Një projekt për lehtësimin e hyrjes së të huajve në tregun e punës
Shteti dhe ekonomia duan ta shfrytëzojnë dhe promovojnë potencialin për punë të popullatës me prejardhje të huaj.
E martë, 27 Janar 2015 - 16:00
albinfo.ch
Një përvojë të mirë në këtë drejtim e ka bërë projekti i Dialogut për Integrim TAK “Arbeiten-Chancen geben, Chancen nutzen” (Dhënia dhe shfrytëzimi i shansit për punë)
Partnerët e projektit në fjalë, në takimin që kanë pasur të hënën kanë tërhequr një bilanc pozitiv. Nga fillimi i këtij dialogu nga konferenca trepalëshe e aglomeracioneve (TAK) në tetor të vitit 2012, shteti, federatat e punëdhënësve dhe partnerët socialë të disa degëve kanë realizuar projekte të ndryshme për të shfrytëzuar më mirë potencialin e migrantëve që jetojnë këtu dhe për të promovuar integrimin e tyre në vendin e punës.
Kryetari i TAK, Guy Morin, në emrin e partnerëve të dialogut ka bërë një bilanc duke thënë se “është arritur sukses të intensifikohet bashkëpunimi shtet-privat për të realizuar objektivat konkrete që i kemi vendosur në vitin 2012.
Integrim më i lehtë në punë, falë një neni të ri në kushtetutë
Partnerët e dialogut synojnë rekrutimin më të fuqishëm të fuqisë punëtore brenda vendit dhe në këtë kontekst të kenë parasysh edhe popullatën e huaj me qëndrim në Zvicër. Presidentja Sommaruga me këtë rast e ka dhënë edhe një sqarim të arsyes për një synim të tillë. “Ka shumë njerëz që me dëshirë do të punonin. Në mesin e tyre janë edhe shumë refugjatë dhe azilkërkues me qëndrim të përkohshëm (F). Integrimi i tyre në tregun e punës, që nga miratimi i nenit 121a në Kushtetutën Federale, është bërë më i rëndësishëm: potenciali i fuqisë punëtore në Zvicër duhet të shfrytëzohet dhe të promovohet më shumë”.
Sekretariati për Migracion mbështet prej vitesh projekte për të integruar në tregun e punës popullatën e këtushme me prejardhje të huaj. Më i riu është një projekt i Kryqit të Kuq Zviceran, i cili fillon në këtë pranverë. Përmes tij, migrantët dhe refugjatët do të mbështeteshin me kurse gjuhësore sipas specifikave profesionale. Kështu, për shembull ata do të aftësohen për ta kryer me sukses kursin e ndihmës së parë të Kryqit të Kuq, duke i shtuar kështu shanset e tyre për tregun e punës.
Punëdhënësit ndihmojnë integrimin
Hans-Ulrich Bigler, drejtor i Federatës Zvicerane të Tregtisë, duke sqaruar në emrin e partnerëve ekonomikë ka thënë se “punëdhënësit luajnë një rol qendror në procesin e integrimit”. Për këtë arsye punëdhënësit dhe federatat e tyre sipas degëve, rrisin shfrytëzimin e medieve të tyre për të përhapur informata lidhur me këtë proces. Veç kësaj, integrimi dhe komunikimi ndërkulturor në arsimimin e kuadrove drejtues është trajtuar në mënyrë më të thelluar. Si shembull, në GastroSuisse kjo ka filluar nga viti 2013 ndërsa në hotelleriesuisse nga ky vit. Sipas tij, ekonomia dëshiron po ashtu të japë kontributin e saj që të integrojë më shumë refugjatë në tregun e punës, si për shembull me kursin “Perspektive Bau” në kantonin e Lucernit, i cili është realizuar në bashkëpunim me federatën e ndërtimtarëve të kantonit. Ndërkaq, Swisstaffing në pranverën që vjen do të konkretizojë projektin e vet në këtë drejtim.
Gjermanishtja në kantier
Roland A. Müller, drejtor i Federatës Zvicerane të Punëdhënësve, duke bërë fjalë për projektet e dialogut të ekonomisë për nxitjen e mësimit të gjuhës ka konstatuar se “gjuha është një faktor i rëndësishëm i integrimit në vendin e punës dhe në jetën e përditshme. Në këtë kontekst ai ka përmendur projektin “Deutsch auf der Baustelle” (gjermanishtja në kantier) të realizuar nga partnerët socialë në ndërtimtari. Si në vitin 2014 edhe këtë vit pritet që rreth 400 punëtorë të ndërtimtarisë të ndjekin një kurs me qasje praktike të profesionit. Në rast se do të ketë kërkesa të mjaftueshme, projekti mund të bartet gjatë vitit 2015 edhe në Zvicrën Perëndimore (frankofone). Partnerët socialë në gastronomi dhe hotelieri nga ana e tyre kanë rritur numrin e leksioneve të gjuhës në kursin bazik kualifikues “Progresso”. Partnerët e dialogut kanë përpiluar një fletëpalosje me këshilla për KMU (ndërmarrjet e vogla dhe te mesme) që ato të mbështesin mësimin e gjuhës në përditshmërinë e punës të punëtorëve të tyre me prejardhje të huaj.
Kantonet, qytetet dhe komunat të ndihmojnë integrimin përmes punës
Për të shfrytëzuar potencialin e fuqisë punëtore vendore, partnerët e Dialogut janë përqendruar në dy pika kryesore, ka thënë Jean-Michel Cina, kryetar i Konferencës së Qeverive Kantonale (KdK). Në të parën, ata duan të kihet parasysh se arsimimi profesional bazik për të rritur merr në konsideratë nevojat e fuqisë punëtore me prejardhje të huaj që ka bazë të ulët arsimore. Kryerja e një profesioni me kërkesat e tij për njohje të gjuhës dhe për mësimin e pavarur u nxjerr personave të rritur shumë pengesa në rrugë, pengesa që nuk mund të tejkalohen pa pasur mbështetje. “Në pikën e dytë, nevojitet që në tregun e punës të inkuadrohen më shumë refugjatë dhe azilkërkues të pranuar përkohësisht. Federata dhe kantonet janë në rrugë e sipër t`i heqin pengesat administrative (si për shembull, vendosja e një procedure të thjeshtësuar të dhënies së lejes për punë)”, ka sqaruar Cina. Veç kësaj, partnerët e dialogut janë treguar të gatshëm që këtë kategori personash ta ketë më shumë në konsideratë me rastin e punësimit.
Kurt Fluri, kryetar i Federatës së Qyteteve Zvicerane (SSV)ka thënë, se për shkaqe socialpolitike duhet të arrihet që refugjatët dhe azilkërkuesit me pranim të përkohshëm (F) të integrohen më mirë në tregun e punës. “Atje ku munden, qytetet dhe komunat duhet të ecin përpara duke dhënë shembullin e mirë. Kjo për faktin se ato janë vetë punëdhënëse të rëndësishme, në fushën e shëndetësisë dhe përkujdesjes apo në pastri dhe mirëmbajtje, ka thënë Fluri duke folur edhe në emrin e SGV-së (federatës së Komunave).
Më tutje, politika lokale dhe tregtia duhet të bashkëbisedojnë për të diskutuar çështje integrimi si për shembull në lidhje e trajnimin profesional. Kjo, në rastin ideal vepron si një motor i integrimit. “Ai që e kupton se përmes njohurive të reja mund të kontribuojë më shumë, merr edhe më shumë përgjegjësi në punë dhe në shoqëri.