Kosova
Cili është roli i bankave komerciale në kohë krize
Shumë biznese në Kosovë kanë pësuar humbje të mëdha nga masat emergjente për parandalimin e koronavirusit.
Në mënyrë që të rimëkëmben pas pandemisë, këtyre bizneseve iu nevojiten mjete financiare, ku qasja në këto para në Kosovë çdo herë ka qenë e vështirësuar.
Përfaqësues të bizneseve në vend thonë se bankat komerciale në Kosovë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë situatë emergjente.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se roli i bankave komerciale do të jetë më i madh pasi të fillojë faza e rimëkëmbjes, atëherë kur nevoja për investime të reja nga bizneset do të jetë më e madhe.
Por, edhe në rastin kur kërkohet kreditim nga bankat, shton Zeka, nevojitet ndihma e Qeverisë së Kosovës.
“Për të minimizuar edhe rrezikun potencial që mund të ndërmarrin bankat komerciale, Oda Amerikane dhe shoqatat tjera ekonomike kemi kërkuar që shteti të ndërhyjë dhe subvencionojë apo të mbulojnë një pjesë të interesit bankar, në mënyrë që të lehtësohet qasja në financa për bizneset që mund të kenë nevojë për investime të reja pas pandemisë COVID-19”, thotë Zeka.
Bankat komerciale për të ndihmuar biznesetmund të lehtësojnë kriteret në kredi dhe duke ulur edhe normat e interesit.
Mesatarja e normave të interesit në kredi në dhjetë bankat komerciale në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), është rreth 6,4 për qind, e cila ndër vite thuhet të ketë pasur rënie të konsiderueshme, pasi që në të kaluarën ishte edhe më e lartë.
Por, me gjithë uljen e kësaj norme, bizneset vazhdimisht kanë theksuar se norma e interesit është e lartë dhe pengesë për punën afariste.
Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë për Radion Evropa e Lirë se bankat kanë kapitalin e mjaftueshëm, kanë likuiditet të mirë dhe janë në pozicion të kreditojnë ekonominë.
Megjithatë, ai shton që për të ndihmuar bankat komerciale bizneset, duhet të përforcohet fondi për sigurimin e garancive kreditore.
“Ne mendojmë se duhet të kemi edhe një program qeveritar për subvencionimin e normave të interesit në mënyrë që edhe bankat të shfrytëzojnë likuditetin e tyre, por edhe me mbështetjen e këtyre mekanizmave shtetërorë t’u ofrojnë kredi më të përshtatshme, norma më të mira dhe kushte më të favorshme për bizneset, në veçanti për ato biznese dhe industri që janë goditur nga COVID-19”, shtoi ai.
Qeveria në detyrë e Kosovës në Pakon Emergjente Fiskale, e cila kap vlerën e rreth 180 milionë euro, ka ndarë mjete për garanci kreditore në vlerë prej 5 milionë eurosh.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se masat për rimëkëmbjen ekonomike duhet të përfshijnë mbështetje të likuiditetit nëpërmjet lehtësimit të qasjes në financim dhe lehtësimit të kritereve për rritje të kreditimit të sektorit bankar përmes garantimit të kredive nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.
Fondi për Garanci Kreditore, sipas BQK-së, duhet të rritet pasi që shuma aktuale nuk mund të plotësojë nevojat aktuale të bizneseve.
Fondi për Garanci Kreditore është rritur për 6,5 milionë euro
Sipas të dhënave të Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë në 180 milionë euro, të shpërndara në mbi 4,600 kredi.
Besnik Berisha, drejtor menaxhues i Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, në një diskutim virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, pati thënë se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është funksional dhe së fundmi kapitali garantues i tij është rritur për 6,5 milionë euro për agrobiznese.
Megjithatë, Berisha është shprehur se mund të ketë hezitim nga bankat komerciale për kreditim të bizneseve.
“Kur të fillojë të normalizohet situata, bizneset do të kenë kërkesa për financim, pasi që për të rifreskuar kapitalin do të kenë nevojë për kreditim, por përshtypja jonë është që për shkak të rritjes së rrezikut të rrisikut dhe paqartësisë në treg, mund të ketë hezitim nga sektori bankar për kreditim”, ka thënë ai.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive? Mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, zviceranët shkojnë në pistat e skive. Por ku shkojnë paratë...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve
-
Radha e trafikut arrin 10 km në tunelin Gotthard në udhëtimet pas Krishtlindjeve
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje