Integrimi

Cilët shqiptarë zgjidhen sot në asambletë kantonale dhe komunale të Zvicrës

Në Kantonin St. Gallen në garë për vende në parlament marrin pjesë disa politikanë me rrënjë shqiptare ndërsa për asambletë e komunave të kantonit Vaud, garojnë disa dhjetëra shqiptarë

  • Fitore Miftari

  • Prend VetonRasaj

  • Egzon Zhuta

  • Isuf Sherifi

  • Arbër Bullakaj

  • Etrit Hasler

  • Adelina Muhagjeri

  • Jona Xhemajli

  • Ambroz Rrustemi

Krahas referendumeve, federale, kantonale, e komunale, sot do të ketë edhe zgjedhje në pesë kantone. Në kantonet Vaud, Basellandschaft dhe Freiburg do të votohet në nivelet komunale, ndërsa në Kantonet St. Gallen dhe Uri do të votohet për përbërjen e parlamenteve kantonale. 

Në kantonet: Bernë, Nidwalden, Thurgau, St. Gallen dhe Uri po ashtu do të bëhet zgjedhja ose plotësimi i qeverive të kantoneve përkatëse.

Kur jemi te zgjedhjet për parlamentet e kantoneve dhe asambletë e  komunave, duhet theksuar se në Kantonin St. Gallen në garë për vende në parlament janë disa politikanë me rrënjë shqiptare, njofton albinfo.ch. Ata kryesisht garojnë për Partinë Socialdemokrate (SP/PS) por edhe për parti të tjera, madje një prej tyre edhe për SVP-në.

Duke qenë se shqiptarët tashmë me shumicë kanë marrë shtetësinë zvierane, potenciali i tyre si votues po bëhet gjithnjë më interesant për partitë e këtushme.

Isuf Sherifi, Arbër Bullakaj, Etrit Hasler Adelina Muhagjeri dhe Jona Xhemajli janë kadidatë të SP-së nga komunat e tyre ndërsa Ambroz Rrustemi për SVP-në.

Po ashtu Prend Berisha dhe Veton Rasaj garojnë për CVP, Egzon Zhuta FDP, Urim Berisha JFSG dhe Fitore Miftari JFSG.

Për ta, e sidomos për Isuf Sherifin, është duke u zhvilluar një fushatë e fuqishme nga një grup mbështetësish që është shumë aktiv prej më shumë se një muaji.

Në kantonin Vaud për zgjedhjet në nivel asamblesh komunale kandidojnë disa dhjetëra shqiptarë. Duhet thënë se në këtë kanton, komuniteti shqiptar tashmë ka krijuar njëfarë “tradite” sa i përket kandidimit po dhe zgtjedhjes në asambletë komunale, shkruan albinfo.ch. Kështu në zgjedhjet e para katër viteve, nga rreth 40 kandidatë shqiptarë ishin zgjedhur 11 sish, në komuna të ndryshme. 

Pasi që këtë vit numri i të kandiduarve është më i madh se ai i katër viteve më parë, është reale të pritet një numër po ashtu më i madh i të zgjedhurve. 

Edhe në këtë kanton ka një shumicë të kandidatëve shqiptarë që garojnë për SP/PS-në por nuk mungojnë as ata që “mbrojne ngjyrat” e partive të tjera si PDC/CVP, PLR/FDP, ndonjë partie lokale etj.

Albinfo.ch ka shkruar në vazhdimësi për kandidimin e politikanëve shqiptarë të përmendur më lart dhe i ka prezantuar edhe personalisht ata gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Ndërsa sot, ne do të mbajmë lexuesit ë rrjedhë me rezultatet e këtyre kandidatëve, të cilat do t`i publikojmë në kohë reale.