Zhvillim

Dardana nderon mërgimtarët dhe shpall “Qytetar Nderi” Ermir Lenjanin

Në manifestimin dyditor të organizuar nga kreu i Komunës, nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë si dhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport në Kamenicë (Dardanë) bënte pjesë një panair prodhimesh lokale, nderimi për kontributdhënës të ndryshëm si dhe u shpall qytetar nderi futbollisti i njohur Ermir Lenjani

 

Viteve të fundit, gjithnjë e më shumë, Diasporës po i kushtohet vëmendje më e shtuar. Tashmë nuk është vetëm ai slogani i shkruar në panonë e paraqitur në hyrje të qytetit “Mirësevini bashkatdhetarë”, porse mërgimtarët i përcjell një manifestim dyditor i organizuar mirë nga kreu i Komunës, nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë si dhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport.

Kështu, më 21 korrik 2016, nga një skenë e rregulluar enkas për këtë ngjarje, kryetari i Komunës, Begzad Sinani shpalli të hapur Panairin e prodhimeve lokale dhe Ditën e Diasporës. Me këtë rast z. Sinani shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për kontributin e vazhdueshëm të mërgimtarëve në shtetndërtimin e Kosovës. Ai po ashtu ndau mirënjohje për disa organizata sponsoruese të këtij manifestimi siç janë: Banka “Finca”, “KEP” dhe “BPB”, organizata “Helvetas” etj.

Këtij diskutimi me këtë rast iu bashkëngjit edhe zv.ministri për Diasporë, Sahit Krasniqi, i cili trimëroi, jo vetëm mërgimtarët, por edhe rreth 40 biznese, të cilët për dy ditë radhazi ekspozuan prodhimet e tyre vendore, duke dëshmuar maksimën: “Nëse punojmë në shtetin dhe për shtetin tonë, atë do ta kemi gjithmonë”.

Kështu, 41 biznese vendore, në sheshin “Metush Krasniqi” në Dardanë (ish- Kamenicë), kishin ekspozuar prodhimet e tyre, duke filluar nga ato bujqësore, të apikulturës, artizanale e deri tek ato inovative nga teknika energjetike.

Nderohet “Helvetas” për ndihmën në zbutjen e papunësisë

Në shenjë mirënjohje për punën e tyre, Kryetari Sinani bashkë me zv. Ministrin si dhe përfaqësuesit e “Helvetasit” një për një vizitoi të gjitha stendat, duke u njoftuar drejtpërdrejt me suksesin dhe me hallet e prodhuesve vendorë.

Përfaqësuesi i Helvetasit, Norbert Pijls, për albinfo.ch, tha se kjo organizatë ndihmon vazhdimisht Komunën e Dardanës/Kamenicës në forma të ndryshme në kërkim të krijimit të vendeve të reja të punës, përkatësisht të zvogëlimit të papunësisë dhe të gjetjes së terrenit të përshtatshëm për investimin e mërgimtarëve në vendlindje. Njëkohësisht ai ndjehet i nderuar me mirënjohjen që iu nda nga Kryetari i Komunës së Dardanës/Kamenicës.

Gëzim Xh. Morina nga Topanica, nxënës i klasës së 10-të, në stendën e vet kishte ekspozuar një sërë zbulimesh autoriale nga fusha e energjetikës, si: gjenerator për prodhimin e rrymës elektrike, shkrepse elektrike, fontanë, robot etj. “Ka dy vjet që merrem me këtë fushë dhe gjer më tani kam jetësuar rreth 60 modele shpikjesh autoriale, disa prej të cilave m’u dha rasti t’i prezantoj në këtë panair, me ç’ rast falënderoj organizatorin” shpreh falënderimin e tij Gëzim Morina.

Derisa Art Maliqi prezantonte veprimtarinë krijuese të gjyshit të tij, publicistit Daut Maliqi, në stendën afër, Xhemile Sopi krenohej me punën artizanale ku nga mijëra rruaza të imëta kishte bërë mrekullira dekorative.

Në stenda nuk mungonin as minerale të xeheroreve të Kosovës, prodhime të veglave muzikore, prodhime të mjedrave, dredhëzave, domateve si dhe gatesa tradicionale nga firma “Tradita”.

Natyrisht, me prodhimet e tyre si dhe sponzorimet e vazhdueshme të manifestimeve të këtilla ishin të pranishme edhe bankat: Finca, KEP, BPB etj.

“Më rrëqethet trupi nga gëzimi dhe ndjehem shumë i nderuar kur shoh këso aktivitetesh në nderim të diasporës, por edhe të vetë bashkësisë në komunën tonë”, thotë mërgimtari Mejdi Ismaili, i cili këto ditë kishte “zbritur” nga Cyrihu i Zvicrës. Unë dhe familja ime shpenzojmë rreth katër mijë euro për pushime në Kosovë pas të cilave mbushemi me energji për punët e përditshme në Zvicër. Ky panair dhe manifestime të tjera kushtuar diasporës na nxisin edhe më shumë që të jemi pjesë e pushimeve verore në vendlindje” thotë z. Ismaili nga Dardana.

Shyhrete Kastrati, udhëheqëse e Departamentit për Qendrat Kulturore në Diasporë është e impresionuar nga organizimi komunal për Ditët e Diasporës. Ajo, gjithashtu, bën me dije se në Komunën e Dardanës janë të vendosura katër pika regjistrimi për diasporën me qëllim që në të ardhmen, të kemi numrin e saktë të mërgimtarëve tanë si dhe të orientohemi më mirë në bërjen e politikave për diasporën.

“Gjatë dy vjetëve të fundit janë regjistruar rreth 200 mijë mërgimtarë, dhe pritet që të rritet vetëdijesimi i mërgimtarëve për paraqitjen e tyre në këto pika regjistrimi”, thotë znj. Kastrati

Në ditën e dytë të këtij manifestimi, i cili i kushtohej ekskluzivisht diasporës, përfaqësuesit komunalë bënë edhe disa vizita bizneseve që udhëhiqen nga mërgimtarët e riatdhesuar. Bizneset e fokusuara ishin: Qumështorja “Malësia” dhe fabrika e përpunimit dhe prodhimit të kërpudhave “Fungo-FF”.

Ermir Lenjani, “Qytetar Nderi” i Dardanës (Kamenicës)

Ndonëse në mungesë të Ermirit, Kryetari i Komunës, Begzad Sinani akordoi çmimin “Qytetar Nderi“ për futbollistin, tashmë të popullarizuar, Ermir Lenjani, i cili rrënjët i ka në fshatin Karaçevë.

Në këtë ditë të shënuar çmimin për Ermirin e pranuan prindërit e Ermirit.  Siç dihet Ermir Lenjani tashmë është popullarizuar gjithandej kah flitet shqip me përfaqësimin e tij të Kombëtares së Shqipërisë. Me këtë rast babai i Ermirit, Limon Lenjani, dikur edhe vetë futbollist, falënderoi Kryetarin Sinani, si dhe të gjithë adhuruesit e Ermirit për mbështetje të vazhdueshme që po i jepet djalit të tij. Vendimi për shpalljen e Ermir Lenjanit “Qytetar Nderi” ishte aprovuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit Komunal të Kamenicës – Dardanës më datë 30 qershor 2016.

Manifestimi për diasporën vazhdoi me vizitën e kreut komunal të disa shoqatave që veprojnë në diasporë, por që janë ngushtë të lidhura me vendlindjen. Në këtë kuadër, kryetari i Komunës z. Sinani njoftoi përfaqësuesit e shoqatave për rrjedhat në komunë, në fushën e investimeve dhe të realizimit të projekteve me interes të banorëve të Dardanës. Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësuesit e shoqatave nga diaspora njoftuan kryetarin Sinani (dhe të tjerët) për kontributin e tyre në vendbanimet prej nga vijnë ato.