Kosova

Çka ofron projektligji për Diasporën?

Pas votimit në Kuvendin e Kosovës të projektligjit për Diasporën në lexim të parë, projektligji tash kalon në fazën e diskutimit mes komisioneve përkatëse dhe Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Ky projektligj fuqizon lidhjen institucionale të Kosovës me diasporën, përcjell albinfo.ch.

Sipas këtij projektligji, Qeveria e Republikës së Kosovës është përgjegjëse t’i mbrojë interesat e pjesëtarëve të diasporës, duke ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar, kulturor dhe arsimor të tyre. Gjithashtu Republika e Kosovës nxit integrimin e pjesëtarëve të diasporës në jetën shoqërore dhe politike në vendet pritëse.

Sipas MDIS-it, ky projektligj fuqizon instalimin e arsimit plotësues të gjuhës shqipe në vendet ku ka diasporë shqiptare.

Përmes këtij projektligji gjithashtu planifikohet ofrimi i projekteve për mundësitë e investimeve nga diaspora në Republikën e Kosovës, si dhe përmes programeve të Ministrisë së Diasporës parashihet ndërlidhja e bizneseve të Kosovës me ato të diasporës.