Zhvillim
Dayton dhe kurthet etnike
Kanë kaluar njëzet vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dejtonit në Paris, më 14 dhjetor 1995. Plani i paqes së Dejtonit, e cila lejoi ndërprerjen e armiqësive, bëri thirrje për krijimin e dy entiteteve politike-territoriale brenda Bosnjë e Hercegovinës (BH): Federata Kroato – Boshnjake (e quajtur atëherë Federata e BH-së), e cila mbulon 51% të territorit të vendit dhe Republikës serbe të BH-së (Republika Srpska). Mbaj mend atë moment sikur të ishte dje, kur isha 24 vjeç. Mbaj mend këtë akt simbolik vule mes krerëve të shtetit të BH-së, të Serbisë dhe të Kroacisë, për shkak se të nesërmen unë shkova në një konferencë të madhe në Paris që kishte për titull “Ish-Jugosllavia në Evropë, nga falimentimi i demokracive në procesin e paqes”. Ky kujtim është gdhendur edhe në kokën time, sepse unë arrita të shkoj në Paris falë ndërhyrjes së një prej organizatorëve të konferencës në konsullatën e Francës në Gjenevë për të nxjerrë një vizë për Francë.
Ky udhëtim në Paris më bën të kujtoj edhe grevën monstruoze të transportit publik, sepse udhëtim nga aeroporti Charles de Gaulle gjer në vendin ku u mbajt ngjarja zgjati disa orë.
Duke arritur në vend, si një student i angazhuar në mënyrë aktive në shkencat politike për të kuptuar dhe vepruar në kuazalitete reale në rrënjët e dhunës në ish-Jugosllavi, e kisha parë praninë e disa figurave franceze intelektuale të mediatizuara në dosjet që kishin të bëjnë me Ballkanin, të tilla sikur Paul Garde, Pierre Hassner, Florens Hartman, Alain Finkielkraut, etj. Ata ishin të angazhuar në mënyrë aktive për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndikuar pranë politikëbërësve perëndimorë në lidhje me situatën në Kroaci, por edhe në Bosnjë e Hercegovinë apo në Kosovë. Çështja e rindërtimit të BH-së ishte në qendër të diskutimeve, pasi që një ditë më parë ishte nënshkruar marrëveshja historike. Në prezantimin tim, unë pata nxjerrë një foto më pak optimiste, duke kujtuar situatën jashtë BH-së, veçanërisht në Kosovë, e cila i nënshtrohej një regjimi të aparteidit që nga tërheqja e autonomisë së saj në vitin 1989 nga njëri prej nënshkruesve të Marrëveshjes së Dejtonit, Sllobodan Millosheviq.
Në këtë konferencë, prania e një njeriu me shtat të madh dhe fytyrë të mprehtë më pati rënë në sy. Në fakt, mediat botërore kishin folur për të disa herë më parë. Unë isha shumë i ri kur ai u ngrit për të më zgjatur dorën e tij dhe shkëmbyer disa fjalë. Ai ishte Tadeusz Mazowiecki, disident dhe kreu i parë i shtetit polak postkomuniste që kishte dhënë disa muaj më parë një dorëheqje të bujshme Raportuesit Special të zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi. Ai kishte hequr dorë, pasi që kishte kuptuar se raportet e tij, të cilët e denonconin barbarinë dhe shkaqet e saj, predikonin në shkretëtirë. Në fakt, ajo që e kishte shtyrë atë që të përplaste derën e këtij misioni të rëndësishëm ishte fakti pas Srebrenicës, spastrimi etnik kishte vazhduar edhe në enklavën e mbrojtur të Zepës, pa shkaktuar ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.
Kjo fushatë në lindje të BH-së u zhvillua në emër të një ideologjie të krijimit të një entiteti të ri politiko-territorial, por këtë herë, e kryer me masakra kolektive, zhvendosje, me përdhunim të civilëve myslimanë si dhe me shkatërrime sistematike. Në fakt, formula e ish-Jugosllavisë, e cila kishte lindur nën ndikimin e realiteteve të ndryshme historike dhe gjeopolitike pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një model shtetëror i kompromisit, duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes kombëtare që u ngrit në këtë rajon të Evropës. Ajo mundësonte një ekuilibër të brishtë, jashtë vendit, nga njëra anë në mes të dy blloqeve ideologjike, atij perëndimor dhe atij sovjetik, por edhe brenda vendit, nëpërmjet një shpërndarjeje të pushtetit mes pushtetit qendror (pra federata me qendrën në Beogradit) dhe tetë republikave dhe krahinave autonome. Kompleksiteti i çështjes qëndronte në faktin se këto subjekte politiko-territoriale, veçanërisht BH, nuk ishin homogjene në pikëpamje etno-gjuhësore. Ky i fundit ishte i përbërë dhe drejtohej nga tri grupet kryesore etnike tij, të cilët ndajnë një gjuhë, por dallohen në fe, domethënë, myslimanët, serbët (ortodoksë) dhe kroatët (katolikë). Me shpërthimin e formulës jugosllave, e bërë e mundur nga një ekonomi e kalbur dhe një shkelje të institucioneve të këtij vendi nga ana e forcave nacionaliste, formula e BH-së u bë copa-copa.
Pas tre muaj tmerresh në Kroaci dhe BH, veçanërisht gjatë verës së vitit 1995, opinioni i publikut botëror ishte i tronditur me zbulimin e fytyrës së vrasjeve masive të kryera nga milicia serbe nëBosnjë kundër popullsisë (myslimane) në Srebrenicë dhe Gorazhdec, pra masakra më të rënda në shkallë të gjerë që kanë ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas këtij episodi të pushtimit, i cili përbënte qëllimin kryesor të strategjisë për serbët, zgjerimin territorial në BH, ndodhi një kthesë politike jashtë, nga SHBA-ja dhe pala evropiane. Kjo kthesë u manifestua me shfaqjen e vendosmërisë politike për të ndaluar çmendurinë e masakrave. Pra, pas episodeve të zymta të verës 1995 dhe pas ndryshimeve të raporteve të fuqisë ushtarake (të mundësuara me krijimin e Federatës kroato-myslimane) marrëveshjet e Dejtonit, të negociuara në Ohajo, arritën të kenë sukses.
Ne përjetonim këtë ndryshim si çlirim, sepse kishim humbur shpresën e ndërprerjes së masakrave, edhe në qoftë se ne e dinim se dëmi tashmë ishte bërë. Në të vërtetë, që nga Marrëveshja e Uashingtonit më 1994, unë kisha kapur faktin se një zgjidhje politike në rajon do të dilte nga fushat e betejës, që do të thoshte një legjitimim i heshtur të kompanive të spastrimit etnik dhe se strukturat e reja politike-territoriale do të ndërtoheshin përgjatë kufijve etnikë.
Unë, familja ime dhe të afërmit, të cilët ishin duke vuajtur aq shumë, përjetonim një ndjenjë çlirimi para ekraneve televizive kur shtrëngoheshin duart në Paris. Më mirë ishte një paqe qoftë e padrejtë se sa një luftë e tmerrshme. Ne mendonim se falë kësaj marrëveshjeje politike të Dejtonit – e arritur falë shtytjes së SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë – vrasjet dhe shkatërrimet do të ndaloheshin më në fund dhe se një punë e drejtësisë do të ndiqej dhe që ndoshta rajonet tona sikur Kosova dhe Maqedonia nuk do të viheshin mënjanë.
Këto ishin shpresa të kota, sepse kur në vitet 1998-1999 shpërtheu konflikti në Kosovë, ne ngelëm pa fjalë përballë luftës dhe spirales etnike. Në fillim të konfliktit kisha takuar refugjatë boshnjakë që më përqethnin lëkurën. “Po vjen edhe tek ju, do ta shihni, do të jetë tmerr. Tek ne (në BH) kështu filloi. “Në të vërtetë, procesi ishte i njëjtë me qëllimet politike të Millosheviqit të njëjtë: të zbrazej Kosova nga substanca etnike shqiptare. Pjesën tjetër e njohim të gjithë, masakra të civilëve shqiptarë, përdhunimi si armë lufte, fshatra të djegura, depërtimi i gjysmës së popullsisë jashtë Kosovës.
Ndryshe nga BH, kësaj radhe, reagimi i Perëndimit nuk mori shumë kohë. Shpesh më kujtohet mbrëmja e 24 marsit 1999, kur NATO-ja ndërhyri kundër Serbisë. Ndodhesha në klubin e Lozanës “Dardania”, ku kishim organizuar një diskutim me një intelektual të njohur kosovar, Shkëlzen Maliqi, për të biseduar mbi çështjet politike të konfliktit. Ndërsa ishim duke debatuar, dera e klubit u hap papritur dhe një burrë, i tridhjetave, bërtiti: “Ata i ranë”. Ai do të thoshte aeroplanët e NATO-s kishin bombarduar Beogradin. Ishte një atmosferë ngazëllimi. Debati i lëshoi rrugën kanalit televiziv të klubit për të shikuar lajmet Euronews. 78 ditë pas bombardimeve të para dhe në saje të një mobilizimi të fortë politik (procesi i Rambujesë), ushtarak (Operacioni Forcat Aleate) dhe humanitar, regjimi i Beogradit më në fund e lëshoi Kosovën, por pa braktisur objektivin e tij etnopolitik.
Së fundi, kur në vitin 2001 një miniluftë civile shpërtheu në Maqedoni – e cila për fat të mirë u kufizua mes forcave qeveritare maqedonase dhe luftëtarëve shqiptarë në Maqedoni – rezultoi me një zgjedhje politike që i dha fund konfliktit, një rezultat plot shpresë. Ajo është konsideruar si një episod pozitiv për shkak se ajo kishte për qëllim zhvillimin e vendit në baza qytetare, prandaj joetnike. Pavarësisht nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, pra tre muaj më vonë, forcat nacionaliste maqedonase detyruan, nëpërmjet një amendamenti, etnicizimin e Kushtetutës, një veprim që minoi një vizion afatgjatë të një vendi të përbashkët me shtyllë, ku individi konsiderohet si një qytetar para së gjithash.
Me kohën, sipas mendimit tim, problemi kryesor i një Marrëveshjeje me karakter historik në ish-Jugosllavi qëndron te fakti se kemi ngrirë situatat konfliktuoze, por pa gjetur në të vërtetë zgjidhjen. Kemi të bëjmë me disa situata të tipit “No Man’s Land”, sepse ato nuk kanë kënaqur as ambiciet etnike, as ato politiko-territoriale dhe nuk kanë ofruar mundësi reale politike dhe ekonomike për të kapërcyer përçarjet etnike. Në fakt, kjo është si një gjarpër të thumbojë bishtin e tij. Pa stabilitet institucional dhe politik, nuk mund të ketë perspektivë ekonomike. Kjo dobësi gjeneron një varësi tepër të madhe ndaj vendeve të jashtme, gjë që gjithashtu shfuqizon vendimmarrësit lokalë. Kjo pasiguri gjithashtu siguron një terren pjellor për demagogët mafiozo-nacionalistë, shpeshherë ish-komandantët luftarakë të konvertuar, të cilët nuk kanë asnjë interes për të stabilizuar vendin në pikëpamje institucionale dhe politike.
Ky mentalitet politik mban peng popullata thellësisht të përçara etnikisht, një përçarje, duhet theksuar, e cila nuk është natyrale, por që është ndërtuar shoqërisht dhe politikisht. Kemi të bëjmë me një ideologji ndarëse e shndërruar gradualisht në një të dhënë kulturore. Ajo paralizon thelbin e një mundësie për një jetë të përbashkët, qoftë edhe në nivelin lokal, e cila do të ndihmonte kapërcimin e kornizës etnike. Shembulli më i mahnitshëm në BH që më ka rënë në sy kohët e fundit ishte pamundësia e paraqitjes në zgjedhje nëse jemi pjesë e një prej tre komponentëve etnikë të vendit! Për fat të mirë, nëpërmes Gjykatës së Strasburgut kushtëzon këtë ndryshim me mundësinë e një perspektive evropiane të BH-së.
Ajo që më godet mua është fakti se sot ne përsëri kemi të bëjmë me të njëjtat probleme, të tilla si një punë rutine. Shembulli i fundit është marrëveshja e fundit në gusht 2015, e lehtësuar nga Brukseli, në mes të Serbisë dhe Kosovës. Kjo e fundit u bë e pavarur në vitin 2008, por ende nuk është njohur nga shumica e koncertit të kombeve. Marrëveshja në fjalë përfshin në formë njohjen de facto të Kosovës nga ana e Serbisë, për një këmbim të një zgjidhje territoriale (gati autonomi) për pakicën serbe në Kosovë. Përsëri, kjo zgjidhje etnoterritoriale keqëson ndjenjën e një shtetësie kosovare për të gjithë banorët e Kosovës, besnikë në frymën e Kushtetutës së saj aktuale në fuqi dhe ngrin përkatësinë etnike ose fetare të minoriteteve mbi asaj qytetare. Kjo marrëveshje në Kosovë i përngjan pak a shumë embrionit të krijuar në BH me Republika Srpskan, një embrion që frenon në të vërtetë konsolidimin e një shteti të përbashkët.
Kjo tablo e zymtë e Ballkanit do të kishte mundur të shkëlqente, po të kishte filluar seriozisht procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian për këto vende të vogla të kontinentit evropian, të cilat kanë mbetur në margjinat e dinamikës shoqërore, politike, kulturore dhe ekonomike evropiane. Tani, pa një mbështetje evropiane të denjë, ndryshimi nuk do të vijë nga brenda këtyre vendeve. Aq më tepër kur dihet se episodi grek ka ftohur disi pritjet dhe shpresat evropiane për forcat reformuese të rajonit, të reduktuara në minimum.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?