Kosova

DASH: Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “të mos e ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin “asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

DASH-i i bën thirrje qeverisë së Kosovës të mos e ndërmarrë këtë veprim që e konsideron si “të pakoordinuar dhe të njëanshëm”.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë që ta diskutojë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht, ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit.

Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.