Bota

Cili është vendi më i varfër në BE

Gjithashtu thuhet se në pesë vjetët e fundit të ardhurat reale për frymë janë rritur në Greqi në një shkallë dukshëm më të lartë se mesatarja evropiane

Greqia është vendi i dytë më i varfër në Bashkimin Evropian, pas Bullgarisë, bazuar në PBB (Prodhimin e Brendshëm Bruto) për frymë në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Entit Statistikor të Bashkimit Evropian (Eurostat).

Gjithashtu me zvogëlimin e vazhdueshëm të hendekut mes Greqisë dhe Bullgarisë, ka gjasa që vendi të gjendet në fund bazuar në fuqinë blerëse.

Nga viti 2010, kur shpërtheu kriza e borxhit deri në vitin 2023, Greqia ka mbetur pas dhjetë vendeve të tjera për sa i përket standardit të jetesës së qytetarëve dhe tashmë është në fund të renditjes përkatëse, pak para Bullgarisë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Qendra për Planifikim dhe Kërkime Ekonomike (KEPE), në një masë alternative të varfërisë, evidentoi se kufiri i varfërisë me të ardhura reale vihet re të jetë i qëndrueshëm në kohë, duke përdorur të dhënat e vitit 2009 e në vazhdim. Sipas Qendrës, “krahasuar me vendet e BE-27, Greqia ka kaluar një periudhë të gjatë shkurtimesh dhe “ngrirje” pagash. Punët e reja të krijuara korrespondojnë me paga më të ulëta dhe orë relativisht më të gjata pune. Kjo rezulton në 23.1% të punëtorëve që jetojnë me të ardhura të disponueshme nën kufirin e varfërisë 2009 edhe në ditët e sotme”.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë Kombëtare dhe Financave konteston shifrat e KEPE dhe Eurostat, duke thënë se “pretendimi se standardi i jetesës në Greqi është në vendin e parafundit në Bashkimin Europian është larg realitetit”. Njoftimi i ministrisë kufizohet vetëm në periudhën 2019-2023 dhe flet për një rritje gjatë kësaj periudhe të pagës mesatare me 20,2% dhe të pagës minimale me 27,7%. Gjithashtu thuhet se në pesë vjetët e fundit të ardhurat reale për frymë janë rritur në Greqi në një shkallë dukshëm më të lartë se mesatarja evropiane. Megjithatë, shifrat nuk e ndryshojnë realitetin, që pasqyrohet në shifrat e Eurostat-it, duke përfshirë edhe periudhën 2019-2023.

Bazuar në të dhënat e gushtit të Eurostat, PBB për frymë në raport me fuqinë blerëse është 67% e mesatares së BE-së. Treguesi përkatës për Bullgarinë është 64%. Vendin e parë e zë Luksemburgu me 239%, pra paraqet fuqinë blerëse më të lartë, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së. Gjermania e ka treguesin 115%, Franca 101%, Spanja me 88% dhe Portugalia me 83%. Mesatarja në eurozonë është 104%, ku Greqia është dukshëm e fundit për nga fuqia blerëse, ndër vendet e tjera të monedhës së përbashkët.