Shëndetësi

Çka është trauma, si ndodh dhe si manifestohet ajo

2. Co-Varësia situative me rastin e përkujdesjes së personave të traumatizuar

Për të kuptuar lexuesit pse ndodhë co-varësimi i anëtarëve të familjes dhe i të tjerëve të cilët merren me përkujdesjen e të traumatizuarve, fillimisht po i qasemi në vija të trasha fenomenit të traumës, ngjarjeve traumatike, ripërjetimit të tyre, shenjave (simptomave) dhe sjelljeve të cilat shfaqën te të goditurit nga traumat.     

Terminologjia –  Fjala „traumë“ rrjedhë nga gjuha greke do të thotë „plagë“, „lëndim“.

Çka është trauma psikike ose psikotrauma – Trauma paraqet tronditje të thellë psikike dhe për rrjedhojë edhe trupore për shkak të ekspozimit të të goditurve ndaj ngjarjeve negative.     

Çka godet trauma/procesi traumatik/ – Procesi traumatik i godet të gjitha rrafshët e qenies njerëzore: rrafshin psikik, biologjik dhe social, duke e cenuar kësisoj seriozisht paprekshmërinë e integritetit psikofizik të të goditurit.

Cilat janë ngjarjet traumatike – Traumatike/traumatizuese/ janë vetëm ato ngjarje të cilat me forcën e tyre goditëse i tejkalojnë aftësitë përballuese të të goditurve

Disa shembuj të ngjarjeve traumatike – Katastrofat e natyrës, fatkeqësitë e shoqëruara me lëndime të rënda trupore, luftërat, masakrat, përdhunimet,  përndjekjet politike,  torturat nëpër burgje, pengmarrjet, kërcënimet për vdekje, torturat fizike e psikike, poshtërimet etj.,  paraqesin vetëm disa nga ngjarjet e shumta traumatike.

Çka shkaktojnë ngjarjet traumatike – Ngjarjet traumatike të goditurve që me rastin e ndodhjes së tyre por edhe me vonë me rastin e ripërjetimit, u shkaktojnë stres të jashtëzakonshëm bashkë me  ndjenjën e frikës, të tmerrit dhe të mosqenit të ndihmuar (nga të tjerët), gjë që shpie në humbjen e besimit themeltar ndaj të tjerëve, njerëzve.

Çka është stresi traumatik– Fjala Stres rrjedhë nga fjala latine Stringere që do të thotë tendosje. Në rastin konkret stresi traumatik paraqet tendosjen fizike dhe psikike ekstreme të të goditurve nga veprimi i ngacmuesve të jashtëm stres-shkaktues (stresoret).

Pse ndodh stresi traumatik – Stresi traumatik ndodhë si një reaksion automatik dhe i pavetëdijshëm i të goditurve me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të faktorëve stresogjen  prezent brenda ngjarjeve traumatike. Një ngjarje traumatike përmban disa/shumë/ngacmues stres-shkaktues (stresogjen).

Çka ndodhë me sistemin hormonal – Që me rastin e  veprimit të faktorëve stresogjen të ngjarjes traumatike dhe më pas me rastin e ripërjetimit të ngjarjes traumatike, organizmi i njeriut liron në mënyrë të automatizuar sasi të mëdha të hormonit adrenalin, i cili i fuqizon të gjitha funksionet trupore dhe psikike për t`u përballur të goditurit sa më suksesshëm me faktorët stresogjen. Në rastet kur faktorët stresogjen janë shumë të fuqishëm strukturat e trurit lirojnë sasi të mëdha të morfinave të  brendshme, të njohura si endorfina, të cilat i topitin emocionet dhe ndjesitë trupore deri të të goditurve sipas rastit deri në minimum. Një kohë pas veprimit të faktorëve stresogjen dhe në vazhdimësi me rastin e ripërjetimit të tyre, organizmi i njeriut reagon edhe duke prodhuar e liruar në sasi të mëdha të hormonit kortizon, i cili për dallim nga hormoni adrenalin i relakson dhe i dobëson shumë funksione psikike dhe trupore të të goditurve.

Kur mbizotëron adrenalina – Nëse në momentin e veprimit të faktorëve stresogjen mbizotëron hormoni adrenalinë, të goditurit ose iu kundërvihen faktorëve stresogjen (luftojnë me ta  për ti mundur), ose ikin prej tyre për të shpëtuar.   

Kur mbizotërojnë endorfinat – Nëse me rastin e goditjes së faktorëve stresogjen mbizotërojnë endorfinat (morfinat e brendshme), të goditurit  në mungesë të frikës ose vazhdojnë të përballën edhe më suksesshëm me faktorët stresogjen për ti mundur ata, ose për shkak të topitjes emocionale dhe trupore dorëzohen dhe nuk ndërmarrin asgjë.

Si reagon i godituri në momentin e stresit ekstrem – I godituri në momentin e stresit ekstrem akut dhe të përsëritur nëpërmjet të ripërjetimit të ngjarjes traumatike, në varësi të hormoneve të lartpërmendura: ose reziston/lufton/; ose ikë; ose dorëzohet. 

Çfarë ndodhë me trurin – Me rastin e ndodhjes së ngjarjes traumatike ose me rastin e ripërjetimit të tyre, proceset normale përpunuese të trurit ngushtohen ose bllokohen, kurse proceset abnormale përpunuese të trurit prodhojnë simptome psikike dhe trupore të traumës. Proceset abnormale të trurit kanë të bëjnë me veprimin e sasive jonormale (të mëdha) të hormonit adrenalin dhe të endorfinave që prodhojnë strukturat e caktuara të trurit që në momentin e parë të veprimit të ngjarjes traumatike dhe me rastin e ripërjetimit të mëpastajmë të saj.

Nga çka varet përpunimi /procesimi/  i mirë apo i keq traumatik – Procesimi  i mirë (përballues, shërues) ose i keq (përkeqësues, sëmurës) traumatik, varët drejtpërdrejt nga shkalla normalitetit apo e abnormalitetit të funksioneve të trurit me të cilat ai iu qasët ngjarjeve traumatike, dhe jodrejtpërdrejt nga faktorët rrethanor brenda të cilëve jetojnë të goditurit nga ngjarjet traumatike.  

Pse trauma emërtohet si “traumë psikike” – Ndonëse trauma përveç rrafshit psikik e godet edhe rrafshin trupor e social të të goditurit, megjithatë, duke pasur parasysh se ajo më së shumti e godet rrafshin psikik, duke pasur parasysh se pikërisht ky rrafsh e përjeton traumën që me rastin e ndodhjes së saj, si dhe me qëllim të  përpunimit edhe e ripërjeton atë edhe më vonë, trauma quhet psikike.      

Kur dhe pse ndodhë trauma psikike – Trauma psikike ndodhë sa herë që fuqia e ngjarjes goditëse është më e madhe se fuqia përballuese e të goditurit.

Kur dhe pse nuk ndodhë trauma psikike – Trauma psikike nuk ndodhë sa herë që fuqitë përballuese të të goditurit janë më të mëdha se fuqia goditëse e ngjarjeve traumatike.

Pasojat e traumës psikike – Pasojat e traumës mund të janë të lehta, mesatare dhe të rënda, përkatësisht afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

Pse ndodhë ripërjetimi i traumës – Meqëtrauma /ngjarja traumatike/është e dhimbshme, e keqe dhe për rrjedhojë edhe e papranueshme/e paakseptueshme/, truri përpiqet që atë nëpërmjet të ripërjetimit ta përpunojë për ta bërë atë më pak të dhimbshme, më të pranueshme dhe më të akseptueshme.

Rrjedhat e përpunimit të traumës – Rrjedha e përpunimit të traumës sipas rastit mund të jetë e mirë dhe e suksesshme duke përfunduar me “shërimin” e saj, dhe sipas rastit mund të jetë e keqe dhe e pasuksesshme duke përfunduar me përkeqësimin dhe mos-shërimin e saj.

Çka është procesimi traumatik – Procesimi traumatik është vet përpunimi i traumës nëpërmjet të ripërjetimit, proces ky i cili kryesisht ndodhë  në mënyrë të nënvetëdijshme e të pavetëdijshme dhe të automatizuar dhe pjesërisht  në mënyrë të vetëdijshme  dhe i ndikuar nga vullneti i të goditurit dhe i të tjerëve të cilët e përkujdesin atë si p.sh: psikoterapeutët etj. 

Si ndodh ripërjetimi i traumës – Ripërjetimi i traumës ndodhë papritmas në formën e shkreptimës (angl.“Flashback“) sikur ngjarja traumatike është duke ndodhur rishtazi „tani dhe këtu“. Me këtë rast të goditurit i shfaqen parasysh  sekuencat më të tmerrshme të ngjarjes traumatike të cilat e tronditin atë rishtazi aty për aty si dikur kur ngjarja ka ndodhur realisht, me ç’rast sërish ndodhin ndryshme të shpejta hormonale  si me rastin e stresit akut.

Kur ndodhë ripërjetimi i vrullshëm  shkreptimë – Ripërjetimi i vrullshëm shkreptimë ndodhë sa herë që të goditurit  konfrontohen papritmas me ngacmues të jashtëm (“çelësa ngacmues”) apo mendime të cilat në mënyrë automatike dhe të pakontrolluar shpien në ripërjetimin e ngjarjes traumatike e cila ka ndodhur “dikur dhe atje”. 

Çka janë çelësat ngacmues/Trigger/ – Çelësat ngacmues  paraqesin ngacmime të jashtme të ngjashme me ato të ngjarjes traumatike me të cilët të goditurit konfrontohen rastësisht dhe papritur gjatë përditshmërisë, duke rrëshqitur kësisoj në mënyrë automatike në ripërjetimin e sekuencave me të tmerrshme dhe me të dhimbshme të ngjarjes traumatike të ndodhur „dikur dhe atje“, në një kohë dhe në një vend tjetër.

Si veprojnë çelësat ngacmues – Çelësat ngacmues  veprojnë si shkase për riaktivizimin e ripërjetimit të vrullshëm të ngjarjes traumatike. Kështu, për të  goditurit nga veprimet e dhunshme të forcave policore është e mjaftueshme që ata të shohin rastësisht një grup policësh në rrugë, që të rrëshqasin automatikisht në ripërjetimin e ngjarjeve të tyre traumatike të shkaktuara nga dhuna policore. Ose për të goditurit të cilët janë traumatizuar nga bombardimet me avion ushtarak, është e mjaftueshme që ta dëgjojnë kumbimin e këmborës së kishës që ata të rrëshqasin në ripërjetimin e ngjarjeve të tyre gjatë bombardimeve. Ose për një grua të dhunuar seksualisht mjafton që ajo ta shohë një person të ngjashëm me dhunuesin dhe ajo të rrëshqasë në ripërjetimin e dhunimit të saj.    

Pse ripërjetohet trauma psikike – Trauma psikike ripërjetohet sepse në strukturat e trurit ka mbetur „gjurma“  („mostra“) e saj e memoruar dhe e papërpunuar („e pashëruar“), e cila riaktivizohet sa herë që i godituri konfrontohet me „çelësa ngacmues“ të cilët e ngacmojnë atë papritur.

A shërohet trauma psikike – Trauma psikike nëpërmjet të përpunimit të saj terapeutik në masë të konsiderueshme mund të përmirësohet dhe „shërohet“ por jo plotësisht, sepse „gjurma“ traumatike dhe impakti i saj tejet negativ nuk „fshihen“ asnjëherë plotësisht. 

Çka ndërmerr i traumatizuari – I traumatizuari për t`i ikur ripërjetimit të ngjarjes traumatike e përdorë „strategjinë e shmangies“ nga „çelësat ngacmues“ të cilët janë të shumtë në ambientin rrethues. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se të goditurit nga traumat psikike  për t`iu shmangur mundësive të ripërjetimit traumatik izolohen nga ambienti rrethues dhe nga kontaktet sociale etj.

Çka i dëmton më së shumti të traumatizuarit – Të traumatizuarit i dëmton më së shumti ripërjetimi vrullshëm, i papritur dhe kaotik si shkreptimë (Flashback) i ngjarjes së dikurshme traumatike gjatë ditës dhe ripërjetimi i ngjarjes traumatike dhe i ngjarjeve të tjera jo të mira nëpërmjet të ëndrrave të llahtarshme gjatë natës në gjumë.

A është e dëmshme strategjia e shmangies –  Ndonëse nëpërmjet të strategjisë/strategjive/ së shmangies të traumatizuarit në njëfarë mase përfitojnë sepse i ripërjetojnë më pak e më rrallë ngjarjet traumatike, megjithatë, kjo strategji është e dëmshme, sepse të goditurit nëpërmjet saj shmangën dhe izolohen edhe nga ngjarjet e mira dhe risitë pozitive që sjellë jeta, e për të cilat ata edhe në funksion të shërimit nga trauma kanë nevojë.  

Pse është i dëmshëm ripërjetimi traumatik– Ripërjetimi traumatik i vrullshëm dhe kaotik është i dëmshëm sepse ai   për të goditurit ka efekt ritraumatizues, efekte këto të cilat me kalimin e kohës pasojnë edhe me ndryshime strukturore në pjesë të caktuara të trurit.

Çka është ripërjetimi dhe rikujtimi terapeutik – Ripërjetimi dhe rikujtimi terapeutik ka të bëj me  ripërjetimin dhe rikujtimin e ngjarjeve traumatike me rastin e terapive psikike/psikoterapive.  

Pse është i dobishëm ripërjetimi dhe rikujtimi terapeutik– Ripërjetimi dhe rikujtimi terapeutik i ngjarjes traumatike është i dobishëm sepse ai në masë më të vogël  rrjedhë si ripërjetim i vrullshëm (si Flashback) dhe i dëmshëm, kurse në masë më të madhe rrjedhë si rikujtim i qetë /më i qetë/më pak i padëmshëm.

Kur “shërohet” trauma – Trauma “shërohet” kur edhe sekuencat e saj më të tmerrshme mund të tregohen nga të goditurit duke mos u shoqëruar me ripërjetim të thellë dhe të vrullshëm traumatik, por tregohen si një rikujtim i cili sado i tmerrshëm që ka qenë, megjithatë, i takon të kaluarës dhe realisht s`është më.

 

Simptomet (shenjat) dhe sjelljet e të traumatizuarve

    Të traumatizuarit vuajnë nga një sërë simptomash (shenjash) dhe sjelljesh traumatike të cilat  të shumtën e herëve vijnë në kundërshtim me ambientin rrethues, normat e të lejueshmes dhe të tolerueshmes brenda shoqërisë.

   Shenjat dhe sjelljet kryesore të cilat e karakterizojnë përditshmërinë e të traumatizuarve janë si më poshtë:

– Gjatë ditës të traumatizuarit iu nënshtrohen ripërjetimeve shkreptimë (Flashbak) të ngjarjes/ngjarjeve traumatike të  iniciuara nga „çelësat ngacmues“ prezent në ambientin jetësor/rrethues/. Në momentin e ripërjetimit të traumatizuarit ndjehen të frikësuar e të rrezikuar si në momentin kur ngjarja traumatike ka ndodhur realisht. Ata reagojnë me frikë, ndjehen të pa ndihmuar, të mundur dhe të pafuqishëm. Tërë kjo shoqërohet edhe me shenja trupore:  me rrahje të shpeshta të zemrës, frymëmarrje të shpejtuara, trembje, tendosje e dridhje trupore, ose me pafuqi trupore sipas rastit deri në alivanosje.     

– Gjatë natës të traumatizuarit i nënshtrohen ripërjetimit të ngjarjes/ngjarjeve/ traumatike nëpërmjet të ëndrrave të llahtarshme me përmbajtje të keqe. Ata zgjohen nga ëndrrat e tilla të djersitur e të frikësuar, sipas rastit edhe duke kërcyer nga shtrati e duke lëshuar britma dhe duke i frikësuar me këtë rast edhe anëtarët e familjes.

– Meqë ngjarja traumatike ka qenë e frikshme, e papritur dhe e rrezikshme, të traumatizuarit manifestojnë reaksione të shpejta  dhe të automatizuara të frikës ndaj secilit ngacmim të jashtëm siç janë: britmat, kërcitjet, krismat, tonet, sirenat e makinave, tingëllima e ziles në derë, cingërima e telefonit etj. 

– Reaksionet  e tilla  me frikë janë shumë më të mëdha se sa shkalla reale e ngacmimit. Kështu  një kërcitje e vogël  pasohet me një trembje (kërcim) të madh trupor.

– Meqë ngjarja traumatike ka paraqitur rrezikshmëri sipas rastit edhe për vdekje, të traumatizuarit reagojnë me zemërim dhe syqeltësi (vigjilencë)  maksimale ndaj secilës situatë e ngjarje edhe kur ajo paraqet rrezikshmëri minimale. Populli thotë: „i ka djegur tambli e frynë kosit!“.

– Meqë ripërjetimi i ngjarjes traumatike është i vështirë të traumatizuarit përpiqen që ti shmangën ripërjetimit të saj nëpërmjet të strategjisë së shmangies:  

– Kështu ata shmangën nga mendimet dhe ndjesitë të cilat shpien në ripërjetim të ngjarjes traumatike, shmangën nga vendi ku ka ndodhur ngjarja traumatike ndonjëherë deri në mosdalje nga shtëpia, si dhe shmangën nga  rikujtimet e dhimbshme ndonjëherë edhe nëpërmjet të „harresës“ së pjesërishme të ngjarjes traumatike.

– „Harresa“ e pjesërishme ose e plot e ngjarjes traumatike realizohet me zhvendosjen dhe ndrydhjen e historisë së saj nga vetëdija në nënvetëdije e pavetëdije. Zhvendosje-ndrydhja e ngjarjeve traumatike në nënvetëdije ose në pavetëdije bën që të traumatizuarit të manifestojnë shenja dhe sjellje traumatike për të cilat ata nuk kanë shpjegim e nuk janë të vetëdijshëm.

– Zhvendosje-ndrydhjet e tilla të ngjarjeve traumatike ndodhin sidomos te fëmijët të cilët ngjarjet traumatike sipas rastit i kanë të „harruara“ plotësisht.  „Harresat“ e tillë e ngjarjeve traumatike bënë që kur ata fëmijë rritën dhe të moshohen të manifestojnë shenja dhe sjellje traumatike për të cilat nuk kanë shpjegim dhe nuk janë të vetëdijshëm.

– Strategjia e shmangies është e dëmshme sepse shpie deri te izolimi dhe komunikimi i vështirësuar dhe i pakët i të traumatizuarve me rrethin shoqërorë brenda të cilit kanë jetuar dhe jetojnë.

– Izolimi dhe komunikimi i pakët me të tjerët bën që të traumatizuarit të mos marrin pjesë në ngjarjet negative ose pozitive të të tjerëve, gjë që nuk akseptohet nga rrethi i ngushtë dhe i gjerë familjar, nga kolegët e punës dhe nga miqtë e  dikurshëm.

– Më tej të traumatizuarit vuajnë nga gjendjet me topitje emocionale të cilat shoqërohen me aftësi të kufizuara për t`u gëzuar, për të dashur, për tu pikëlluar etj. Ata duan që të kenë emocione por ato nuk u vijnë në shprehje sepse i kanë të topitura (të ngurtësuara) për shkak të procesit të përkeqësuar traumatik.  

– Topitjet e tilla emocionale paraqesin po ashtu një strategji tjetër shmangëse për të mos i ripërjetuar të traumatizuarit ngjarjet e këqija traumatike me dhembje dhe emocione ekstreme, por topitja e tillë emocionale bënë që ata të mos i përjetojnë dhe shijojnë emocionalisht edhe ngjarjet e mira aktuale dhe ato të së kaluarës.

– Më tej, të traumatizuarit ngjarjet e mira dhe të suksesshme të së kaluarës nuk mund ti ripërjetojnë sepse ripërjetimi i tyre i mirë është „mbuluar“ nga ripërjetimi i keq i ngjarjes/ngjarjeve/traumatike, dhe sepse ngjarjet e mira të së kaluarës tani më e kanë humbur edhe kuptimin e mirë  të dikurshëm i cili është „mbuluar“ me kuptimin e keq të ngjarjes/ngjarjeve/traumatike. 

– Meqë ngjarjet e mira të së kaluarës paraqesin gëzime dhe suksese ato njihen si pasuri (resurse) shpirtërore dhe shëruese të cilat të traumatizuarit nuk i shfrytëzojnë për përmirësimin dhe „shërimin“ e tyre. Kjo është arsyeja pse psikoterapeutët të cilët i trajtojnë të traumatizuarit, ndër të tjera  përpiqen që atyre t`ua rizgjojnë dhe t`ua sjellin në kujtesë e në jetë ngjarjet e mira të së kaluarës.  

– Nga ana tjetër, të traumatizuarit sipas rastit vuajnë edhe nga gjendjet disociative siç janë ato stuporoze, me ç`rast lëvizjet trupore të vullnetshme, të folurit dhe reaksionet  ndaj  ngacmuesve të jashtëm siç është drita, zhurmat etj. janë të zvogëluara ose nuk ndodhin fare; ose ata vuajnë nga gjendjet amnestike, me ç`rast të traumatizuarve iu mungon pjesërisht ose plotësisht kujtesa për të kaluarën e tyre jetësore dhe sidomos kujtesa për ngjarjen traumatike etj. Edhe “harresa” e tillë e kryesisht e pavetëdijshme paraqet një strategji shmangëse dhe një mekanizëm mbrojtjes psikik që të traumatizuarit ti ikin ripërjetimit të vështirë të ngjarjeve traumatike.

– Shumica e të traumatizuarve bien vonë në gjumë (në mesnatë apo pas mesnatës) dhe zgjohen vonë nga gjumi, sipas rastit në kohën e drekës, të shumtën e herëve pa asnjë vullnet e pa asnjë shpresë për jetë.

– Sidomos në orët e paradites shumica e të traumatizuarve janë pasiv e depresiv, të përfjetur, të lodhur, të bezdisur, shfaqin harresë, koncentrim, vëmendje dhe perceptim të ulët, mosvullnet, mosdurim, mosdëshirë për komunikim etj.

– Pasdite dhe në mbrëmje të traumatizuarit sipas rastit ndihën diçka më mirë, kurse natën të shumtën e herëve janë aktiv, iu dorëzohen fantazive dhe nuk flenë deri vonë, ndërkohë që gjumi i ditës sidomos të traumatizuarve iu bën keq.

– Shumica e të traumatizuarve nuk marrin ushqim rregullisht, janë indiferent ndaj vetës ndonjëherë deri në vetbraktisje dhe nuk kanë vullnet dhe durim për të mësuar diçka të re, që i bën mirë si procesit jetësor, ashtu edhe procesit të „shërimit“ të tyre nga trauma.

– Me që ngjarjet traumatike kanë pasur përfundime të këqija shumica e të traumatizuarve vuajnë nga mendimet negative dhe për rrjedhojë ata secilës ngjarje të ndodhur më vonë ia parashikojnë përfundimin e keq. Kështu ata sipas rastit  edhe marrin masa  për parandalimin e përfundimet e këqija të ngjarjeve të ndryshme, sepse nuk dëshirojnë të konfrontohen sërish me  ngjarje  me përfundime të   këqija siç kanë qenë ato të ngjarjeve traumatike të përjetuara prej tyre.

– Pjesa më e madhe e të traumatizuarve manifeston sjellje konfliktuoze dhe sipas rastit edhe agresive ndaj të tjerëve: anëtarëve të familjes, partneres/partnerit, fëmijëve, ish-kolegëve dhe ish-miqve etj. Kjo ndër të tjera ndodhë edhe për shkak të identifikimit të pavetëdijshëm me  tutorët/torturuesit/ e tyre. 

– Procesi traumatik sipas rastit herë më pak e herë më shumë ua ndryshon të traumatizuarve karakterin. Kështu, i traumatizuari i cili dikur ka qenë jokonfliktuoz, i brishtë, fjalëmirë dhe pajtues, pas përjetimit të traumës mund të bëhet konfliktuoz, i egërsuar, fjalëkeq dhe destruktiv në raport me të tjerët etj. Ose i traumatizuari i cili dikur e ka besuar Zotin, pas përjetimit të traumës nuk e beson më, sepse e pyet vetën „ku ishte Zoti që nuk më ndihmoi kur e pata më së keqi!“, ose edhe e kundërta, i traumatizuari i cili më parë nuk e ka besuar Zotin, pas përjetimit të traumës e beson atë sepse thotë “po të mos ishte ndihma dhe dëshira e Zotit nuk do të kisha shpëtuar i gjallë por do të kisha vdekur!” etj.

– Ajo që të traumatizuarit i mundon më së shumti është pyetja „pse“: Pse më ndodhi ngjarja!; pse pikërisht mua më ndodhi!; asnjë të keqe s`ia kamë bërë askujt, prandaj pse dhe me ndodhi! etj.  Meqë pyetja pse me këtë rast s`ka përgjigje, ajo rezulton brenda të goditurve me zemërim, hidhërim, mospajtim dhe emocione tjera të dëmshme.  

Pyetja pse ka të bëj me mosakseptimin e ngjarjes traumatike, përkatësisht me mosgatishmërinë dhe me paaftësinë e të  goditurve, që ata ngjarjet traumatike t`i integrojnë brenda historisë së tyre jetësore, si ngjarje të cilat sado të këqija që të kenë qenë, megjithatë janë të tyre, u takojnë atyre dhe janë pjesë e jetëve të tyre.

– Meqë jeta e të traumatizuarve vazhdimisht përkeqësohet, një pjesë e tyre për ta relaksuar dhe „shëruar“ vetën  fillon të marrë (konsumoj) substanca varësuese, sipas rastit: duhan, ose alkool, ose droga ilegale: hashash, ose marihuanë, heroinë, ose kokainë etj. Konsumimi i mjeteve varësuese e komplikon ekstremisht rrjedhën e mëtejshme jetësore të të goditurve dhe të anëtarëve të familjes të cilët e përkujdesin atë.    

– Në rastet më të këqija të traumatizuarit për shpëtuar (ikur) nga jetët e tyre mizerabël duan që të bëjnë vetëvrasje, qoftë në mënyrë  pasive duke përdoruar mjeteve varësuese, qoftë në mënyrë aktive duke ia marr vetës jetën në mënyra të ndryshme. 

   Por jo të gjithë të traumatizuarit vuajnë nga të gjitha shenjat(simptomat) dhe sjelljet e tilla traumatike. Manifestimi i   tyre  shënon edhe rënie-ngritje, periudha përkeqësimi e përmirësimi. Se çfarë shenjash, sjelljesh dhe rrjedhash traumatike do të manifestoj i traumatizuari varët nga shumë faktor individual e rrethanor: Nëse ata kanë apo nuk kanë predispozita për çrregullime psikike, nëse janë trajtuar ose jo me terapi adekuate dhe me kohë, dhe nëse i kanë ose  jo të plotësuara nevojat ekzistenciale minimale apo optimale për jetë etj.  Shenjat dhe sjelljet e lartpërmendura traumatike mund të ndodhin në tërësinë e tyre kryesisht te ata të traumatizuar të cilët kanë predispozita për çrregullime psikike, që nuk janë trajtuar me terapi adekuate dhe që kanë mungesë të kushteve minimale ose optimale jetësore.  

 

Fazat e mundshme nëpër të cilat kalon procesi traumatik

Faza e parë është njohur si faza e stresit akut traumatik. Ajofillon menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes traumatike dhe sipas rastit mund të zgjasë një deri në dy muaj, duke përfunduar me përballimin e procesit traumatik nga ana e të goditurve, shpeshherë edhe pa terapi adekuate profesionale. Gjatë kësaj faze të goditurit vuajnë nga një pjesë e shenjave traumatike të renditura më lartë. Ata kanë ripërjetime Flashback, ndjenjën e të qenit të pa ndihmuar me rastin e ndodhjes së ngjarjes traumatike, me zemërim, dëshpërim, tejngacmueshmëri, çrregullim të gjumit, ëndrra me përmbajtje të këqija, por me kalimin e kohë shenjat e tilla përsëritën gjithnjë e më pak derisa largohen vetvetiu, duke iu kthyer kësisoj të traumatizuarit jetës së tyre të përditshme. Por jo të gjithë të goditurit nga trauma e kanë këtë fat.

Faza e dytë është e njohur si faza e stresit posttraumatik. Kjo fazë ndodhë sa herë që të goditurit edhe pas një apo dy muajsh manifestojnëshenja dhe sjellje traumatike. Sipas rastit faza e stresit posttraumatik mund të zgjasë gjashtë muaj, një vjet ose disa vjet me radhë. Tipike për stresin posttraumatik janë ripërjetimet e shpeshta Flashback të ngjarjes traumatike, ëndrrat e llahtarshme, shmangiet e të goditurve nga „çelësat ngacmues“ të cilët shpien në ripërjetime të ngjarjes, pagjumësitë, gjendjet pa vullnet, harresa, moskoncentrimi, vëmendja e ulët, komunikimi i vështirë dhe i pakët, kokëdhimbjet, dhimbjet e nyjeve dhe të muskujve etj. Meqë gjatë kësaj faze numri i shenjave dhe sjelljeve traumatike vjen duke u rritur, të goditurit të shumtën e rasteve iu nënshtrohen trajtimeve të profesioniste për shërimin e stresit posttraumatik. Në sajë të terapive adekuate një pjesë e të goditurve „shërohet“ nga stresi  posttraumatik, kurse një pjesë e tyre vazhdon edhe më tej me manifestimin e shenjave dhe sjelljeve traumatike. Pikërisht në këtë fazë të procesit traumatik ndodhë co-varësimi i të tjerëve të cilët i përkujdesin të traumatizuarit nga afër në familje.

Faza e tretë është e njohur si faza e kronifikimit të procesit traumatik. Kjo fazë ndodhë sa herë që të goditurit për shkak të mostrajtimit adekuat nga personat profesionit nuk janë „shëruar“ nga stresi posttraumatik i cili vazhdon derisa  ai kronifikohet. Në këtë fazë, në të shumtën e rasteve, shenjave dhe sjelljeve traumatike i shtohen edhe sjellje të tjera. Të goditurit fillojnë të abuzojnë dhe të varësohen nga mjetet varësuese duke filluar që nga duhani, alkooli e deri te drogat ilegale. Për të ikur nga vështirësitë e tilla një pjesë e të goditurve do që të bëj vetëvrasje ose vetëvritet.   

   

 

Aspekti specifik:    

 

Rrjedhat e co-varësive me rastin e procesit traumatik

Vetë laryshia dhe kompleksiteti i  shenjave dhe sjelljeve traumatike të cilat flasin se  sa e vështirë është të kesh në familje ose në vendin e punës një person të traumatizuar eskstremisht. Më tej, laryshia dhe kompleksiteti i tillë shenjave dhe e sjelljeve traumatike, flasin se sa e shtrenjtë është fatura e procesit traumatik, jo vetëm për të goditurit, por edhe për anëtarët e familjeve të tyre ngushta (për prindërit, partnerët/partneret dhe fëmijët) të cilët i përkujdesin ata duke u bërë të co-varësuar, dhe duke vuajtur kësisoj edhe ata nga një pjesë e shenjave dhe e sjelljeve traumatike prej të cilave vuajnë vet të traumatizuarit e tyre.

Ajo me të cilën konfrontohen të co-varësuarit është frika dhe pasiguria e tyre e vazhdueshme lidhur me fatin përfundimtar të të traumatizuarve, fat ky i cili për ta është në masë të madhe sa i panjohur aq edhe i paparashikueshëm. Nga ana tjetër të co-varësuarit vuajnë edhe nga dëshpërimet vetanake për shkak të mosarritjes së qëllimit për ti “shëruar” të traumatizuarit e tyre, nga zhgënjimet që ua sjellin atyre të traumatizuarit të cilët edhe përkundër përpjekjeve të tyre ekstreme, shpesh jo vetëm që nuk përmirësohen por edhe përkeqësohen vazhdimisht. Kështu, me kalimin e kohës procesin jetësor i cili rrjedhë brenda familjes në masë të madhe e përcakton personi i traumatizuar. Kur ai është më mirë edhe të tjerët në familje ndihën më mirë, kur ai ndihet keq edhe të tjerët në familje ndihën keq.

Sidomos kur i traumatizuari konsumon alkool ose droga ilegale, kur ai ka tendenca ose veç është bërë agresiv ndaj të tjerëve, dhe kur ai paraqet tendenca për vetëvrasje, anëtarët e familjes ngarkohen e co-varësohen ekstremisht me problematikat e tij. Ata kudo që janë brengosën dhe presin me frikë së çfarë do të ndodhë më tej. Edhe më keq ndihen anëtarët e familjes kur i traumatizuari i cili konsumon alkool ose droga ilegale tanimë është sëmurë psikikisht dhe manifeston edhe shenja dhe sjellje tjera përtej shenjave dhe sjelljeve traumatike të përmendura më lartë.  Përfundimisht të traumatizuarit si për shkak të procesit të vështirë traumatik, ashtu edhe për shkak të konsumimit të drogave të ndryshme, mund të manifestojnë edhe shenja dhe sjellje skizofrenike (skizofrenia e indukuar) me rrezikshmëri të lartë si për të traumatizuarin ashtu edhe për anëtarët e familjes së tij etj.

Sidomos në vendet e varfra në të cilat problemet e të traumatizuarve nuk ndahen me institucione dhe persona profesionist adekuat, gjendjet e tilla të të goditurve nga trauma të komplikuara edhe me konsumim drogash dhe me shfaqjen e sëmundjeve tjera psikike, për anëtarët e co-varësuar të familjes  paraqesin gjendje të rënda “skllavëruese”   në formën e traumatizimeve sekondare.

   

Midis co-varësisë dhe traumatizmit sekondar

Sot është e njohur se nga trauma nuk vuajnë vetëm personat e goditur drejtpërdrejtë nga ngjarjet traumatike (traumatizmi primar), por edhe personat të cilët kanë qenë dëshmitar okular të ngjarjeve traumatike ( i kanë parë ato me sy), ose që kanë qenë dëshmitar auditiv ( kanë dëgjuar për to) të tyre (traumatizmi sekondar). Nga ana tjetër studimet e bëra lidhur me viktimat e holokaustit të Luftës së Dytë Botërore kanë treguar se trauma mund të bartët deri në tre gjenerata brenda  familjarëve të të traumatizuarve, kryesisht nëpërmjet të asaj që pasardhësit kanë dëgjuar nga gjyshërit dhe prindërit e tyre të viktimizuar nëpër kampet e përqendrimit, të asaj që është shkruar nëpër libra që është thënë e parë në mjetet audio-vizuale të informimit. Të dhënat e tilla flasin se midis fenomenit të co-varësimit të anëtarëve të familjes të cilët përkujdesen për të traumatizuarit, dhe të traumatizmit sekondar të anëtarëve të familjeve së viktimave të holokaustit, vështirë së mund të vihet çoftë edhe një qime floku, dhe sipas të gjitha gjasave co-varësimi dhe traumatizmi sekondar, nëse nuk janë e njëjta gjë, së pakut janë shumë të përafërta.  Kështu mund të thuhet se anëtarët e familjes të cilët i përkujdesin të traumatizuarit janë midis co-varësimit dhe traumatizmit sekondar. 

Nga ana tjetër, duke pasur parasysh se traumat shpesh janë pikënisje për çrregullime dhe sëmundje tjera psikike, kjo flet se trauma ka  potencial të madh co-varësues për të tjerët.  

       

Këshilla:

Që në fazën e parë të stresit akut traumatik duhet që të goditurit të  ndihmohen  nga personat profesionist me qëllim të parandalimit dhe të „shërimit“ primar të traumës dhe për rrjedhojë edhe të co-varësimit të familjarëve të cilët i  përkujdesin ata.

Në fazën e dytë të stresit posttraumatik duhet që si të goditurit ashtu edhe anëtarët e familjes të trajtohen profesionalisht me qëllim të prevenimit dhe „shërimit“ sekondar të traumës dhe të co-varësimit të anëtarëve të familjes.

Në fazën e tretë të kronifikimit të traumës duhet që patjetër të trajtohen me terapi adekuate të goditurit dhe familjarët e tij me qëllim të prevenimit dhe „shërimit“ terciar të traumës dhe të co-varësisë.

Trajtimi i të traumatizuarve nga ana  e personave profesionist nuk e eliminon përkujdesin dhe ndihmën e anëtarëve të familjes dhe të të tjerëve, por ndihma e tillë duhet dhënë brenda kornizave të caktuara në mënyrë që mos të ndodhë co-varësia.

 

Personat profesionist

Personat profesionist për trajtimin e traumave në radhë janë psikiatrat dhe psikologët me arsimime specifike në lëmin e psikotrauamtologjisë.

Personat tjerë si mjekët e shtëpisë, punëtorët social dhe sociopedagogët po ashtu në masë të konsiderueshme paraqesin persona profesional për trajtimin e të traumatizuarve. (Vijon)

  

Info

Institucionet për trajtimin dhe „shërimin“ e traumës në kantonin e Cyrih-ut

Privatklinik Hohenegg, Klinik Psychiatrie, Psychotherapie und Psychosomatik Meilen

Psychiatrische Klinik Sanatorium Kilchberg 

 Ipw (Integrierte Psychiatrie Winterthur)    

UNI-Spital Zürich -Klinik für Psychiatrie und Psychotherapie –

Ambulatorium für Folter- und Kriegsopfer (afk)

 

Psychiatrische Klinik am Zürichberg Zürich

Schlössli, Private Klinik für Psychiatrie u. Psychotherapie 

——–

Dr. Med. Xhevat Hasani