Kosova

Daka: Shkarkimi im është jokushtetues, do të ndjek rrugët ligjore

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga kjo pozitë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe i pambështetur në ligj.

Ajo ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj.

“Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale, të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe ligjin, është absurditet i llojit të vet dhe, sipas të gjitha gjasave, vendim i porositur”, ka thënë Daka në një konferencë për media.

Daka pretendon se vendimi ka qenë i përgatitur më herët dhe përmes tij presidentja e “ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim”.

“Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim, në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”, ka thënë Daka duke shtuar se “kjo gjuhë dhe sjellje është e papranueshme”.

Më 14 qershor presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kundërshtuar vendimin, duke thënë se ai rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Një ditë pas shkarkimit të Dakës, presidentja Osmani shpalli 17 tetorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë./REL