Shqipëria

CNN shkruan për Shqipërinë: Sekret që ruhet mirë dhe vend me çmime të lira

Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, rekomandon media amerikane

Shumë më pak e njohur nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria është ende një sekret që ruhet mirë mes udhëtarëve të zgjuar, por që nuk ka shumë gjasa që të qëndrojë e tillë për një kohë të gjatë, shkruan mes tjerash transmetuesi amerikan Cnn.

“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po e zbulojnë tani bregdetin shqiptar”, thotë Alan Mandiç i kompanisë “Secret Dalmatia”.

“Ajo është përrallore dhe është tepër e lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra dhe plazhet, këtu ndodhet gjithçka”, thekson ai.

Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, dhe Himara e Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët me çmime shumë të lira, të kapur direkt nga deti Jon, ndërkohë që jeni duke vështruar hapësirën e tij vezulluese.