Shkurt.ch

Cyrihu, i shtati në botë ndër qytetet universitare

Në vendet e para të kësaj liste janë Parisi, Londra, Bostoni. Pas tyre e para Cyrihut, vijnë në radhë qytetet si Melburn, Vjena dhe Sidnej

Cyrihu bën pjesë në top dhjetëshin e qyteteve  më të mira studentore. Në ranglistën e realizuar për herë të parë këtë vit “QS Best Student Cities in the World 2012”, Cyrihu radhitet në vendin e shtatë.

Siç bën të ditur “Handelszeitung”, në vendet e para të kësaj liste janë Parisi, Londra, Bostoni. Pas tyre e para Cyrihut vijnë në radhë qytetet si Melburn, Vjena dhe Sidnej. Lista e dhjetë qyteteve më të preferuara studentore vazhdon më tutje me Berlinin, Dublinin dhe Montrealin.

Për të bërë këtë listë janë marrë në shqyrtim disa kritere si, internacionaliteti i qytetit universitar, atraktiviteti për punëdhënësit e mundshëm, kualiteti i jetës dhe kostoja. Në konsideratë janë marrë vetëm qytetet universitare me më shumë se 250 mijë banorë dhe me së paku dy universitete ose shkolla të larta që janë kategorizuar me gradën e institutit londinez Quacquarelli Symonds (QS).

Në këtë kategorizim, Cyrihu ka qenë i vetmi qytet zviceran që ka plotësuar kriterin për  tu futur në ranglistë. Rangimi i universitetit teknik të Cyrihut ETH si njëri ndër universitetet më prestigjioze në botë, ka ndikuar shumë në radhitjen kaq lartë të Cyrihut si qytet universitar.