Autotech

Cili është smartphone më i shitur

Sipas të dhënave të Omdia, në tremujorin e parë të vitit 2020 janë shitur 19.5 milionë njësi

iPhone 11 është bërë smartphone më i shitur në botë, duke kapërcyer rezultatet e arritura një vit më parë nga iPhone XR, pavarësisht se pandemia e koronavirusit ka tkurrur tregun.

Sipas analistëve të Omdia, në tremujorin e parë të vitit, iPhone 11 është telefoni më i shitur në shkallë botërore, me 19,5 milionë njësi të dërguara.

Në të njëjtin tremujor një vit më parë, dërgesat e iPhone XR ishin 13,6 milionë njësi.

Në vend të dytë ndër smartphonet më të shitur në tre muajt e parë 2020 është Galaxy A51 i Samsung, me 6,8 milionë njësi, transmeton Monitor.

Pas tij, në vend të tretë, Redmi Note 8 dhe Redmi Note 8 Pro të Xiaomi me përkatësisht 6,6 dhe 6,1 milionë smartphone, përcjell albinfo.ch.

Në vend të 5, iPhone XR (4,7 milionë) i cili ndiqet nga iPhone 11 Pro Max (4,2 milionë). Klasifikimi vijon me Galaxy A10s (3,9 milionë), iPhone 11 Pro (3,8 milionë),  Galaxy S20 Plus 5G (3,5 milionë) dhe Galaxy A30s (3,4 milionë).

Sa u përket smartphoneve 5G, në krye të renditjes qëndron Galaxy S20 Plus 5G i Samsung. Pas tij, Mate 30 5G (2,9 milionë) i Huawei dhe  Mate 30 Pro 5G (2,7 milionë); Galaxy S20 5G (2,4 milionë) dhe në vend të pestë, Galaxy S20 Ultra 5G (2,3 milionë).