Kosova

Dasmat në kohë pandemie ose “të martohesh me manual”  

Dasmat në Kosovë në këtë verë lejohen, por me disa kufizime. Për të mësuar më shumë rreth kësaj, albinfo.ch ka biseduar me një çift që martohet këtë vit dhe me drejtoreshën e resortit Vali Ranch, Arta Haziri-Nuhiu 

Dasma është një ndër festat më të rëndësishme familjare tek shqiptarët. Për përgatitjet dhe organizimin e tyre në Kosovë zakonisht planifikohet disa muaj para ditës së martesës. Kjo pasi organizimi i një dasme me shumë të ftuar kërkon kohën e nevojshme që gjërat të rrjedhin ashtu siç dëshiron çifti dhe familjarët. 

Por shansin që dasmën e tyre ta organizojnë pa u shqetësuar për numrin e të ftuarve, vendin e rezervuar, dekoret e shumë detaje të tjera, nuk e patën edhe çiftet që kishin vendosur të martohen gjatë verës 2021, shkruan Albinfo.ch. Kjo për faktin se me gjithë diskutimet që bëheshin në vend, deri vonë nuk ishte e ditur nëse do të lejoheshin dasmat apo jo.  

Sidoqoftë, nga 15 qershori u dha drita e gjelbër për mbajtjen e dasmave dhe ahengjeve, kjo e shoqëruar me një manual që kufizon numrin e personave në hapësira të mbyllura të sallave të dasmave. 

Por sa ishte e vështirë të organizohej dasma në një situatë të tillë? 

Dy të rinj shqiptarë të lindur dhe rritur në Cyrih të Zvicrës, kanë treguar për Albinfo.ch rreth organizimit të dasmës së tyre në Kosovë. 

Rona Selimi dhe Leotrim Bediji, të dy me prejardhje nga Gjilani, ishin njohur me njëri tjetrin në Zvicër ndërsa dasmën e tyre kanë vendosur ta realizojnë në Kosovë. 

“Dasmën gjithmonë e kemi ëndërruar në Kosovë sepse shumicën e njerëzve tanë më të dashur i kemi atje, e patjetër që kishim dëshirë që të jenë të gjithë pjesëmarrës në ditën tonë më të lumtur”, është shprehur Rona për Albinfo.ch. 

Por edhe pse datën e dasmës e kishin vendosur qysh në vitin 2019, situata me pandemi i kishte bërë ata të mendonin se nuk do t`ia arrinin ta realizonin ëndrrën e tyre.  

“Dasmën për vitin 2021 e kemi vendosur qysh në vitin 2019 dhe po ashtu rezervimin e sallës e kemi bërë në prill të vitit 2019. Sikur për të gjithë edhe për ne, viti 2020 ishte vit shumë i rëndë pasi po përballeshim me Covid-19. Gjatë kësaj kohe na është vështirësuar edhe puna e përgatitjes së dasmës. Kishte edhe momente që na mendonim se dasma nuk do të mbahet fare. Të jem e sinqertë, 80% të kohës kishim menduar që dasmat nuk do të lejohen por prapë aq sa kemi mundur, jemi përgatitur. Përgatitja ishte shumë e vështirë, por me përgatitjet e mëdha kemi nisur kur kemi marrë informatat se do të lejohen dasmat. Na është dashur që brenda një kohe shumë të shkurtër të udhëtojmë në Kosovë për t’i kryer përgatitjet, gjë që ishte e vështirë sepse punojmë dhe të vetmet ditë që kishim, ishin vikendet”, ka treguar Rona gjatë një bisede me Albinfo.ch. 

Organizimi i dasmës sigurisht që varet edhe nga menaxhmenti i hotelit ku është planifikuar të mbahet. Në këtë pikë çifti me prejardhje nga Gjilani shprehet shumë i kënaqur sa i përket bashkë-koordinimit me stafin e Vali Ranch, ku do të realizohet dasma e tyre.  

“Jemi shumë falënderues që i gjithë stafi i Vali Ranch-it na është gjendur afër gjithmonë, në çdo thirrje, në çdo mesazh dhe në çdo vizitë. Gjithmonë na kanë informuar për më të rejat dhe na kanë dhënë shpresë se gjithçka do të bëhet mirë. Ndërsa përgatitjet vazhdojnë dhe ne mezi presim që ditën e dasmës ta kalojmë në vendin tonë bashkë me të gjithë familjen”, kanë përfunduar Rona dhe Leotrimi.  

Si do të organizohen ambientet për mbajtjen e dasmave këtë vit, duke e pasur parasysh manualin e publikuar për këto evente? 

Rreth kësaj Albinfo.ch ka biseduar me Arta Haziri – Nuhiu, Drejtoreshë e Vali Ranch 

Haziri – Nuhiu ka thënë se dasmat në ambientet e tyre kanë filluar që nga momenti kur morën dritën e gjelbër nga organet kompetente, ndërsa ka theksuar se po vazhdojnë punën e tyre konform manualit dhe rregullave strikte për parandalim të shpërndarjes së koronavirusit. 

“Vali Ranch është gjithmonë i gatshëm të jetë në shërbim të klientëve, duke u përballur edhe me natyrën dhe problemet globale, e mbi të gjitha duke iu përshtatur realitetit. Padyshim që do të vërehen ndryshime të vogla për shkak të pandemisë por ne do të përpiqemi që asnjë eventi të mos i humbet shkëlqimi dhe cilësia, pasi që edhe sallat dhe ambientet i kemi shumë të mëdha në m2 dhe kemi shpresë se do të kalojmë si është më së miri. Kërkesa kemi të pafundme, rezervime dhe ahengje. Ne jemi të gatshëm të festojmë me të gjitha familjet që na kanë zgjedhur ne, për ditën e tyre më të lumtur”, është shprehur Arta Haziri-Nuhiu për Albinfo.ch. 

Ndërkohë ajo ka treguar edhe rreth eventeve që janë anuluar për shkak të pandemisë gjatë vitit 2020 të cilat janë zhvendosur për vitin 2021 si dhe intensitetin e punës gjatë kësaj kohe.  

“Shumica prej eventeve që janë anuluar vitin e kaluar, janë zhvendosur për këtë vit. Padyshim që kemi pasur mirëkuptim dhe jemi munduar t’i aranzhojmë të gjitha datat që të gjithë klientët të kenë mundësinë ta mbajnë eventin… Fatkeqësisht, pandemia ka ndikuar në të gjitha familjet, sidomos financiarisht. Duke qenë kjo situatë, padyshim që ka një dallim në numrin e ahengjeve nga vitet e kaluara, sepse shumë familje kanë vendosur në radhë të parë shëndetin dhe gjërat bazike”, ka treguar Haziri – Nuhiu. 

Por çka ofron Vali Ranch për organizimin e dasmave dhe ahengjeve dhe cilat janë risitë për këtë vit? 

Ambientet e Vali Ranch Resort janë kthyer ndër destinacionet e preferuara të shqiptarëve për të festuar data të rëndësishme, pasi ky resort përveç rehatisë dhe mikpritjes ofron edhe mundësi të shumta zgjedhjesh për klientët e vet. Por për ata që ende nuk kanë vendosur për fejesën, dasmën apo edhe evente tjera, drejtoresha e këtij resorti i tregon detajet rreth mundësive që ofron Vali Ranch për momente të veçanta. 

“Pa dyshim që këtij resorti nuk mund t’i mungojnë edhe sallat madhështore të dasmave që janë Queen Vali Palace dhe Royal Hill Palace. Gjithashtu kemi edhe sallën Rubin dhe Romantika për evente me numër më të vogël mysafirësh. Në këto salla gjithçka është magjike deri në detaje, që nga organizimi, dekori, ambientet, ushqimi e shërbimi. Kapaciteti i sallave të dasmave në Vali Ranch Resort fillon nga 20 deri në 600 persona. Duke filluar nga Restauranti “Romantika”, ambient ky për evente modeste dhe të vogla familjare me 20-100 persona. Më pas salla e Rubinit që ka kapacitet diku për 150-200 persona, kryesisht për evente si fejesa, kanagjegje, syneti, ditëlindje etj. Dhe më pas sallat gjigante si Queen Vali Palace dhe Royal Hill Palace me kapacitet nga 300 deri në 600 persona”, tregon Arta Haziri – Nuhiu. 

E veçanta e menysë së dasmave ‘Apero’ 

“Pjesa më e veçantë në menytë e dasmave në Vali Ranch Resort është padyshim Apero, ku në hyrje shtrohet një tavolinë suedeze me pemë sezonale, ushqime të lehta dhe të shijshme si dhe pije mirëseardhjeje, ku mysafirët kanë rastin të shkëmbejnë urime dhe biseda të çastit në një ambient të jashtëm dhe përrallor siç është Vali Ranch Resort.”
 

Risitë e verës 2021 në Vali Ranch
 

“Risitë dhe ndryshimet janë qëllimet tona primare, duke synuar ta mbajmë me dinjitet veçantinë dhe traditat e Valit Ranch, por gjithmonë me ide te reja dhe aktuale. Jemi munduar të sjellim risi në dekor dhe vizualitet, gjithashtu duke e zgjeruar stafin, për organizim sa më të mire dhe të rregullt. Kjo kohë pandemie ka ndikuar edhe në kreativitet dhe zgjerim idesh, duke filluar edhe me organizimin e eventeve në ambiente të hapura, duke e bërë eventin edhe më madhështor por edhe më të sigurt”, ka përfunduar Arta Haziri – Nuhiu.