Lajme

Çmimet e ushqimit nëpër botë, më të lartat në 10 vjetët e fundit

Alarmimi rreth rritjes së çmimeve vjen nga Agjencia e Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, FAO

Çmimet botërore të ushqimit janë rritur për të tretin muaj radhazi në tetor, duke prekur nivelin më të lartë në 10 vjet, nxitur përsëri nga rritja e drithërave dhe vajrave, sipas agjencisë së ushqimit të Kombeve të Bashkuara, FAO.

Në një njoftim për media FAO njofton se, indeksi i çmimeve të ushqimit i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë, që ndjek çmimet ndërkombëtare të lëndëve të para ushqimore më të tregtuara në botë, arriti në një mesatare prej 133.2 pikë në muajin e kaluar, krahasuar me një rishikim prej 129.2 për shtatorin. Treguesi për tetorin ishte më i lartë që prej korrikut 2011.

Me bazë vjetore, indeksi që mat çmimet botërore të ushqimit, u rrit me 31.3 % në tetor.  Çmimet e lëndëve të para bujqësore janë rritur shpejtë nxitur nga problemet me të korrat dhe kërkesa e fortë. Indeksi i drithërave i Organizatës u rrit me 3.2 % në tetor nga muaji i kaluar, nxitur nga një rritje me 5 % e çmimit të grurit, që është rritur për të 5-tin muaj radhazi.

“Disponueshmëria më e ulët në tregjet botërorë për shkak të të korrave më të vogla në eksportuesit kryesorë, veçanërisht në Kanada, Rusi dhe Shtetet e Bashkuara, kanë vazhduar të shkaktojnë presione tek çmimet”, deklaroi FAO në lidhje me grurin.

Sipas njoftimit të FAO-s, çmimet botërore të vajrave vegjetalë u rritën me 9.6 % gjatë muajit, në një rekord të lartë, nxitur nga fuqizimi i mëtejshëm i vajit të palmës, ndërkohë që mungesa e punëtorëve në Malajzi, ka vazhduar të cenojë prodhimin. Në kontrast, çmimi botëror i sheqerit u zbut me 1.8 % në tetor, duke përfunduar rritjen për 6 muaj me radhë.