Kosova
Çka do të thotë marrëveshja për aleancë ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë?

Sot, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar Deklaratën Trilateral për Aleancë Ushtarake.
Kjo ujdi synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe të rrisë bashkëpunimin ushtarak në rajon.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Shqipëri, ku ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, me nderime të larta ushtarake, priti homologët e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, dhe nga Kroacia, Ivan Anušić.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
**“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona, që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta, janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e rajonit.
Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimin e personelit, trajnimin dhe edukimin. Një ndër pikat kyçe të këtij dokumenti është se Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euroatlantik.
Ky dokument hap rrugë për bashkëpunim, veçanërisht për t’u përballur me rreziqet moderne që kërcënojnë sigurinë rajonale, si kërcënimet hibride dhe të tjera. Gjithashtu, hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkohen kësaj përpjekjeje tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe më shumë siguri”**, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.
**“Deklarata përkthen jo vetëm një vullnet politik, por gjithashtu disa prioritete që ne ndajmë së bashku. Kryesisht, ka të bëjë me rëndësinë që vendet tona i japin ringritjes së industrisë ushtarake dhe nevojën që në këtë shtyllë të sigurisë kombëtare vendet tona të bashkëpunojnë edhe më thellë dhe më gjerë.
Pika e dytë ka të bëjë me bashkëpunimin që forcat tona të armatosura do të bëjnë, qoftë në stërvitje apo në zhvillimin e kapaciteteve. Kosova dhe Shqipëria kanë çfarë të mësojnë nga një aleat i vyer si Kroacia. Kjo deklaratë çel sirtarin e një bashkëpunimi më të thelluar dhe kemi marrë interes edhe nga aleatë të tjerë që t’i bashkohen kësaj iniciative”**, tha ai.
E ndërsa ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, tha se ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt.
**“Për shkak të gjeopolitikës, duam të kemi bashkëpunim në rajonin tonë, duke pasur parasysh rreziqet që janë prezente dhe situatat që po ndodhin në Evropë, duke iu referuar edhe Ukrainës. Jemi duke menduar edhe për të kaluarën tonë, e cila nuk është shumë e largët.
Një informacion që kemi nga e kaluara na jep mundësi për t’u menduar, prandaj kemi marrë vendimin që të kemi një bashkëpunim ndërmjet tre shteteve. Ky bashkëpunim do të bazohet sidomos në ndihmën për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve që kemi firmosur deri tani.
Këto tani duam t’i fuqizojmë dhe të ndajmë eksperiencën e shtetit tonë, Kroacisë, si pjesë e NATO-s dhe BE-së”**, theksoi Anušić.
Kjo marrëveshje trilaterale u konsiderua si e para e këtij lloji në rajon.
E-Diaspora
-
Gazeta zvicerane për koncerti e Filharmonisë në Bernë: Një mrekulli e pazëvendësueshme Përshtypje e publikuar nga koncerti i Filharmonisë në Bernë....
-
Finalizohen tekstet mësimore të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare për diasporën
-
Iftari i bashkimit: “ Xhamia Shqiptare Shtëpia e Paqes” dhe Kisha Reformiste së bashku në sofrën e Iftarit
-
Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Lozanës feston 30 vjetorin me një mbrëmje gala
-
Një hap më afër suksesit: swissalbs lidh studentët dhe liderët e industrisë
Jeta në Zvicër
-
Numri i personave mbipeshë në Zvicër është dyfishuar 43 për qind e të rriturve në Zvicër janë mbipeshë, shkruan srf, përcjell albinfo.ch. Referuar statistikave,...
-
Gazeta zvicerane shkruan për përdorimin e “armëve zanore” në Serbi
-
ETH Zürich mbetet një lider global në Shkencat e Tokës dhe Gjeofizikën
-
Pak para Pashkëve: Edhe Migros paralajmëron për krizën e vezëve
-
Zvicra po shqyrton ndalimin e mediave sociale për fëmijët