Kosova

Daka: KQZ-ja nuk po i keqpërdor votat nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, ku është duke u diskutuar edhe për votat e diasporës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka reaguar ndaj ankesave të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, lidhur me refuzimin e votave të diasporës.

Ndërkohë, Daka është shprehur se KQZ-ja ua ka mundësuar 150 mijë qytetarëve nga jashtë të votojnë, duke i kryer të gjitha procedurat brenda vetëm 10 ditësh, duke shtuar se nëse dikush ka prova që KQZ-ja i ka mohuar dikujt të drejtën e votës apo e ka keqpërdorur votën e dikujt, le të shkojë në Prokurori dhe t’i dorëzojë faktet.

“Mos harroni që kjo KQZ-ja për 38 ditë ua ka mundësuar votimin 150 mijë qytetarëve jashtë Kosovës, brenda 10 ditësh të aplikojnë, të regjistrohen, të verifikohen dhe të gjitha këto procedura të kryhen përkundër faktit që ju po mundoheni të thoni vazhdimisht se KQZ-ja nuk është duke i penguar, përkundrazi ka bërë maksimumin e mundshëm që çdo qytetari t’i jepet e drejta të votojë. Nëse keni prova që KQZ-ja me qëllim dikujt ja ka mohuar të drejtën e votës apo e ka keqpërdorur, urdhëroni në Prokurori, dorëzoni fakte dhe vazhdojmë”, ka thënë Daka në mbledhjen e sotme të KQZ-së.