Zhvillim

Çka presin turistët nga Kosova dhe çka u ofron Kosova atyre

Burim Hasaj nga Dardania Travel ka vendosur që përveç Diasporës të fillojë që udhëtimet për në Kosovë t`i ofrojë edhe për pjesën tjetër të Zvicres. Me një përvojë të gjatë në biznesin e udhëtimeve, Burimi ka bërë një ofertë për tregun zviceran, ku do të përfshihej vizita në Kosovë dhe Shqipëri. Tash, Burimi është në pritje të mysafirëve të mundshëm. Është viti i tij i parë dhe përshtypja e tij është se çmimet janë të larta.

Konkurrimi me çmim nuk është edhe shumë i lehtë, në krahasim me disa oferta “last minute” në tregun e Zvicrës për vende të ndryshme të botës. “Këto udhëtime janë të natyrës profesionale, gjegjësisht klientët që udhëtojnë në këto ture synojnë të njihen me Kosovën dhe Shqipërinë”, thotë Hasaj. “Ajo që vlen të theksohet është se kemi të bëjmë me një punë të lodhshme. Pritja e njerëzve është se po shkojnë në një vend me çmime të lira. Mirëpo çmimet atje nuk jane të ulëta”, shton Hasaj.

Mirëpo Hasaj nuk është personi i vetëm që bën këtë punë. Kosova është pjesë e shumë ofertave rajonale të kompanive të ndryshme botërore, ku vizita në Ballkan përfshin edhe dy deri tri ditë në Kosovë. Sipas rezultateve të para të një studimi të projektit PPSE, i zbatuar nga swisscontact, Riinvest dhe PEM Consult si dhe i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim në Kosovë, ofertat për vizitën në Ballkan janë të pranishme në shumicën e vendeve evropiane.

“In Bound turizmi”, një shans i mirë i Kosovës

Këto oferta, sipas studimit që pritet të botohet, përfshijnë tri lloje të turizmit, vizitat në qytete, që dominojnë ofertën e agjencive të mëdha, vizitat në monumentet historike që dominohet nga vizita në manastiret ortodokse dhe ofertat në Bjeshkët e Nemuna që në të shumten ofrohen nga agjencitë rajonale. Raporti do të sjellë edhe informata të tjera rreth çmimeve që ofrohen nga agjencitë e ndryshme si dhe pengesat që Kosova të përfshihet në më shumë ture rajonale.

Përkundër pranisë së Kosovës në disa oferta, vizitat mbesin të pakëta. Industria e in bound turizmit në Kosovë mbetet shumë e vogël, dhe në të shumtën e bazuar në kompani të vogla që këtë punë e bëjnë më shumë nga pasioni se sa motivimi për profit. Sa i përket udhëtimeve, tregu kosovar mbetet i dominuar nga fluturimet në shërbim të Diasporës, dhe me udhëtimet në Shqipëri, Turqi apo Bullgari.

Turizmi in bound mbetet i pazhvilluar dhe i bllokuar me pengesa të ndryshme duke filluar nga çmimet e biletave që janë më të shtrenjtat në rajon. Operatorët ajrorë lowcost si Wizz Air dhe politikat e Republikës së Maqedonisë kanë bërë që çmimet e fluturimeve në Maqedoni të bien shumë ulët. Një fluturim nga Frankfurti për në Shkup kushton prej 29 Euro, ndërsa në datë të njëjtë për në Prishtinë ai kushton 134 euro. E njëjta gjë vlen edhe për një fluturim nga Bazeli që për Shkup kushton 29 euro ndërsa për Prishtinë shkon në 80, për shërbimin e ngjashëm low cost.

Çmimet e larta, dekurajuese

Mirëpo këto dallime në çmime që janë llogaritur për muajin maj, nuk janë asgjë në krahasim me çmimet e biletave që për Kosovë në sezonin e pushimeve, për vendet si Zvicra shkojnë deri në 500 euro në një drejtim. Kjo dukuri e çmimeve të larta nuk përfshin vetëm operatorët vendorë kosovarë por edhe ata të huaj, qofshin low cost apo fluturime të rregullta. Kjo barrierë kombinohet me barrierat tjera të udhëtimit që i ka Kosova duke përshirë këtu edhe mungesën e kartonit të gjelbër. Një turist që dëshiron të futet në Kosovë me veturë duhet të paguaj sigurim shtesë pasi Qeveria e Kosovës ka ngecur në realizimin e kartonit të gjelbër.

Një operator sllovak që Ballkanin e konsideron si tregun kryesor të tij, ka thënë se vizita në Kosovë i shton 300 ero kosto më shumë për autobus. Për këtë arsye ai e ka fshirë vizitën atje.

A ka shpresë?

Turizmi për një vend është i barabartë me eksportin sa i përket levërsisë. Bëhet fjalë për para që futen në shtet nga vendet tjera, dhe përkrahin një zinxhir të tërë të shërbimeve. Për shembull një domate që ka koston e prodhimit prej 10 centësh, kur shërbehet si sallatë në një restorant për një turist kushton 1 euro. Kështu, prodhimeve vendore u shtohet vlera shumëfish dhe ato para futen në tregun kosovar. Po të eksportohet domatja, profiti nuk do mund të ishte më shumë se 20 deri 30 për qind. Për këtë arsye, levërdinë e zhvillimit të Kosovës përmes turizmit e kanë parë donatorët e huaj.

Janë dy projekte që janë duke punuar në përkrahjen dhe zhvilimin e turizmit në Kosovë. I pari është PPSE: “Qëllimi kryesor i projektit në tërësi është që NVM-të të operojnë në sektorë të organizuar mirë dhe konkurrues – sektorë këta të përzgjedhur nga projekti, ku politikat publike u përshtaten nevojave të sektorëve, dhe ku ka rritje të punësimit për të rinjtë në Kosovë.

Në kuadër të projektit, këshilltarë perëndimorë nuk kanë kursyer komplimentet për turizmin në Kosovë duke e quajtur Kosovën si “vend me potencial të turizmit malor të klasit të parë”, ka shpjeguar Edona Kurtolli nga Swisscontact në një intervistë më të hershme.

Turizmi heq paragjykimet mbi Kosovën

Kohëve të fundit, nga individë ose kompani po bëhen përpjekjet që Kosova t`u afrohet dhe t`u bëhet më e njohur grupeve me interesa specifike profesionale. Një formë të tillë po e jetëson prej disa vitesh Xhevdet Kallaba. Ai sjell në Kosovë dhe së fundi edhe në Shqipëri, grupe të punëtorëve arsimorë dhe socialë nga Zvicra. Ata vizitojnë institucionet arsimore e sociale kosovare si dhe monumentet kulturore historike dhe natyrore.

“Në kontaktet e mia të vazhdueshme me qytetarë zviceranë, sidomos me ata të fushës së arsimit, kam ardhur në përfundim se pjesa dërmuese e tyre kanë informata të gabueshme dhe paragjykime negative për shqiptarët e Kosovës. Shi për këtë, turizmi, përkatësisht vizitat studimore të punëtorëve dhe pedagogëve socialë nga Zvicra, me të cilët bashkëpunoj që nga viti 2011, prekin shumë fusha të jetës kulturore e politike të Kosovës. Ky aktivitet ndikon edhe në njohjen e vizitorëve me realitetin kosovar”, thotë Xhevdet Kallaba duke folur per motivin e përpjekjeve të tij.

Ai thotë se institucionet kompetente kosovare “e kanë humbur çelësin” sa i përket prezantimit të Kosovës para të huajve. Prandaj “iniciativat dhe angazhimet individuale, si puna ime, nuk mund ta plotësojnë gjithë atë boshllëk në fushën e turizmit në Kosovë.

“Klientët e mi, shumica punojnë në shkolla zvicerane ku mësojnë edhe nxënës shqiptarë. Ata që vijnë bëjnë një lloj reklame gojore, kështu që kjo vetvetiu ma zgjeron shërbimin, shton Kallaba

Ajo që më gëzon është thyerja e paragjykimeve negative për Kosovën dhe popullin e Kosovës. Një punëtore sociale nga Winterturi i Zvicrës, gjatë rrugës nga aeroporti i Prishtinës deri në qytet shprehu habinë e saj se si gjatë gjithë rrugës nuk kishte takuar asnjë grua të mbuluar me ferexhe. Në pyetjen time se çka kishte pritur ajo më tha se kishte menduar se në Prishtinë do të dominojë ngjyra e zezë nga bartja ferexheve, ndërkaq këtu nuk paska aspak dallim nga metropolet e Evropës”.

Projekt me mbështetje ndërkombëtare 

Kompania britanike “Natural Adventure Company” ka bërë një ofertë për tregun britanik me ato që quhen “Vizita të vetudhëhequra”, që bëhen në bashkëpunim me “Marimangat” e Pejës dhe me mbështetje të projektit PPSE. Mbështetja do të ndihmojë në shënimin e rrugëve, prodhimin e hartave dhe në marketing. Projekti do të zgjasë për tre vjet dhe rezultatet e tij do të shihen në të ardhmen.

 

Ndërsa potencialin e turizmit e ka parë edhe Agjencia për Zhvillim e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Projekti “Empower Kosovo” njërin nga komponentet e veta e ka edhe turizmin. Në këtë drejtim ata fillimisht kanë përkrahur paraqitjen e tur operatorëve në dy panaire ndërkombtare, të Berlinit dhe atë të Parisit, ndërsa tash plani është që oferta turistike e Kosovës të paraqitet edhe ne panairin e Londrës, në muajin nëntor.

 

Prania e Kosovës në ITB që është përkrahur nga projekti i USAID, është mbështetur edhe nga agjencia kosovare për përkrahjen e turizmit KIESA. Në Berlin janë prezantuar kompanitë “Vas Tours”, “Rugova Experience Trek”, “Hiking Njeri”, “Traveks” dhe “Gears Up Solutions”. Ndërsa në Paris janë paraqitur: “Rural Turism” nga Novobërda, “Balkan Natural Adventures” nga Peja dhe “Katun” nga Juniku. Në Paris paraqitja e Kosovës është mbështetur edhe nga Agjenicia për Mbrojtjen e Ambientit. Ofertat në Paris kanë qenë të dominuara nga turizmi malor dhe ai kulturor.