Lajme

Për çfarë përdoren taksat turistike në Zvicër?

Nëse jeni duke pushuar në Zvicër, kini parasysh se taksat turistike ndryshojnë shumë në varësi të destinacionit tuaj.

Edhe në pushime nuk do të mund t’u shpëtoni taksave.

Ndonëse mund të mos jeni të lumtur që ju duhet të paguani taksat turistike – tarifat e vendosura për mysafirët nga hotelet dhe ofruesit e tjerë të akomodimit – mund të ndiheni më mirë duke ditur se ato përdoren për një qëllim të mirë, domethënë për të financuar infrastrukturën dhe objektet në komunitet, përcjell albinfo.ch.

Pagesa e taksës turistike mund t’ju japë gjithashtu të drejtën për përfitime të caktuara – domethënë, të drejtën për të përdorur disa objekte lokale falas ose me një çmim të reduktuar, si transporti publik dhe vizita e vendeve kulturore.

Si vendosen këto taksa?

Ato shtohen automatikisht në faturën e dhomës dhe duhet të paguhen në fund të qëndrimit. Këtë taksë duhet ta paguajnë të gjithë turistët, pavarësisht nëse janë zviceranë apo të huaj.

Në mënyrë tipike, kur rezervoni një hotel ose një lloj tjetër akomodimi, si airbnb, për shembull, shuma e taksës që do të tarifohet tregohet në faqen e internetit të rezervimit. Nëse nuk është, pyesni operatorin se sa është kjo tarifë.

Në varësi të vendit ku shkoni dhe sa kohë qëndroni në destinacionin tuaj, këto tarifa mund të shtohen dhe të zënë mjaft nga buxheti i pushimeve tuaja.

Megjithatë, disa komunitete nuk paguajnë asgjë fare.

Sa saktësisht do të duhet të paguani?

Shuma do të varet nga vendi ku do të qëndroni në Zvicër. Çdo vit, platforma e konsumatorit Comparis publikon taksat turistike në 80 komuna zvicerane.

Lista e këtij viti, e publikuar më 9 korrik, tregon se Saas-Fee (VS) dhe Montreux (VD) ngarkojnë taksat më të larta turistike në vend – 7 franga për natë dhe për person.

Është interesante se Cyrihu dhe Gjeneva, qytetet më të shtrenjta të Zvicrës, paguajnë një taksë turistike relativisht të ulët: përkatësisht 3,50 dhe 3,75 franga, shkruan thelocal.

Anasjelltas, disa komuna në Graubünden dhe Zvicrën qendrore, si Sils (GR) dhe Engelberg (OW) nuk paguajnë asgjë fare.

“Kur bëhet fjalë për taksat turistike, Zvicra mbetet një laramani e tarifave të ndryshme”, ka thënë Adi Kolecic, ekspert i udhëtimeve të Comparis.

Masa e taksës turistike nuk varet vetëm nga vendndodhja, por edhe nga akomodimi ku qëndroni. Shpesh, për shembull, taksa është më e lartë në një hotel me katër yje sesa në një apartament pushimi.

“Dallimet midis taksave turistike nuk janë të habitshme vetëm në shkallë zvicerane: brenda të njëjtit kanton, apo edhe të njëjtës komunë, turistët paguajnë shuma të ndryshme”, u shpreh ai.