Kosova

Çka diskutuan Macron e Haradinaj në samitin e Berlinit, shkruan “Politico”

Pas shumë deklaratave që pasuan samitin e Berlinit, gjiganti mediatik “Politico” ka marrë përsipër të hedhë dritë mbi prapaskenat e kësaj mbledhjeje.

Në një artikull të fundit ka shkruar për një përplasje mes Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke cituar burime nga brenda takimit, “Politico” shkruan se lideri francez e kishte humbur toruan, pasi ishte përpjekur për orë me radhë për të zbutur tensionin ekzistent mes Kosovës dhe Serbisë.

Macron kërkoi vazhdimisht një lëshim nga Haradinaj për çështjen e taksës, por u përball me përgjigje negative të këtij të fundit, shkruan KlanKosova, përcjell Albinfo.ch.

Duke ngritur zërin, Presidenti i Francës më pas i ka thënë Hardinajt se nuk është në pozita për të kërkuar asgjë në termat e proceseve integruese.

Pas kësaj debati është zhvendosur në një nga ballkonet e kancelarisë gjermane, ku gjatë diskutimeve informale Merkel dhe Macron e morën Haradinajn më vete, duke i kërkuar shfuqizimin e taksës 100 % dhe duke i premtuar, nga ana tjetër, rrugën e udhëtimit pa viza në Europë.