Turizëm

Çmimet në Himarë: Sa shpenzohet për fjetje dhe ushqim

Himara është një vend më pak i frekuentuar nga turistët që vijnë nga Kosova, edhe pse në rrethinë ngërthen plazhet me të mira të bregdetit shqiptar. Çmimet e dhomave dyshe në këtë pjesë sillen nga 20 deri në 30 euro, ndërsa ato më ekskluzive dhe me pamje të veçantë shkojnë deri në 50 euro për natë, transmeton Gazeta Metro.

Aty mund të gjeni edhe hostele për turistët që kërkojnë akomodim të lirë, të cilat kanë një çmim prej 12 euro e më lart për natë.

Ndërsa, për personat që e duan luksin, pishinat dhe investimet infrastrukturore, është Rapo Resor me 5 yje, ku nata për një çift, me mëngjes, kushton rreth 100 euro.

Ndryshe, në qytezën e Himarës ushqimi është pika e fortë që ofron shije tipike mesdhetare nga kuzhina shqiptare, greke dhe italiane.

Një byrek tipik i Shqipërisë së Jugut kushton vetëm 100 lekë, i cili zakonisht shoqërohet me dhallë, e cila kushton rreth 70 lekë. Që të dyja këto, së bashku kushtojnë më pak se 1 euro e 40 cent, e që përbën mëngjesin më të lirë.

Dreka me kallamari, midhje apo pasta nuk e kalon shumën e 5 euro apo 600 lekë për një person, ndërsa birrat e ftohta sillen nga 120 deri në 200 lekë, apo nga 1 deri në 2 euro.

Për ata që e duan mishin në hell, Himara ofron edhe giros sufllaqe, apo dyner grek me mish derri dhe pule, që nuk e kalon çmimin prej 190 lekë apo 1 euro e 50 cent.

Sidoqoftë, çmimet janë gati 30 për qind më të lira se në Dhërmi, dhe pak më lirë se në Sarandë.

Ndërsa, nikoqirët e qetë dhe mikpritës himariotë në fund i japin një zemër të ngrohtë këtij vendi të lashtë që kështjellën e ka të ndërtuar nga antika dikur 1300 vjet para Krishtit. Me një fjalë, Himara është e lirë në krahasim me atë çka ofron.