Shkurt.ch

Debat i nxehtë parlamentar mbi azilin

Deputetët do të vendosin nëse azilkërkuesit do të marrin vetëm ndihmat emergjente në vend të ndihmave sociale

Një debat i nxehtë është duke u zhvilluar sot në Këshillin nacional (dhoma e ulët e parlamentit) të Zvicrës lidhur me trajtimin e azilkërkuesve. Përderisa deputetët e spektrit të djathtë insistojnë që përmes masave sa më restriktive të ndalohet vala e refugjatëve që ia mësyjnë Zvicrës, të majtët kundërshtojnë ato masa duke i konsideruar ato si çnjerëzore.

Kur forcat e djathta alarmojnë për reduktimin e “atraktivitetit” të Zvicrës për refugjatët potencial, ata kanë parasysh kriminalitetin dhe abuzimin me të drejtën e azilit, shkruajnë mediet zvicerane.

Të mërkurën, këshilli votoi me 158 vota kundër 34 për shikimin e ligjit që duhet të përshpejtojë dhe të ashpërsojë procedurën e azilit.

Partia CVP-PDC që deri vonë ka qenë në mes të dy kampeve, kësaj here ka ashpërsuar gjuhën sa i përket masave kundër azilkërkuesve. “CVP dëshiron të zvogëlojë atraktivitetin e Zvicrës si vend i synuar nga refugjatët” ka thënë deputetja e kësaj partie Ruth Humbel.

Nga ana tjetër, deputeti i SP-PS Alexander Tschäppät, i përballur me qëndrimet sikur ky i fundit ka thënë se ka përshtypjen se ndodhet në një “film të gabuar”. Përfaqësues të tjerë të majtës kanë tërhequr vërejtjen nga tendenca për të bërë erozionin e gjithë të drejtës për azil.

Rishikimi do t`ia kthejë kredibilitetin e nevojshëm politikës sonë të azilit , popullsia do të mbështesë, ka thënë ministria e Drejtësisë dhe Policisë Simonetta Sommaruga. Socialistja, megjithatë, ftoi deputetët të refuzojnë shtrëngimin e tepruar siç është eliminimi i ndihmës sociale, i azilit familjar, ose internimi pa urdhër të gjykatës i shkelësve të ligjit që janë azilkërkues.

Deputetët do të vendosin sot nëse azilkërkuesit në të ardhmen do të marrin vetëm ndihmat emergjente në vend të ndihmave sociale që sot marrin shumica e tyre.