Lajme

Çka thonë sondazhet para referendumit për ligjin e Covid në Zvicër

Shifrat më të fundit të sondazhit tregojnë se legjislacioni i diskutueshëm i Zvicrës për koronavirusin do të pranohet në një referendum më 28 nëntor

Çështja e rolit të qeverisë në menaxhimin e pandemisë ka ngjallur shumë polemika në Zvicër, duke çuar në një referendum të dytë për këtë çështje në harkun kohor prej katër muajsh. Akti Covid, i cili i jep qeverisë federale kompetenca të gjera për të menaxhuar pandeminë, u miratua tashmë nga një referendum i mëparshëm më 13 qershor, përcjell albinfo.ch.

Të dielën, votuesit janë thirrur të vlerësojnë versionin e ligjit të rishikuar nga parlamenti më 19 mars në lidhje me certifikatën Covid, të cilën Zvicra filloi ta lëshojë më 7 qershor për njerëzit që janë vaksinuar plotësisht, të shëruar nga koronavirusi ose të testuar negativ për sëmundjen. Mbështetësit e ligjit, duke përfshirë shumicën e partive politike si dhe Këshillin Federal, thonë se kërkesa për certifikatë bën të mundur shmangien e mbylljeve dhe ndalimeve në rast të një shpërthimi të ri të pandemisë dhe pakëson presionin mbi sistemin e kujdesit shëndetësor.

Përveç kësaj, certifikata është thelbësore për udhëtime jashtë vendit, përcjell tutje albinfo.ch.

Kundërshtarët, nga ana tjetër, pretendojnë se kërkesa për certifikatë që është aktualisht në fuqi deri në të paktën 24 janar 2022, krijon diskriminim dhe ndarje brenda shoqërisë, duke detyruar në mënyrë implicite vaksinimin dhe “qasjen e shtetit në trupin tonë”.

Edhe pse kundërshtarët e kanë rritur fushatën e tyre në javët e fundit duke demonstruar në rrugë në qytetet anembanë Zvicrës, duket se kauza e tyre nuk do të fitojë shumicën e votave në kutinë e votimit.

Kështu tregojnë sondazhet e fundit

Mbështetësit e ligjit Covid po mbajnë një epërsi të qëndrueshme dhe të rehatshme, me më shumë se 60 për qind të votuesve në favor të legjislacionit, sipas një sondazhi të publikuar nga Korporata Zvicerane e Transmetimeve javën e kaluar. Një rezultat i ngjashëm del nga një sondazh i publikuar nga grupi mediatik Tamedia në mes të nëntorit: 68 për qind e të anketuarve thanë se janë pro ligjit, ndërsa 31 për qind janë kundër.

“Nëse e zbërtheni nga parti të ndryshme, ju merrni një pamje shumë të qartë”, tha Tamedia, duke theksuar se përqindja më e vogël e mbështetësve, 36 për qind, janë në Partinë Popullore Zvicerane (SVP) të krahut të djathtë.

Të gjitha partitë e tjera janë qartësisht në favor të ligjit: 74 përqind e Liberalëve (PLR), 76 përqind e të Gjelbërve, 81 përqind e Qendrës, 85 përqind e Social Demokratëve dhe 88 përqind e Liberalëve të Gjelbër.

Të dy sondazhet tregojnë gjithashtu mbështetje për një çështje tjetër të votuar në referendumin e së dielës – një propozim për të përmirësuar kushtet e punës për infermierët.

Kjo nismë parashikohet të pranohet nga 67 për qind e votuesve në sondazhin e RSS dhe 72 për qind sipas Tamedia’s.

Referendumi i së dielës mund të arrijë një nga pjesëmarrjet më të larta në historinë zvicerane, me anëtarët e kampit “po” dhe “jo” që pritet të votojnë në numër rekord.

Bazuar në votimin e hershëm me postë, pritet një përqindje 75 përqind e pjesëmarrjes, e cila do të ishte vetëm disa pikë përqindje më e ulët se nota më e lartë ndonjëherë për një referendum në historinë zvicerane: 78.7 përqind për referendumin për anëtarësimin në Zonën Ekonomike Evropiane në 1992.