Integrimi
COVID-19 në imazhet e radiologut
Që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 e deri sot, imazheria radiologjike, dhe posaçërisht CT, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në diagnostikimin e sëmundjes dhe kujdesin ndaj pacientit
Çka është COVID-19?
Në fund të vitit 2019, përmes lajmeve, ne të gjithë dëgjuam për një sëmundje të re, në një regjion të Kinës, në Wuhan. Por nuk besoj se dikush në pjesët tjera të botës e kishte marrë seriozisht këtë fakt. Madje, duke i rikujtuar rastet e ngjashme me SARS në fillim të viteve 2000, e gjithë kjo ndoshta është shikuar edhe me një lloj mosinteresimi apo edhe më keq, me një lloj injorimi!
Pas analizave dhe hulumtimeve u identifikua se shkaktar i kësaj sëmundjeje ishte një koronavirus i ri. Ky virus me origjinë zoonotike tani njihet me emrin SARS-CoV-2 (Severe Acute Respiratory Syndrome Coronavirus 2), ndërsa sëmundja e shkaktuar nga ky virus, njihet si COVID-19 (Coronavirus Disease 2019).
Edhe kur infeksioni u shpall pandemi globale, në fillim të vitit 2020, shumë zëra në botë, madje në poste me shumë rëndësi, kishin një qasje të rezervuar madje edhe mohuese ndaj tij! Për kontinentin tonë ato pamjet dramatike nga Italia, e dhanë alarmin e madh për dimensionet brutale të kësaj sëmundjeje! E tash, kur ka kaluar një vit e 5 muaj, këtë javë numri i të infektuarve të regjistruar në botë ka kaluar shifrën prej 140.000.000 vetave ndërsa numri i vdekjeve, shifrën prej 3.000.000.
Bashkë me raportimet e para të sëmundjes, radiologët u përballën me imazhet e para radiologjike nga kjo sëmundje e re. Një sëmundje e re nga një shkaktar që sapo u zbulua, filloi të sfidonte botën radiologjike. Shumë të panjohura duhej të sqaroheshin. Shumë informata të reja për radiologët që vinin nga te gjitha anët e globit, plotësonin përditshmërinë tonë profesionale. Shumë punime filluan të analizohen në laboratorë dhe qendra mjekësore në botë, në mënyrë që radiologët të ofronin ndihmën e tyre në diagnostikimin e kësaj sëmundje. Që nga fillimi e deri sot, imazheria radiologjike, dhe posaçërisht CT, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në diagnostikimin e sëmundjes dhe kujdesin ndaj pacientit. Kjo, për arsyen se sensitiviteti i CT-se është shumë i lartë, mbi 90%, por edhe për faktin se u dëshmua si metodë e saktë në përcjelljen e ecurisë së sëmundjes, që jep informata të sakta për gjendjen e organeve te prekura si dhe komplikimet eventuale, qoftë ne regjionin e kraharorit apo edhe në pjesët tjera të organizmit të njeriut.
Sensitiviteti i CT, më i lartë se ai i testit RT-PCR
Në disa studime (p.sh. nga Italia), sensitiviteti doli se ishte më i lartë se sa ai i testit RT-PCR, që aktualisht është dhe mbetet edhe më tutje standard i artë (Gold Sandard) për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje.
Mirëpo, që në fillim duhet të kuptohet se CT-ja nuk është hapi i parë diagnostik apo një metode e Screening-ut për COVID-19. Shumë më tepër, me ndihmën e CT-së, ne mund të bëjmë një diferencim dhe caktim të shkallës së ndryshimeve në parenkimën e mushkërive, pastaj, ta monitorojmë atë gjatë ecurisë klinike dhe të dokumentojmë komplikime të tilla si embolia pulmonare ose superinfekcionet.
CT mund të tregojë një mostër sugjeruese të diagnostikimit të pneumonisë COVID-19. Prandaj, ajo u përdor gjithashtu, veçanërisht në fillim të pandemisë, për të mbështetur diagnozën. Sidoqoftë, për shkak të ngjashmërisë morfologjike me diagnozat tjera diferenciale, specificiteti i CT-se për pneumoninë COVID-19 është i kufizuar dhe varësisht nga qendra të ndryshme, ai është midis 28 deri 58%.
Sipas deklaratave të shoqatave kombëtare dhe ndërkombëtare të radiologjisë torakale, metoda e zgjedhur e imazherisë për pacientët me pneumoni të dyshuar ose të konfirmuar COVID-19 është CT e Thoraxit (kraharorit). Grafia e mushkërive fillimisht në praktikën e shumë vendeve përdoret si një prej metodave të para diagnostike. Mirëpo duhet të kemi parasysh se specificiteti te Röntgeni është më i ulët, por ai mund të përdoret për kontrollet vijuese.
Është e këshillueshme që për ekzaminime të CT-së të përdoret një protokoll me dozë të reduktuar të rrezatimit dhe pa kontrast intravenoz (për rastet kur nuk kemi dyshime për komplikime eventuale). Sidoqoftë, ka gjithnjë e më shumë dëshmi se infeksioni me SARS-CoV-2 çon në një incidencë të shtuar të trombozës. Prandaj, mjetet e kontrastit duhet të administrohen nëse rritet vlera e D-dimerëve ose nëse ka dyshime të tjera për emboli pulmonare.
Këtu do t`i prezantojmë disa raste nga praktika vetanake me COVID-19 në mënyrë që të kemi një përfytyrim më të afërt për pamjen apo morfologjinë e kësaj sëmundje:
Rasti 1 – 3 në CT: Pneumonia COVID-19 në grafinë e Thoraxit
Rastet me grafi të mushkërive (dy raste)
Në imazhin e Röntgenit apo grafisë të Thoraxit (kraharorit), pneumonia COVID-19 manifestohet në formën e reduktimit të densitetit, hijeve radiologjike apo dhe konsolidimeve parenkimale, të cilat zakonisht preferojnë periferinë e fushave të mesme dhe të poshtme. Mediastinumi dhe hiluset mushkërore zakonisht janë normale.
Rastet 4-5 të CT-së
Morfologjia e pneumonisë COVID-19 në CT është e ngjashme te shumë pacientë. Zakonisht prezantohet me zona me densitet te reduktuar ose forma të përziera të zonave me reduktim densiteti dhe konsolidime. Konfigurimi i zonave me densitet te reduktuar mund të jetë i rrumbullakët, në formë të një trekëndëshi apo shumëkëndëshi, forme gjeografike ose me zgjatime të trashura. Lezionet apo vatrat inflamatore zakonisht janë shumëfokale dhe prekin të dy mushkëritë (Edhe pse në praktikën vetanake kemi edhe raste që në fillim ka qenë e prekur vetëm njëra mushkëri). Në përgjithësi, morfologjia të kujton një pneumoni organizative (kriptogjene). Ndërsa kompleksiteti i sëmundjes rritet, konsolidimet rriten dhe pjesët me ajrim te parenkimës mushkërore zvogëlohen. Në raste ekstreme, mund të shfaqet dëmtim difuz alveolar (DAD) i mushkërive.
Rastet 6-8 të CT-së
Nëse morfologjia CT e përshkruar është e disponueshme, pneumonia COVID-19 mund të diagnostikohet me një shkallë të lartë të saktësisë diagnostike dhe simptoma gjegjëse klinike. Nga ana tjetër, një CT pa shenja inflamatore nuk e përjashton një sëmundje COVID-19.
Është e kuptueshme se jo të gjithë pacientët tregojnë morfologjinë sugjestionuese të përshkruar më sipër. Mund të ketë gjithashtu një pamje jo specifike të pneumonisë atipike që nuk mundëson të nxirren përfundime në lidhje me etiopatogjenezën. Është me rëndësi të kemi parasysh se cilat shenja nuk janë tipike në pneumoninë COVID-19. Vërshimet pleurale ose limfadenopati mediastinale janë vërejtur në më pak se 10% të pacientëve.
Në vend të përfundimit
Siç mund të shihet edhe nga këto imazhe të prezantuara, morfologjia e COVID-19 është e ndryshme, varësisht nga stadi i sëmundjes, mosha e pacientit, shtrirja e ndryshme në mushkëri, ekzistenca e sëmundjeve të ndryshme të mushkërive, komplikimet e mundshme me prezantim vërshimi pleural apo emboli mushkërore etj.
Ashtu siç është dëshmuar në disa punime në vende të ndryshme, edhe në praktikën tonë të përditshme, kemi hasur në raste që testi për Covid-19 ishte negativ, ndërsa me CT është dokumentuar ndryshimi patologjik qe është sugjeruar për sëmundje COVID-19. Edhe nga këto raste është dëshmuar se CT është më e ndjeshme se sa testi PCR që realisht është dhe mbetet “standardi i artë” diagnostik.
Është dëshmuar po ashtu se CT është shumë e dobishme në drejtimin e përcjelljes se ecurisë së sëmundjes qoftë të pacientëve spitalorë e sidomos tek rastet e mjekimit intensiv dhe të atyre me komplikime te ndryshme.
CT mund të përcaktojë shkallën e përfshirjes së parenkimës së mushkërive dhe të zbulojë komplikime të mundshme të tilla si superinfektimi ose embolia pulmonare.
Sipas morfologjisë se prezantuar në CT, edhe pse ne i prezantuam vetëm disa nga ndryshimet patologjike, mund të thuhet se ato është e mundur të ndahen në 3 kategori të mëdha:
Kategoria 1: Morfologjia e CT-se është sugjeruese për pneumoni COVID-19.
Kategoria 2: Morfologjia e CT-së sugjeron për pneumoni atipike, por nuk mund të bëhet caktimi i një etiopatogjeneze të mundshme
Kategoria 3: Morfologjia e CT-se nuk ka shenja te pneumonisë COVID-19.
Një porosi për fund:
Merreni seriozisht sëmundjen COVID-19.
Respektoni masat që ju këshillohen.
Kërkojeni mjekun menjëherë, nëse keni ankesa.
Dhe mos hezitoni: merreni VAKSINËN!
Me vaksinim do të arrihet dalja nga ky circulus viciosus (rreth i mbyllur) dhe kthimi në jetë normale!!!
Një prognozë për historinë:
Pas shumë e shumë vitesh do të thuhet se: COVID-19 ishte një vrasëse e jetës së shumë njerëzve dhe mohuese e lirive të njerëzimit!
Dr. med. Habib Jakupi, 20.04.2021
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025