Kosova

Cilët artikuj u shtrenjtuan më së shumti në Kosovë?

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës gjatë muajit janar 2022 çmimi i bukës dhe i drithërave është rritur për 1.2 për qind, ndërsa çmimi i mishit është ngritur për 1.3 për qind, transmeton Albinfo.ch.

Ndërsa rritje në çmim shënuan edhe qumështi, djathi dhe vezët me 1.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 1.7 për qind, perimet me 6.3 për qind, kurse uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet shënuan rritje prej 0.6 për qind.

Edhe çmimi i duhanit pësoi ngritje me 1.2 për qind, po ashtu edhe çmimi për furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin u rrit për 1.4 për qind.

Ndërkohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake u ngritën për 1.4 për qind, ndërkohë që çmimet e karburanteve dhe lubrifikantëve për pajisjet e transportit personal gjatë kësaj kohe u rritën për 2 për qind. Edhe çmimi i shërbimeve për transport shënoi një rritje prej 2.3 për qind, ai i shërbimeve hoteliere u ngrit për 1.4 për qind, si dhe ai për kujdes personal për 2.7 për qind.
E në bazë të gjithë kësaj, shihet se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 në krahasim me muajin janar 2021 ishte 7.1 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në janar 2022, siç është buka dhe drithërat të cilat shënuan një rritje prej 14.9 për qind krahasuar me janarin 2021, kurse çmimi i mishit u rrit për 7.6 për qind, ndërsa çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve shënuan rritje prej 9 për qind.

Çmimi i vajrave dhe yndyrave ushqimore gjatë kësaj kohe (pra janar 2022-janar 2021), shënoi rritje rekorde prej 33.7 për qind, ndërkohë që ai i perimeve u rrit për 11.7 për qind.

Çmimi i sheqerit, reçelit, mjaltës, çokollatës dhe ëmbëlsirave gjatë kësaj kohe u rrit për 9.2 për qind, ndërkaq çmimi i prodhimeve të ndryshme ushqimore siç janë salcat, erëzat, kripa, ushqimi për fëmijë etj., u ngritën për 6.1 për qind.

Po ashtu edhe çmimi i kafes, çajit dhe kakaos u rrit për 10.8 për qind, ai i ujit, pijeve joalkoolike, lëngjeve nga pemët dhe perimet pati rritje prej 2.7 për qind, ai i duhanit u rrit për 6.2 për qind. Gjatë kësaj periudhe, çmimi i këpucëve u rrit për 2.9 për qind, ndërkohë që ai i mirëmbajtjes dhe rregullimit të vendbanimit u rrit për 3.7 për qind.

Tutje, edhe çmimet e furnizimit me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin u rritën për 1.4 për qind, ndërsa çmimi i energjisë elektrike në këtë kohë u rrit për 12.3 për qind (ngritja e çmimit të energjisë elektrike është për shkak se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 centë më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike Covid -19, Nr. 07/L-016 neni 15);

Edhe çmimi i gazit shënoi rritje prej 19.8 për qind, ai i lëndëve djegëse të ngurta si i drurit zjarrit, peletit u ngrit për 12.7 për qind, kurse çmimi i mobilieve dhe orendive, qilimave dhe mbulesave të tjera dyshemeje u ngrit për 2.8 për qind, ai i pajisjeve shtëpiake për 5.6 për qind, i qelqurinave, takëmeve dhe mjeteve të kuzhinës për 2.5 për qind, çmimi i veglave dhe pajisjeve për shtëpi dhe kopsht për 4.6 për qind, kurse ai i mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake për 2.7 për qind.

Gjithashtu, edhe çmimi i produkteve farmaceutike në janar u rrit për 4.4 për qind, ai i blerjeve të automjeteve për 5.9 për qind, i pjesëve të këmbimit dhe pajisjeve shtesë për pajisjet e transportit personal për 5 për qind.
Një rritje po ashtu mjaft të lartë patën edhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, në të cilat çmimi u ngrit për 24.5 për qind.