Lajme
Çka është Flurona?
Fillimi i vitit 2022 ka sjellë shqetësime të reja për shëndetin publik në botë.
Kjo pasi në disa shtete të botës tashmë janë identifikuar raste të qytetarëve, të cilët janë të infektuar në të njëjtën kohë me COVID-19 si dhe me grip stinor.
Për të përshkruar gjendjen e pacientit që është i infektuar me këto dy viruse në të njëjtën kohë, në botë është duke u përdorur termi Flurona.
Sipas asaj që është shkruar deri më tani, Flurona nuk është ndonjë variant i ri i koronavirusit e as një sëmundje e veçantë.
Edhe pse fjala “Flurona” është relativisht e re, infektimet me COVID-19 dhe grip stinor në të njëjtën kohë nuk janë të reja.
Rastet e para me Flurona janë zbuluar në vende të ndryshme të botës duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Brazilin, Filipinet dhe Hungarinë.
Washingtion Post raporton se përderisa shumë vende ndjekin rastet e koronavirusit dhe gripit, duket se ka pak të dhëna se sa njerëz i kanë këto dy viruse në të njëjtën kohë.
Derisa çdo ditë e më shumë po shfaqen raste të reja të infeksionit të dyfishtë, ekspertët e shëndetit dhe mjekët theksojnë se vaksinat kundër koronavirusit dhe gripit mbeten mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksionet e rënda.
Çfarë dihet për rastet me Flurona?
Rasti i parë i gjurmuar në Izrael i një personi të infektuar me COVID-19 dhe me grip stinor në të njëjtën kohë u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi të martën më 4 janar 2022, duke ngritur shumë pikëpyetje se si dy viruset mund të ndikojnë te dikush që është i infektuar me të dy viruset në të njëjtën kohë.
Pacientja, një grua shtatzënë e pavaksinuar rreth 30 vjeçe, u lirua të enjten më 5 janar “në gjendje të mirë të përgjithshme”, tha në një deklaratë spitali Beilinson në Petah Tikva, raporton CNN.
“Kjo është nëna e parë që u diagnostikua me grip dhe koronavirus në Beilinson. Ne e trajtuam atë me një kombinim ilaçesh që synon, si koronën, ashtu edhe gripin,” tha në deklaratë Arnon Wiznitzer, drejtor i Departamentit për Gratë në Beilinson.
Shpërndarja e gripit në dy vitet e kaluara, sipas ekspertëve, është frenuar për shkak se shumë qeveri në botë kishin vendosur masa kufizuese në luftën e tyre ndaj COVID-19.
Lirimi i masave dhe mospërdorimi i maskave mbrojtëse në muajt e fundit, sipas tyre, ka ndikuar që të shtohen rastet me variantet e COVID-19, si dhe me grip stinor.
Ata parashohin përhapje të shpejtë të gripit edhe për shkak të takimeve familjare dhe tubimeve të ndryshme gjatë festave në fund të vitit.
Shpjegimi i OBSH-së
Organizata Botërore e Shëndetësisë – (OBSH) thotë se të dy viruset, si koronavirusi ashtu edhe gripi stinor, mund të kenë simptoma të njëjta dhe mund të jenë fatale për njerëzit.
“Të dy viruset ndajnë simptoma të ngjashme, duke përfshirë kollën, rrjedhje hundësh, dhimbje të fytit, ethe, dhimbje koke dhe lodhje. Njerëzit mund të kenë nivele të ndryshme të sëmundjes si me COVID-19, ashtu edhe me grip. Disa mund të mos kenë simptoma, mund të kenë simptoma të lehta ose sëmundje të rënda. Si gripi, ashtu edhe COVID-19 mund të jenë fatale”, thotë OBSH-ja.
Sa i përket shpërndarjes, OBSH-ja thotë se të dyja viruset, si COVID-19, ashtu edhe gripi, përhapen thuajse në mënyrë të njëjtë, kur një person i infektuar kollitet, teshtin, flet, këndon ose merr frymë.
Spërkalat e personit të infektuar, sipas OBSH-së, mund përfundojnë në sytë, hundën ose gojën e njerëzve që janë afër, zakonisht brenda një metri nga personi i infektuar, por ndonjëherë edhe më larg.
Njerëzit, gjithashtu, mund të infektohen me COVID-19 dhe me grip duke prekur sipërfaqe të kontaminuara, më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën pa i pastruar duart.
Sipas OBSH-së, të gjitha moshat mund të infektohen me virusin COVID-19 dhe virusin e gripit stinor, por më të rrezikuarit janë të moshuarit, njerëzit me sëmundje kronike, njerëzit me kushte imunosupresive si HIV/AIDS, pacientët që marrin kimioterapi ose steroide, ose ata që vuajnë nga sëmundjet malinje.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor thuhet se janë në rrezik të lartë për t’u infektuar nga COVID-19 dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar nga gripi stinor.
Ndërkohë që shtatzënat dhe ato që kanë lindur kohët e fundit janë në rrezik të lartë për të përjetuar grip të rëndë dhe COVID-19 të rëndë.
Maqedonia e Veriut raporton katër raste me Flurona
Një qytetar i Maqedonisë së Veriut i cili kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë personi i parë në këtë shtet që u zbulua se ishte i infektuar në të njëjtën kohë me COVID-19 si dhe me grip stinor. Ndërkohë, të mërkurën, më 5 janar, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njoftoi edhe për tri raste tjera të qytetarëve të infektuar me Flurona.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut, rasti i parë është zbuluar në Kërçovë nga një klinikë private te një person i moshës 26 vjeç, i cili më 31 dhjetor kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse, tri rastet e tjera janë regjistruar në Shkup. Gjendja shëndetësore e të infektuarve raportohet se është e qëndrueshme.
“Bazuar në anketën epidemiologjike, personi në fjalë ishte i vaksinuar me dy doza të vaksinave. Pas detektimit të infektimit pacienti ndodhet në shtëpinë e tij për trajtim mjekësor në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, Flurona manifestohet me simptoma të koronavirusit dhe gripit stinor.
Në Kosovë u shtuan rastet me grip stinor
Javëve të fundit Kosova është përballur me një fluks në rritje të rasteve me grip stinor.
Në pjesën e dytë të muajit dhjetor të vitit të kaluar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, raportoi për më shumë se 15 mijë persona të prekur nga gripi stinor vetëm brenda dy muajve në vend.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respiratore akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut.
Zyrtarët e IKSHPK-së kishin thënë se gripi stinor nuk e ka arritur ende pragun epidemik, porse vërehej intensitet i shtuar i rasteve.
Numri më i madh i personave të prekur ishin të moshës 15 deri në 29 vjeç, pasuar nga fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç.
Kosova deri më tani nuk ka regjistruar asnjë rast të infektimit të dyfishtë me COVID-19 dhe grip stinor, porse ka identifikua nëntë raste të variantit Omicron.
Omicron është shndërruar në variant dominues javëve të fundit, gjë që bëri që gjatë fundvitit shumë shtete në botë të vendosin masa kufizuese.
Disa shtete përveç që mbyllën shkollat, e bënë të domosdoshme mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura dhe në publik.
Gjatë festave të fundvitit, sidomos në vendet evropiane, u ndaluan tubimet e shumë personave, ndërkohë u ndaluan një sërë aktivitetesh kulturore.
Përhapja e shpejtë e variantit Omicron bëri që të pezulloheshin mijëra fluturime në mbarë botën pasi infektimet prekën stafin e kompanive ajrore, gjë që shkaktoi telashe të shumta për qytetarët që ishin nisur për pushime apo për të festuar me familjarët e tyre./REL
E-Diaspora
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga HAK (Automobil Klub Kroat) rreth 20:00, situata në...
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?