thyente një status quo të një përceptimi të gabuar se çfarë është kuzhina”, tha Kola. “Qëllimi ynë është ruajtja, zhvillimi dhe promovimi i kuzhinës shqiptare.”

Sipas Kolës, kuzhina shqiptare po përballet me një krizë identiteti, dhe për duhet angazhuar për ta mbrojtur së paku atë që është.

Nikolin Kola / © Tughan Anit (DokuFest)

Diaspora të përfshihet në institucionet e vendit

Gjatë panelit u tha se ministritë e diasporës në Kosovë dhe Shqipëri, në fakt nuk kanë prezencë të diasporës. Megjithatë, panelisti Kola tha se e mirëpresin bashkëpunimin me institucionet e vendit, por nuk është se presin shumë prej tyre.

Por pati të tjerë që theksuan se diaspora jo vetëm të bashkëpunojë, por duhet të jetë pjesë e institucioneve të vendit.

Panelistja Fëllanza Podrimja, tha se bashkë me një grup shqiptarësh në Gjermani, janë duke formuar një shoqatë për të prmovuar çështjen dhe interesat e shqiptarëve. Por sipas saj, nuk mund t’i përfaqësojnë interest shqiptare pa pasur fillimisht një unitet brena Kosovës.

Fellenza Podrimja / © Tughan Anit (DokuFest)

“Unë me të vërtetë e kam të vështirë t’i përfaqësoj një president dhe një kryemnistër që nuk binë dakord se kah do të shkojmë si Kosovë. Për këtë arsye, nëse neve si diasporë na jepet mundësia të futemi në parlament në Kosovë ose Shqipëri, t’i kemi listat ashtu sikur për minoritete. Atëherë ndoshta do te kemi të lëgjitimuar pjesëmarrjen tonë në politikbërjen në Kosovë”, tha Podrimja.

A do të ketë diasporë pas disa vitesh vitesh?

Gjatë debatit, panelisti Oseku tha se pas disa vitesh, brezi i tretë në diasporë do të jenë të integruar dhe se nuk do të ketë “diasporë” në kuptimin e sotëm.

“Duhet ta kemi këtë har kohor, brenda 50-60 vjetësh, diasporë në kuptimin e sotëm nuk do të ketë”, tha Oseku. Andaj, për ta mbajtur gjallë lidhjen mes vendit dhe diasporës, sipas Osekut duhet të ndërmerren më shumë nisma sikurse “Za Fest” apo “Rrno”.

Në këtë pikë nuk u pajtua studenti shqiptar nga Zvcira, Eleonit Smajli, i cili ishte pjesë e publikut. Ai përmendi faktin se si arbëreshët kanë mbijetuar edhe pas qindra vitesh larg atdheut.

Mirëpo, sipas Osekut është një arsye kryesore se pse një pjesë e arbëreshëve arritën të mbijetojnë për një kohë të gjatë larg atdheut.

Shqiptar Oseku / © Tughan Anit (DokuFest)

“Janë ato zona në të cilat kanë ardhur pas luftërave të Skenderbeut. Bëhet fjalë për njerëz, familje goxha fisnike, të cilët e kanë sjellë me veti një identitet, që atë së paku e kanë përceptuar si identitet superior. Ata janë ndjerë superior ndaj fshatarëve italianë që i kanë hasur atje në Kalabri” tha Oseku. “Edhe feja ka luajtur njëfarë dallimi, meqë shumica kanë qenë ortokodsë.”

Kështu, nga diksutimet mes panelistëve dhe publikut, u vu në pah rëndësia e krijimit të lidhjeve të forta me diasporën përmes nisamve të qëndrueshme, e jo vetëm përmes remitencave, shkruan albinfo.ch.

Interesimi nga publiku gjatë diskutimit, bëri që debati të zgjaste mbi dy orë – më shumë se që ishte paraparë. Pas debatit, panelistët dhe të pranishmit e tjerë kanë vazhduar për një koktej rasti në Kalanë e Prizrenit.

© Tughan Anit (DokuFest)