Ligjvënësit në parlamentin e Republikës Serbe të Bosnjës urdhëruan të mërkurën përfaqësuesit serbë në institucionet qendrore të bllokojnë vendimmarrjen dhe reformimin ligjeve të nevojshme për integrimin e vendit ballkanik në Bashkimin Evropian, në një veprim që nxiti reagimin e diplomacisë perëndimore.
Një seancë urgjente e parlamentit u thirr të martën në mbrëmje për të diskutuar atë që u quajt “degradim i sistemit ligjor” në lidhje me një proces ndaj Presidentit të Republikës Serbe Milorad Dodik, në gjykatën shtetërore të Bosnjës.
Milorad Dodik, udhëheqësi pro rus i serbëve të Bosnjës po gjykohet për kundërshtim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar i cili mbikëqyr paqen në vend, që u vendos me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës së viteve 1992 – 1995.
Ligjvënësit thanë se gjyqi është “politik” dhe siç thanë, i bazuar në “vendimet e paligjshme”, të të dërguarit Christian Schmidt dhe të gjykatës e prokurorisë shtetërore, të cilat ata i konsiderojnë si jokushtetuese, sepse ato u krijuan nga i Përfaqësuesi i Lartë dhe jo nga Marrëveshja e Dejtonit. .
Përfundimet e tilla nxitën reagimin e diplomatëve të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë si dhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, të cilët thanë në një deklaratë të përbashkët se ato paraqesin kërcënim për rendin kushtetues të Bosnjës.
Si të tilla, thuhet në deklaratë, ato janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit dhe dëmtojnë autoritetin e institucioneve, sundimin e ligjit në nivel shtetëror dhe rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Sipas deklaratës, të gjitha ligjet dhe përfundimet e miratuara nga mekanizma më të ultë, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe asnjë entitet nuk ka autoritetin të sfidojë ligjet ekzistuese dhe institucionet e Bosnjës.
Në deklaratë thuhet se në kohën kur është afër mundësia e hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, rikthimi i bllokadave politike do të kishte pasoja negative për të gjithë qytetarët e Bosnjës, shumica e të cilëve mbështesin anëtarësimin në bllok.
Diplomatët i shprehën mbështetje sovranitetit, pavarësisë, tërësisë tokësore dhe karakterit shumetnik të Bosnjës si dhe Përfaqësuesit të lartë, i cili, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, është interpretuesi i fundit i aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes.
Me Marrëveshjen e Dejtonit, Bosnja u nda në dy rajone autonome, Republika Serbe dhe një Federatë e dominuar nga kroatët dhe boshnjakët, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore. Kjo siguroi paqen, por e la Bosnjën jofunksionale si shtet.
Që nga viti 2017, Milorad Dodiku është nën sanksionet amerikane për shkak të përpjekjeve të tij pë ndarjen e Republikës Serbe me synimin për ta bashkuar atë me Serbinë fqinje.
Pas një periudhë pengesash politike në përpjekjet për anëtarësimin në BE, vitin e kaluar udhëheqësit e bllokut ranë dakord të hapin negociatat, sapo vendi të përmbushë reformat e nevojshme./VOA