Kosova

Dalja në zgjedhje deri në orën 15, mbi 29 për qind

Dalja e përgjithshme deri në orën 15:00 është mbi 29 për qind nga totali i përgjithshëm, gjithmonë bazuar në të dhënat e dërguara në KQZ.

Përkthyer në numër, deri tani kanë votuar më shumë se 550 mijë persona.

Nga ana tjetër, rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” që monitoron procesin e zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 13:00 kanë votuar 371 mijë qytetarë.

“Shprehur në përqindje dalja është rreth 19 për qind”, ka thënë Artan Murati në një konferencë për media, njofton Klan Kosova.

Po ashtu zyrtarët nga Demokracia në Veprim kanë thënë se kemi rritje të votuesve për dallim nga zgjedhjet e tjera.

“Deri në këtë kohë, në zgjedhjet e vitit 2017 dalja në zgjedhje ka qenë rreth 13 për qind. Kemi një trend të rritjes aktualisht në bazë të votimit që po bëhet”.

“Procesi po zhvillohet i qetë dhe pa incidente serioze. Megjithatë janë identifikuar disa probleme që janë vërejtur edhe më herët. Ka pasë raste kur qytetarët kanë pasur vështirësi që ta gjejnë vendvotimin e duhur. Janë rreth 7 mijë e 300 persona, kur prijnë Prizreni dhe Peja me nga 107 raste”.

“317 persona janë identifikuar dhe janë lejuar të votojnë me dokumente me afat të skaduar. Ofrimi i asistencës mbetet një nga çështjet që vërehet në vendvotime anekënd Kosovës. 22 mijë votues kanë votuar me asistencë”.

“110 raste janë vërejtur kur një person ka ofruar asistencë më shumë se një herë. Fotografimi i votës është vepër penale. Janë 83 raste që janë vërejtur  nga ora 9:30 deri në 13:00 dhe 96 raste qëndrimi i më shumë se një personi prapa kabinës”, përcjell albinfo.ch.