Dështon mbledhja e KQZ-së, LV e revoltuar që nuk shtyhet afati i regjistrimit të diasporës

Mbledhja e sotme e KQZ-së ka dështuar.

Arsye për këtë ishte mungesa e anëtarëve të subjekteve.

Lidhur me këtë, pati një reagim nga zyrtari i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi.

Ai u shpreh i revoltuar për mungesën e kuorumit që, sipas tij, pamundësoi kërkesën e tyre për shtyrje të afatit për regjistrim të mërgatës.

Mbledhjen e mbylli kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

 

Mbi 10,000 emigrantë vdiqën këtë vit gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë përmes detit

Më shumë se 10,000 emigrantë vdiqën gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë përmes detit këtë vit, thuhet në një raport të publikuar të enjten nga një grup spanjoll për të drejtat e migracionit.

Mesatarisht, kjo do të thotë se 30 migrantë kanë vdekur çdo ditë këtë vit, duke u përpjekur të arrinin në vend me varkë, thuhet në raportin e “Caminando Fronteras”.

Vdekjet e përgjithshme u rritën 58% krahasuar me vitin e kaluar, thuhet më tej në raport.

Dhjetëra-mijëra emigrantë u larguan nga Afrika Perëndimore në vitin 2024 për në Ishujt Kanarie, një arkipelag spanjoll afër bregut afrikan që është përdorur gjithnjë e më shumë si një vend kalimi drejt Evropës kontinentale, raporton The Guardian.

“Caminando Fronteras” thotë se shumica e 10,457 vdekjeve të regjistruara deri më 15 dhjetor ndodhën përgjatë atij kalimi, të ashtuquajturës Rrugë Atlantike, e konsideruar si një nga më të rrezikshmet në botë.

Organizata përpilon shifrat e saj nga familjet e emigrantëve dhe statistikat zyrtare të të shpëtuarve.

Ato përfshijnë 1,538 fëmijë dhe 421 gra në mesin e të vdekurve. Prilli dhe maji ishin muajt më vdekjeprurës, thuhet në raport.

Në shkurt, Spanja premtoi 210 milionë euro ndihmë për Mauritaninë për ta ndihmuar atë të godasë kontrabandistët e qenieve njerëzore.

Ministria e Brendshme e Spanjës thotë se më shumë se 57,700 emigrantë arritën në Spanjë me anije deri më 15 dhjetor të këtij viti, një rritje afërsisht 12% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shumica dërrmuese e tyre erdhën përmes Rrugës së Atlantikut.

KQZ-ja pret afatet ligjore për certifikimin e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore, në mënyrë që të vendosë më pas për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Më 25 dhjetor Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.

Lista Serbe, që e cilësoi këtë veprim të kundërligjshëm, e mirëpriti vendimin e PZAP-it dhe tha se vendimi i 23 dhjetorit ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

Në vendimin e tij, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej, pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Pra, sipas PZAP-it, Lista Serbe ka plotësuar kriteret, pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj, kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

Njohësit e zhvillimeve politike më herët gjatë javës i thanë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të obligojë KQZ-në që ta certifikojë këtë parti.

Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një rreshter të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ e kanë argumentuar moscertifikimin e Listës Serbe me atë se kjo parti, sipas tyre, asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”.

Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi.

Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicën e Veriut

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje të tjera për mbylljen e një objekti në Mitrovicën e Veriut të enjten, duke thënë se aty ushtronte veprimtarinë një institucion paralel i Serbisë.

Sipas Sveçlës, ky institucion ka grumbulluar jashtëligjshëm pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre.

“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion, i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë, përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” feston arritjen e 4 milionë udhëtarëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” do të shënojë nesër një moment historik, duke festuar arritjen e 4 milionë udhëtarëve për vitin 2024.

Për këtë rast të veçantë, do të organizohet një ceremoni në ambientet e terminalit të aeroportit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ministrave, si dhe partnerëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ky moment përfaqëson një sukses të jashtëzakonshëm për aeroportin dhe për transportin ajror në Kosovë. Organizatorët e ngjarjes kanë theksuar se kjo arritje reflekton rritjen e vazhdueshme të interesit për udhëtimet nga dhe drejt Prishtinës.

 

 

 

Dita e fundit: Kurti fton mërgatën të regjistrohen për votim, u tregon edhe orën deri kur ka afat

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka ftuar sërish mërgatën që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurti ka thënë edhe se procedura për një gjë të tillë kurrë s’ka qenë më e lehtë.

‘‘Mërgatë e dashur, ju falënderoj të gjithëve që jeni regjistruar për të votuar nga jashtë vendit në ambasadat e konsullatat tona dhe përmes postës. Afati i fundit është sonte, ora 23:59 minuta. Andaj ju që ende nuk jeni regjistruar, regjistrohuni dhe përfitoni nga lehtësirat që kemi bërë për ju për të qenë pjesë e zgjedhjeve tona dhe vendimeve të përbashkëta. Më lehtë e më thjesht kurrë nuk ka qenë’’, ka thënë ai mes tjerash.

https://www.facebook.com/albini2017/videos/1119355009651344

Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga

Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë të vitit 2024 në kampionatin gjerman, Bundesliga.

Viti 2024 ka qenë vit interesant në Bundesliga, pasi Bayer Leverkusen ka thyer hegjemoninë e Bayern Munichut, duke rrëmbyer titullin kampion.

‘Aspirinat’ ishin skuadra më e mirë e edicionit 2023/24 dhe kjo erdhi falë disa prej yjeve më të mëdha dhe trajnerit Xabi Alonso.

Pas përfundimit të këtij gjysmësezoni, faqja e specializuar e statistikave SofaScore ka publikuar formacionin më të mirë të vitit 2024 në Bundesliga.

 

Mërgimtarët kthehen në atdhe, fluks në pikën kufitare të Kapshticës

Fluksi i emrigrantëve dhe turistëve gjatë festave të fundvitit po vijon me ritme të larta. Në pikën kufitare të Kapshticës, tashmë prej ditësh, kanë hyrë një numër i madh udhëtarësh.

Ndërkohë, bëhet me dije se në 24 orët e fundit kanë hyrë nga kjo pikë doganore 6,219 udhëtarë dhe kanë dalë 1,484 persona.

Mësohet se nga data 29 dhjetor deri më sot, nga Greqia kanë hyrë mbi 35 mijë emigrantë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, raportohet se 15 mijë qytetarë kanë udhëtuar drejt Greqisë.

Megjithatë, policitë kufitare në të dyja anët e kufirit kanë marrë masat dhe e kanë menxhuar fluksin e lartë të udhëtarëve.

Për rrjedhojë, mësohet se nuk ka pasur vonesa në pikën doganore, pasi në varësi të situatës, herë pas here ka shtim të numrit të sporteleve dhe personelit. Pala shqiptare, në varësi të fluksit, punon me 5 sportele në hyrje, ndërsa pala greke me 3 sportele.

Shumë fjalë në një shkronjë! Ky është kuptimi i ”i”-së në produktet e Apple

E keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë kuptimi ka shkronja “i” në produktet e kompanisë Apple, si iPhone apo iPad? Shumë klientë janë përpjekur ta zbulojnë domethënien, por përgjigjja ka qenë gjithnjë aty.

Gjatë një fjalimi të vitit 1998 ku prezanonte iMac, Steve Jobs tha se “i” nënkuptonte “internet”. Asokohe, interneti po fitonte terren, sepse njerëzit sa kishin nisur ta përdornin. Por jo vetëm kaq.

“Steve Jobs tha se ‘i’ nënkupton ‘internet, individ, udhëzim, informim dhe frymëzim’”, u shpreh eksperti Paul Bischoff për Reader’s Digest (Nga anglishtja internet, individual, instruct, inform, inspire). “Ai gjithashtu i referohej ‘i’-së si përemër vetor (I) dhe ‘udhëzim’ për qëllime edukative”.

Bischoff shtoi se teknikisht “i”-ja “nuk kishte një domethënie zyrtare” duke ia lënë në dorë interpretimit.

Këtë vit Apple prezantoi gjeneratën e re të celularëve, iPhone 16 dhe programin iOS18. Sistemi operativ funksionon me opsione të Inteligjencës Artificiale, duke i shtuar “i”-së një atribut të ri, inteligjencën.

29 të mbijetuar e 38 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan

29 persona kanë mbijetuar, pasi aeroplani i “Azerbaijan Airlines” shpërtheu në flakë, pasi u rrëzua pranë qytetit Aktau të Kazakistanit, të mërkurën paradite.

Në fluturim ishin 62 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit. 38 nga ta kanë vdekur, sipas zëvendëskryeministrit të Kazakistanit, Kanat Bozumbayev.

Autoritetet kazake thanë se të mbijetuarit, që besohet se përfshijnë dy fëmijë, po trajtohen në një spital. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka thënë se disa janë në gjendje kritike.

Aeroplani ishte nisur nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku, për në qytetin rus të Groznyt në Çeçeni. Sipas vlerësimit fillestar, të dy pilotët kanë vdekur në përplasje, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

 

Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga HAK (Automobil Klub Kroat) rreth 20:00, situata në kufirin Bajakovo, midis Kroacisë dhe Serbisë, është përmirësuar.

Pritjet për pasagjerët me automjete kanë mbaruar.
Në dalje të Kroacisë ka një kolonë kamionësh në autostradën A3 ndërmjet km 301+500 dhe pikës kufitare Bajakovë, në rrugën në drejtim të Lipocit.

Gjithashtu, edhe në Tovarnik, kufiri më i afërt me Bajakovën, momentalisht nuk ka pritje.

Sot, dita e fundit për regjistrim të votuesve nga diaspora

Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht, do të përfundojë sot, më 26 dhjetor 2024.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTKlive se në bazë të të dhënave, nga 29 gusht deri më 25 dhjetor, në orën 13:30, pas aplikimit përmes platformës elektronike janë aprovuar 75,211 kërkesa për regjistrim, ndërsa 4,581 janë refuzuar.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar, duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e riaplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, tha ai.

Sipas tij, nga 75,211 aplikime të aprovuara, 16,876 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 11,769 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 46,566 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, tha Elezi.

 

Pse karikimi i smartfonëve po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm

Një kabllo karikimi në dukje e zakonshme, e njohur si kabllo O.MG, përbën një kërcënim serioz për sigurinë, paralajmërojnë ekspertët e sigurisë kibernetike.

Ryan Montgomery, eksperti i sigurisë kibernetike në Amerikë, paralajmëron për rreziqet e ndarjes së një kablloje karikimi.

“Një kabllo e rregullt e iPhone mund të bëjë kërdi në pajisjen tuaj falë një implanti të fshehur që lejon vjedhjen e të dhënave dhe instalimin e malware”, pohon Montgomery.

Duke demonstruar potencialin e një kablloje të tillë në rrjetet sociale, ai tregoi se si mund të marrë kontrollin e një kompjuteri apo telefoni vetëm me një klikim.

Kablloja O.MG përmban një server në internet, komunikim USB dhe qasje Wi-Fi, duke mundësuar sulme në distancë. Edhe pse duket si çdo kabllo tjetër karikimi, teknologjia e tij e sofistikuar fsheh një implant që mund të funksionojë nga një distancë deri në 90 metra ose për një kohë të pacaktuar nëse lidhet me një rrjet pa tel.

Që nga viti 2019, kur u prezantua për herë të parë dhe që kushton 180 dollarë, kablloja O.MG ka bërë përmirësime të rëndësishme.

Versioni i tij i fundit, “Elite Series”, i lansuar në vitin 2023, përfshin veçori shtesë si nxjerrja e të dhënave dhe pajtueshmëria me portet USB-A dhe USB-C. Edhe pse këto pajisje fillimisht ishin të destinuara për profesionistët e testimit të sigurisë, disponueshmëria e tyre në treg rrit rrezikun e keqpërdorimit, shkruan Daily Mail.

Teknologjia e saj e sofistikuar lejon hakerat të vjedhin të dhëna, të instalojnë malware dhe të kontrollojnë pajisjet nga distanca.

“Brenda çdo kablli është një implant që lejon qasje në distancë në pajisje”, tha Mike Grover, krijuesi i kabllit.

FBI së fundmi lëshoi ​​një paralajmërim serioz për përdoruesit e celularëve dhe kompjuterëve në lidhje me kërcënimet në rritje që lidhen me portat publike USB.

Sipas një njoftimi zyrtar nga viti 2023, kriminelët kibernetikë po përdorin gjithnjë e më shumë këto lidhje në dukje të padëmshme, si një mjet për të depërtuar në pajisje personale.

“Kriminelët kanë zhvilluar metoda të sofistikuara të përdorimit të porteve publike USB, për të futur malware dhe softuer gjurmues në pajisjet e përdoruesve që nuk dyshojnë”, tha FBI në një paralajmërim.

Kjo praktikë, e njohur si “juice jacking”, lejon aktorët keqdashës të fitojnë qasje të paautorizuar në të dhënat personale, informacionin financiar dhe madje të marrin kontrollin e pajisjes.

Ekspertët e sigurisë kibernetike theksojnë se këto rreziqe nuk kufizohen vetëm në portet publike USB, por shtrihen edhe tek karikuesit dhe kabllot e përbashkëta.

Veçanërisht të rrezikshëm janë skenarët në të cilët përdoruesit marrin hua karikues nga persona të panjohur ose përdorin ata që kanë mbetur në vende publike si aeroporte, kafene ose biblioteka.

FBI këshillon përdoruesit që të përdorin karikuesit dhe kabllot e tyre sa herë që të jetë e mundur, dhe të shmangin lidhjen e pajisjeve të tyre me portet publike USB.

Nëse karikimi është i pashmangshëm, rekomandohet përdorimi i baterive portative – përshtatës që bllokojnë transmetimin e të dhënave, duke lejuar vetëm karikimin.

Ekspertët këshillojnë përdoruesit që të përdorin vetëm karikuesit dhe kabllot e tyre dhe të shmangin ndarjen e pajisjeve.

Kablloja O.MG simbolizon kërcënimet e fshehura në teknologjinë e përditshme, por gjithashtu na kujton rëndësinë e informacionit dhe parandalimit në mbrojtjen e të dhënave personale.

Duke pasur parasysh sofistikimin në rritje të kërcënimeve, kujdesi kur përdorni pajisje të tilla nuk është më thjesht një rekomandim, por një domosdoshmëri.

 

 

 

Sa larg mund të shkojë makina në rezervë?

Nëse drita e verdhë në kroskot ndizet, duke sugjeruar që automjeti juaj është në rezervë, disa shoferë do të panikohen dhe disa do të shtrydhin me mjeshtëri pikën e fundit të karburantit nga rezervuari. Kjo nuk rekomandohet, sepse ngasja e shpeshtë në minimum mund të çojë në dëmtimin e pompës së karburantit (ajo nuk lubrifikohet siç duhet), dhe në filtrin e karburantit, i cili mund të futet në papastërti të vogla ose sediment nga fundi i rezervuarit, shkruan HAK Revija.

Ka shumë matje dhe kërkime, por vetëm ju e dini se sa konsumon mesatarisht makina juaj dhe ky është informacioni më i rëndësishëm.

Supozohet se kanë mbetur në rezervë rreth 5 litra karburant, por sasinë e saktë do ta merrni në mënyrën më të thjeshtë. Kur të aktivizohet rezerva, shkoni shpejt në stacionin e karburantit, investoni më shumë para dhe mbushni rezervuarin deri në majë.

Zbrisni atë numër nga kapaciteti i rezervuarit të karburantit të fabrikës (p.sh. 55 minus 49). Keni sasinë e karburantit të mbetur në rezervuarin tuaj pasi ndizet drita. Shikoni konsumin mesatar dhe krahasojeni atë me sasinë e karburantit të mbetur në rezervuar.

Me disa automjete do të udhëtoni më shumë se 70 km në rezervë, me të tjera më pak se 40 km, dhe gjithçka varet nga stili juaj i drejtimit, nëse vozitni në qytet ose në autostradë, ku konsumohet më shumë karburant, ose në rrugë me një kufi prej 80 km/h ku do të jeni më ekonomik.

Ethet dhe temperatura mund të sinjalizojnë disa lloje të kancerit

Temperatura ose ethet mund të jenë një shenjë kryesore që kanceri është përhapur, veçanërisht në rast të kancerit të gjakut

Aftësia e kancerit për të pushtuar indet është një nga forcat kryesore shtytëse pas metastazave ose përhapjes së kancerit në pjesë të tjera të trupit. Një rritje në temperaturën e trupit tuaj mund të jetë një shenjë se një tumor po pushton indet e afërta. Pireksia është termi mjekësor për një temperaturë të ngritur të trupit ose ethe, e cila është një reagim i zakonshëm ndaj infeksionit ose sëmundjes.

Temperatura është më e përhapur në rastet e kancerit të gjakut

Kur pireksia është e pranishme te pacientët me kancer, zakonisht është një shenjë se kanceri është përhapur ose është i avancuar. Sipas Cancer Research UK, “temperatura mund të jetë shumë e pakëndshme dhe të shkaktojë shumë shqetësim për ju dhe ata që kujdesen për ju”.

Ethet në kancere të tjera të zakonshme

Kanceret e zakonshme si kanceri i gjirit, kanceri i mushkërive dhe kanceri i zorrëve kanë më pak gjasa të shkaktojnë ethe. Megjithatë, Cancer Research UK shpjegon se një person me këto lloje kanceri mund të zhvillojë gjithashtu ethe nëse tumori i tij është përhapur në mëlçi. Mund të tregojë gjithashtu se kanceri po shkakton një bllokim diku në trup.

Çfarë e shkakton temperaturën?

Nuk është e qartë pse disa kancere shkaktojnë temperaturë më shumë se të tjerët. Një teori është se disa sëmundje prodhojnë toksina, të cilat mund të shkaktojnë ethe. Sipas Qendrës Gjithëpërfshirëse të Kancerit Roswell Park, pirogjenët mund të kenë një rol në ethet e kancerit. “Një tumor mund të prodhojë pirogjene, të shkaktojë një infeksion që prodhon pirogjene ose të ndërhyjë në funksionimin normal të hipotalamusit.” Një pirogjen është një substancë (organizmat infektivë ose toksinat ose citokinat e produkteve të tyre) që provokon ethe.

Afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës

Temperatura është një shenjë e dukshme e reaksioneve inflamatore që ndodhin në trup, vëren revista Herald Scholarly Open Access. Trupi mund t’i përgjigjet temperatuës duke djersitur, për të ndihmuar që nxehtësia të largohet nga trupi. Kjo është një arsye pse pacientët me kancer shpesh përjetojnë afshe të nxehta dhe djersitje gjatë natës përpara diagnozës.

Kur të shkoni te mjeku?

Është më mirë të mos injoroni temperaturën e vazhdueshme dhe të konsultoheni me mjekun tuaj sapo ta përjetoni atë. Trajtimi i hershëm i një infeksioni çfarëdo ose etheve mund të parandalojë komplikime më serioze në të ardhmen. Është e rëndësishme të theksohet se në pacientët me kancer që marrin trajtim, pireksia ose ethet mund të jenë një efekt anësor i mjekimit, në vend që të jetë një simptomë e sëmundjes.

Kosovë: Qeveria u mundëson të heqin dorë atyre që nuk duan ti marrin shtesat për fëmijë 

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se për ata që nuk dëshirojnë të marrin shtesat për fëmijë dhe pensionistë është përgatitur një formular online. Secili që dëshiron vullnetarisht të heqë dorë nga këto shtesa mund ta plotësojë atë.

“Shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë janë mirëpritur nga shumë qytetarë. Por ka edhe prej atyre që deklarojnë se shtesat e tilla ata nuk do duhej t’i merrnin sepse nuk kanë nevojë. Për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit të shtesës së njëhershme prej 100 euro për fëmijë e për pensionistë, kemi përgatitur formularin online ku secili që dëshiron vullnetarisht të heq dorë, mund ta bëjë këtë për 2 minuta, duke plotësuar formularin”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Formulari online https://see.rks-gov.net

 

 

 

 

 

 

Kur gjermanët nuk blejnë dot dhuratat e Krishtlindjeve

Në ditët e krishtlindjeve hendeku mes të varfërve dhe të pasurve bëhet më i dukshëm. Disa mezi i përballojnë dhuratat, të tjerët rrinë në radhë para dyqaneve luksoze.

14 milionë njerëz në Gjermani konsiderohen të varfër, kurse për një pjesë paratë nuk kanë rëndësi. Kontrasti bëhet i dukshëm sidomos tani në ditët e krishtlindjeve. Këtë e përjetoi këto ditë, Sandra Schlensog. Ajo ka dalë vetëm për të shëtitur nëpër tregun e Krishtlindjeve në Karlsruhe, sepse nuk mund të blinte asgjë, pasi nuk mund t’i përballojë çmimet. “Një palë çorape të thurura me dorë për 15 euro? Kjo është utopike,” thotë 46-vjeçarja, duke e vënë palën që mban në dorë sërish në vend.

Sandra Schlensog merr ndihmën sociale të njohur si “paratë për qytetarin” dhe gjithashtu punon tetë orë në javë në një qendër për të sëmurët mendorë. Me kohë të plotë ajo nuk mund të punojë për shkak të problemeve shëndetësore. Paratë nuk i dalin asnjëherë – por sidomos në kohën e Krishtlindjes e ndjen shumë gjendjen e saj financiare. “Thjesht nuk ka dhurata të shtrenjta,” thotë ajo: “Dhe as në tregun e Krishtlindjeve nuk ka salsiçe skare”.

Çantë dore për 700 euro

Për blerjen e një salçiçeje, askush në “Dorotheen Quartier” të Shtutgartit nuk e vret mendjen. Rruga e njohur e blerjeve në kryeqytetin e landit, Baden-Vyrtemberg me dyqanet e saj elegante ka klientelë të fortë. Tek Louis Vuitton, çmimet për çantat kapin zakonisht katër shifra, megjithatë ende ka radhë para dyqanit gjatë periudhës para krishtlindjeve. Këtu, ndër shumë të tjerë, është edhe Thomas Gudd. Ai dëshiron të blejë një çantë për të dashurën e tij: “Duhet të jetë diçka e veçantë këtë vit”.

Kurse çanta që Manfred Holzknecht blen për gruan e tij është edhe më e lirë për standardet e këtushme: 700 euro. “Gratë thjesht i duan çantat”, thotë ai. “Nëse jeni i martuar për një kohë të gjatë, duhet ta bëni sërish të lumtur gruan tuaj”. Kjo vlen edhe jashtë sezonit të Krishtlindjeve, thotë gruaja e tij Katharina: “Thjesht blen diçka herë pas here për gëzim të vogël”.

Ta bësh vetë dhuratën jo ta blesh

Për Sandra Schlensog, blerjet jashtë radhe nuk janë të mundshme as në Krishtlindje. Prandaj ajo dhuron sende të bëra vetë si biskota apo kapele të thurura. Ajo bën vetëm një përjashtim për djalin e saj 16-vjeçar: gjithë vitin ajo ka kursyer për dhuratën e tij të Krishtlindjes. “Tani që kam punë me kohë të pjesshme, mund të lë mënjanë dhjetë apo 15 euro në muaj”, thotë ajo. Kjo do të thotë se ajo kursen rreth 150 euro në vit. Paratë që ajo i përdori edhe për të financuar dhuratën e Krishtlindjes për djalin e saj.

Mbi të gjitha, ai dëshiron veshje. Në dollapin e tij gjen vetëm gjërat “të domosdoshme”, thotë nëna e tij: dy pulovra, disa bluza, një palë xhinse – “xhinset e tjera ia ka veshur”, thotë nëna. Në apartamentin e saj me qira letra e murit bie nga muret. “Në fakt, kjo duhet të ribëhet dhe të lyhet”, thotë Sandra Schlensog. Por ata nuk kanë para të mjaftueshme për këtë. Mobiljet tregojnë gjithashtu moshën e tyre: nga një kolltuk ka dalë sfungjeri nga një çarje edhe divani 17-vjeçar është i varur. “Ky ishte shtrati im për një kohë të gjatë,” thotë Sandra Schlensog. Tani ajo ka sërish një shtrat të vërtetë, falë një donacioni.

Vizitat e atraksioneve kushtojnë

Sandra Schlensog dhe djali i saj nuk janë raste përjashtuese në Gjermani: Shoqata e Përgjithshme e Barazisë e Bamirësisë (Paritätische Wohlfahrtsverband) numëron 14 milionë njerëz si të varfër. Shumë njerëzve varfëria iu bëhet veçanërisht e qartë kur fillon sezoni i Krishtlindjeve. Megjithatë, Sandra Schlensog i pëlqen Krishtlindjet: “Unë përpiqem për sa më shumë komoditet”, thotë ajo. Megjithatë do të donte të kishte para një ose dy “lukse” të vogla, siç thotë ajo, si për shembull një udhëtim me karusel në tregun e Krishtlindjeve. “Mendoj se është bukur, sidomos në mbrëmje”. Por një udhëtim kushton gjashtë euro për të rriturit. “Kjo është thjesht tepër e shtrenjtë,” thotë Sandra Schlensog: “Nuk e paguaj dot.”/DW/

 

 

Turqia dënon me nga 18 vjet burg pronarit dhe arkitektit të ndërtesës që u shemb nga tërmeti në vitin 2023

Në Turqi ka përfunduar gjyqi ndaj Ahmet Bozkurtit, pronarit të hotelit që u shemb në vitin 2023 kur vendi u godit nga një tërmet shkatërrues.

Bozkurt u dënua me 18 vjet e pesë muaj burg dhe të njëjtin dënim mori edhe arkitekti i godinës Erdem Yilmaz. Djali i Bozkurtit, Mehmeti u dënua me 17 vjet e katër muaj prapa hekurave.

Tre burra u dënuan për “shkaktim të vdekjes ose plagosjes së më shumë se një personi nga pakujdesia me dashje”. Në hotel ndodheshin 72 persona dhe të gjithë vdiqën në vend, shkruan bbc.

Hoteli Isias funksionon që nga viti 2001, por sipas analizave shkencore, zhavorri dhe rëra nga lumi lokal u përzien me materiale të tjera ndërtimi për të formuar shtyllat që mbështesin ndërtesën.

Ishte një nga hotelet më të famshëm në Adiyaman, por u shemb në pak çaste.

Më shumë se 50 mijë njerëz kanë vdekur në një seri tërmetesh shkatërruese që kanë goditur Turqinë dhe Sirinë. Rreth 160 mijë ndërtesa u shembën dhe 1.5 milion njerëz humbën shtëpitë e tyre.

Fundviti rrit çmimet e ushqimeve nëpër botë

Çmimet e ushqimeve në botë po rriten këtë fund-vit. Matjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara tregojnë se në nëntor, indeksi shtrenjtësisë u rrit në 127.5 pikë. Në raport me tetorin ky tregues është zgjeruar me 0.9 pikë.

Ndikimin më të madh në zgjerimin e indeksit në nivelin më të lartë në 19 muaj e ka dhënë shtrenjtimi i vajrave bimore. Po sa rrezik ka që këto efekte të përcillen edhe në Shqipëri në prag të festave të fund-vitit? “Rritja e këtij produkti është nxitur nga shqetësimet për rendiment më të ulët se që pritej të vajit të palmës për shkak të reshjeve të shumta në Azinë Juglindore. Nuk duhet të shqetësohemi. Tregtarët kanë gjetur tregje të reja. Madje në dijeninë time një anije është duke ardhur”, tha Theodhor Kristuli nga Unioni Agroushqimor Shqiptar, transmeton A2 përcjell albinfo.ch

Bashkë me vajrat, edhe qumështi dhe nën-produktet e tij po vijojnë të jenë të shtrenjta në botë. Sipas matjeve të FAO, indeksi i çmimeve te kjo kategori produktesh muajin e shkuar u rrit në 139.9 pikë nga 139 pikë në tetor. Kjo pritet të reflektohet shpejt edhe në tregjet e vendit për shkak të varësisë së lartë nga importi për këto kategori produktesh.

“Fermeri nuk mund të prodhojë për patriotizëm. Kur kostot e prodhimit janë të larta, rrjedhimisht nuk ka leverdi. Serbia nga ku ne importojmë i ka rritur çmimet e qumështit dhe nën-produkteve të rij e rrjedhimisht te ne do vijë më shtrenjtë”, tha Kristuli.

Ndonëse në rritje me fillim-vitin, çmimet e mishit dhe nënprodukteve të tij u zbutën lehtë në nëntor. Indeksi i çmimeve te kjo kategori produktesh muajin e shkuar ra në 118.1 pikë nga 119.1 pikë në tetor. Për njohr njohës të tregtisë së jashtme, në prag të fundvitit qeveria duhet të ndërhyjë duke ulur tatimin mbi vlerën e shtuar në import me qëllim parandalimin e shtrenjtimit të çmimeve në vend.

“Qeveria ka arkëtuar shumë para nga TVSh në import. Nuk ka kuptim që arka e shtetit të mbushet kaq shumë e qytetarët të mbajnë barrën. Duhet disi lehtësi”, tha Theodhor Kristuli, Unioni Agroushqimor Shqiptar.

Sipas vlerësimeve Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin, çmimet pritet të rriten edhe gjatë vitit të ardhshëm duke rrezikuar rikthimin e valës së inflacionit në botë.

Pas zgjedhjeve të janarit, Kroacia nis procedurat për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Në Kroaci, pas zgjedhjeve presidenciale të janarit të vitit 2025, do të fillojë procedura ligjore për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërsa thirrjet për rekrutët priten të fillojnë në mes të vitit 2025, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë. Sipas një deklarate të Ministrisë, janë përgatitur propozime ligjore për të rregulluar trajnimin bazë ushtarak dhe çështje të tjera të lidhura me zbatimin e shërbimit ushtarak.

Procedura për miratimin e ligjit do të fillojë në janar 2025, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiç, ka sqaruar se rekrutët do të stërviten në tre lokacione të ndryshme. Sipas tij, çdo vit, mes 17,000 dhe 18,000 të rinj që mbushin 18 vjeç do të jenë kandidatët për trajnimin bazë ushtarak. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një vizite në kazermat e Bjelovarit, transmeton euronews përcjell albinfo.ch.

Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, i cili është edhe komandanti suprem i forcave të armatosura, nuk e ka kundërshtuar drejtpërdrejt rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Megjithatë, ai ka kërkuar që kjo temë të diskutohet në një seancë të Këshillit të Mbrojtjes. Milanoviç theksoi se një vendim të tillë nuk mund ta marrë një individ politik, por duhet të jetë një marrëveshje e qeverisë kroate të zgjedhur demokratikisht. Ai kërkoi që të mbahej një mbledhje e Këshillit të Mbrojtjes, për të arritur një konsensus, para se të jepen urdhra për implementimin e shërbimit të detyrueshëm.