E-Diaspora

Ka jetë edhe pas lënies së duhanit

Zyra Federale për Shëndetësi  (BAG) në bashkëveprim me organizata të ndryshme joqeveritare drejton fushatën “Smokefree” me sloganin “Unë jam më i fortë”. Fushata synon t`ua forcojë duhanxhinjve motivimin për të lënë duhanin

Më shumë se gjysma (57%) e njerëzve në Zvicër që tymosin rregullisht duhanin, kanë dëshirë që ta braktisin atë. Për të mbështetur këtë masë njerëzish në synimin e tyre, dhe si preventivë për duhanxhinjtë e rinj potencialë, para dy vitesh, Zyra Federale për Shëndetësi  (BAG) në bashkëveprim me organizata të ndryshme joqeveritare kishte inicuar fushatën “Smokefree” me sloganin “Unë jam më i fortë”. Fushata kishte për qëllim t`ua forcojë motivimin këtyre njerëzve duke i mbështetur në synimin e tyre, pasi që shanset për të lënë duhanin janë më të mëdha kur për këtë kanë mbështetje profesionale. Po ashtu fushata i kishte vënë vetes për qëllim që të afirmojë imazhin pozitiv të një shoqërie pa duhan. Dihet se me ligjin e hyrë në fuqi në vitin 2010 për mbrojtje nga duhanpirja pasive, numri i njerëzve që i janë nënshtruar pirjes pasive të duhanit ka rënë nga 35% sa ishte në vitin 2002, në 6% në vitin 2013. Në periudhën 2001-2013 në popullatën zvicerane ishte zvogëluar edhe përqindja e atyre që konsumojnë duhanin, nga 33% në 25%. Nga viti 2008 kjo përqindje ka stagnuar.

9000 veta në vit vdesin në Zvicër nga pasojat e duhanit

Konsumimi i duhanit vazhdon të jetë shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve të parakohshme në Zvicër. Për çdo vit vdesin 9000 veta si pasojë e varësisë së tyre nga nikotina.

Fushata “Smokefree” ka si imazh të saj cigaren e thyer. Me sloganin “Unë jam më i fortë”, fushata është përpunuar në një bashkëpunim të ngushtë në mes të OJQ-ve, kantoneve dhe BAG. Kostoja e fushatës është vendosur në 9 milionë franga për katër vjet sa duhej të zgjaste ajo (viti 2014 ishte si vit parapërgatitor). Kjo shifër është e e papërfillshme në krahasim me dëmet prej rreth 5 miliardë frangash që i shkakton duhanpirja. Financimi i fushatës bëhet nga fondi për parandalim të duhanit (TPF).

Të gjitha evaluimet që i janë bërë kësaj fushate kanë sjellë në përfundimin se ajo në pjesën më të madhe ka përmbushur objektivat e saj. Shumica e madhe e të anketuarve thonë se e kanë ndjekur dhe i kanë të njohur imazhet me të cilat ajo është prezantuar. Po ashtu, në shërbim të fushatës Smokefree është bërë edhe një votim publik për filmin më të mirë me temë lënien e duhanit, i cili ka ngjallur interesim të madh. Në një konkurrencë të fortë me filma apo videoklipe të realizuara nga artistë zviceranë janë zgjedhur 17 si më të mirët.

Të huajt, më të prekur se vendësit

Popullata me prejardhje të huaj është tradicionalisht më e lidhur për duhanin se popullata vendëse. Te komunitetet si ato me prejardhje nga Ballkani dhe nga Turqia, shkalla e duihanpirësve është edhe më e lartë. Për këtë arsye, çdo fushatë që ndërmerret për luftimin e varësisë nga duhani, në shënjestër ka edhe këto komunitete.

Një projekt në këtë drejtim është edhe ai për parandalimin transkulturor dhe për promovim të shëndetit (Transpraev).  Projekti niset nga fakti se më shumë se një të pestën e popullatës zvicerane e përbëjnë njerëzit me prejardhje të huaj. Duke qenë se as të huajt nuk përbëjnë ndonjë grup homogjen, edhe shprehitë e tyre në lidhje me shëndetin dhe rreziqet në këtë drejtim, janë të shumëllojshme.

Ky projekt ka grumbulluar njohuri lidhur me dy faktorët kryesorë të rrezikut për shëndetin: duhanin dhe alkoolin në raport me popullatën me prejardhje të huaj. Këto informacione u lihen në dispozicion ekspertëve përkatës dhe organizatave, në mënyrë që ata/ato t`i përdorin për një parandalim më të mirë dhe për promovimin e shëndetit për njerëzit me sfond migrimi.

Ja se si lihet duhani

Krahas fushatës Smokefree, në Zvicër janë zhvilluar edhe projekte tjera të pavarura me synim sensibilizimin e popullatës për ndërprerjen e varësisë nga duhani. Një projekt i tillë, i orientuar nga komunitetet e huaja, mes tjerash nga komuniteti i këtushëm shqiptar që është duke u zhvilluar me sukses, është ai “Jeto pa duhan”. Kurset në gjuhën shqipe i kanë udhëhequr Ibish Neziri dhe Lendita Alidema- Kokallari. Përmes kurseve intensive, është arritur që një numër i konsiderueshëm i duhanpirësve ta braktisin këtë shprehi të dëmshme. Shaip Grajçevci dhe Fatmire Nallbani janë disa prej tyre.

Fatmire Nallbani

Më në fund, jetojnë pa duhan

Ja çfarë thotë për albinfo.ch Shaip Grajçevci: “Unë edhe përpara kam provuar ta lë duhanin, por sa herë kam thënë se do ta lë, kam tymosur edhe më shumë. Përmes kursit jam përgatitur më shumë psikikisht për ta lënë duhanin. Kjo përgaditje më ka bërë që edhe sot katër muaj pas kursit të vazhdoj të refuzimin e duhanit”, thotë Grajçevci. “Sigurisht, lehtë nuk ka qenë, por jo e pamundur. Kur njeriu vendos, atëherë edhe mund të arrijë gjithçka. Asgjë nuk është e pamundur! Sqarimet për dëmin që ia shkakton duhani njeriut fotografitë, matja e CO2_shit, të gjitha këto kanë qenë faktorë që kanë pasur një ndikim të veçantë. Matja e CO2-shit dhe krahasimi me të tjerët e ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm psikik”, thotë veç tjerash Grajçevci.

Shaip Grajçevci

Ndërsa rasti i Fatmire Nallbanit nga Winterthuri duket të ketë qenë pak më i lehtë. “Unë kam tymosur herë pas here. Ndonjëherë isha e irrituar, kisha nervozë apo edhe ndonjë problem që për momentin më dukej “i pazgjidhshëm”, prandaj një cigare më bëhej thjesht “një qetësues”, që në të shumtën e rasteve nuk përfundonte me një. Mundësia që mu ofrua për të marrë pjesë në kursin pa pagesë për lënien e duhanit, për mua ishte një rast i mirë që ta merrja mbështetjen e duhur për të dalë nga ky rreth vicioz pashprese dhe mbështetjeje në cigare. Përveç informatave teorike për dëmet që shkakton duhani, mësuam edhe për dëmet që i pëson rrethi i tymosësve. Këshillat e udhëheqëses së kursit më vetëdijesuan për pasojat e tymosjes dhe më çuan në bërjen e hapit vendimtar, lënien e duhanit”, thotë Fatmire Nallbani.

 

PER ME SHUME INFORMATA -LEXONI FLETUSHKEN SMOKEFREE

Herunterladen