Bota

Coca Cola, edhe me kanabis!

Interesi i mundshëm i Coca Cola në sektorin e marihuanës vjen pasi shumë nga prodhuesit e pijeve po përpiqen ta shtojnë kanabisin si një përbërës në “modë”, duke qenë se bizneset e tyre tradicionale po ngadalësohen

Kompania më e madhe e pijeve në botë mund të jetë industria gjigande e radhës që do të hyjë në biznesin e pijeve të kanabisit.

Kompania e Coca-Cola thotë se është duke monitoruar industrinë e re dhe është e interesuar në “CBD”, përbërësin për pijet jo-psikoaktiv në marihuanë. Prodhuesi i pijeve me bazë në Atlanta është në bisedime me prodhuesin kanadez të marihuanës Aurora Cannabis Inc. për të sjellë në treg pije të reja.

Interesi i mundshëm i Coca Cola në sektorin e marihuanës vjen pasi shumë nga prodhuesit e pijeve po përpiqen ta shtojnë kanabisin si një përbërës në “modë” duke qenë se bizneset e tyre tradicionale po ngadalësohen, shkruan ‘Scan’.

Muajin e kaluar, prodhuesi i birrës Corona, Constellation Brands Inc. lajmëroi se do të shpenzonte 3.8 miliardë dollarë për të rritur aksionet e tij në Canopy Growth Corp, prodhuesin kanadez të marihuanës me një vlerë që tejkalon 13 miliardë dollarë, përcjell albinfo.ch.

Coca-Cola tashmë është duke u diversifikuar, pasi konsumi i sodës vazhdon të bjerë. Kompania, me markat e saj ikonë që variojnë nga Coca-cola  deri tek Sprite, njoftoi se do të blinte zinxhirin e “Coffe shopeve” Costa për 5.1 miliardë dollarë në gusht dhe e ka zgjeruar veprimtarinë e saj në produkte të tjera, duke përfshirë lëngun, çajin dhe ujin mineral.