Fun

Dashuria na bën mirë, pavarësisht formave të saj

Në ditën e Shën Valentinit, albinfo.ch sjell një analizë rreth kërkimeve dhe shqyrtimeve të bëra për të kuptuar efektet e dashurisë në shëndet

Për Shën Valentinin ekspertët psikiatrikë na rikujtojnë se relacionet seksuale, lidhjet e forta dhe të devotshme, fuqizojnë cilësinë e shëndetit.

Si për kokë, ashtu edhe për trup, dashuria bën mirë. Në ditën e Shën Valentinit, albinfo.ch sjell një analizë rreth kërkimeve dhe shqyrtimeve të bëra për të kuptuar efektet e dashurisë në shëndet. Që nga pasioni në angazhimin e qëndrueshëm, duke kaluar edhe në seksualitet, lista është e gjatë dhe nganjëherë befasuese!

Vëzhgimi i parë: shoku i dashurisë trondit trurin. “Acarimi i emocioneve, qëndrimi i vëmendjes, pushtimi i kujtesës, ndjenja e mungesës dhe e boshllëkut, sjellja e personave të dashuruar i ngjan sjelljes së personave të varur nga substanca të ndryshme”, shpjegon Dr. Helen Richard Lepouriel, mjeke asistente në krye të sektorit për çrregullime të qenies në Universitetin e Gjenevës (HUG). Në të dy rastet individët prodhojnë një nivel të lartë të dopamines, një neurotransmor që aktivizon shtegun e shpërblimit  dhe që është i lidhur me kërkimin e kënaqësisë dhe të emocioneve.

«Dopamina e lartë rrit kënaqësinë dhe besimin”, shpjegon mjekja. Në mënyrë të ngjashme, dashuria rrit neuroadrenalinën, e cila ndikon në rrahjen e zemrës, në gjumin dhe oreksin. “Kur jemi të dashuruar, zemra jonë rrah më shpejt. Ne kemi nevojë për më pak gjumë dhe për më pak ushqim. Por, gjithashtu ne bëhemi më të shqetësuar dhe të ngazëllyer”. Serotonina është më e ulët, sikur gjatë një depresioni. “Për fat të mirë apo për fat të keq, kjo gjendje e vështirë  mund të zgjasë deri në gjashtë muaj. Atëherë trupi rregullon veten, hormonet e tjera marrin përsipër përgjegjësitë e tyre”, thotë mjeku. Pas gjashtë muajsh, një tjetër formë e dashurisë mund të zhvillohet, një ndjenjë e paçmuar për gjendjen tonë mendore.

“Ne sot po festojmë ditën e dashurisë, veçanërisht po festojmë aspektet pasionuese së dashurisë. Emocione që të japin ndjenjën intensive të jetes, por që, për fat të keq, nuk janë gjithmonë të qëndrueshme”, thotë Dr. Katharina Auberjonois, nga kreu i konsultimit psikoterapeutik për familjet dhe çiftet e HUG-ut.

Forma të tjera të dashurisë gjithashtu meritojnë të festohen, sipas psikiatres. Ajo nxjerr në pah vlerën e “dashurisë familjare, të dashurisë bashkëshortore, e cila rezulton nga lidhja e thellë dhe e pakushtëzuar, siç mund të jetë marrëdhënia prind-fëmijë dhe/ose marrëdhëniet e vëllezërve dhe motrave. Është një dashuri  kaq e sigurt sa që jep forcë dhe besim thelbësor. Hulumtimet tregojnë se dashuria fuqizon sistemin imunitar”.

Kjo dashuri rritet me “akumulimin e gjesteve të vëmendshme gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës. Duke u kujdesur për fëmijët e tyre, prindërit u japin atyre një mirëqenie fizike dhe mentale. Duke lënë një fjalë të vogël inkurajimi, duke përgatitur gjellat e tyre të preferuara, duke u fokusuar në ngjarjet e ditës së anëtarëve të familjes, duke njohur vlerën e secilit, lidhjet e pandashme ushqejnë secilin. Më pas, kur këta fëmijë rriten, ata ua kthejnë gjithë këtë dashuri prindërve të tyre. Kur dikush ndihet i njohur në rëndësinë e tij, të paktën në familjen e tij, ai bëhet i gatshëm të përballet me botën e jashtme. “Prandaj, lidhjet familjare janë thelbësore për zhvillimin e personaliteteve nga fazat më të hershme të jetës. Sa më shumë këto lidhje të jenë të forta, aq më shumë këta individë janë të fortë psikikisht dhe fizikisht”.

Po në lidhje me seksin?  Psikiatrja e HUG-ut thekson rolin e rëndësishëm që relacionet seksuale mund të luajnë në cilësinë e jetës.

“Disa studime kanë gjetur një korrelacion domethënës ndërmjet një aktiviteti të përbashkët dhe të rëndësishëm seksual dhe shëndetit më të mirë mendor. Një efekt i dobishëm për humor, një rrezik më i ulët në zhvillimin e depresionit, një cilësi më e mirë e marrëdhënieve në çift, pasuruar me një ndjenjë të intimitetit dhe lidhjes me partnerin, janë identifikuar”, thotë mjeku.