Shkurt.ch

Cilësi e lartë në spitalet e Zvicrës

Më shumë se dy e treta e pacientëve të anketuar të spitaleve zvicerane (69%) janë të kënaqur me përkujdesjen që gëzojnë në këto spitale

Një studim ndërkombëtar, në realizimin e të cilit ka marrë pjesë edhe Universiteti i Bazelit ka ardhur në përfundimin se cilësia e spitaleve të Zvicrës është shumë e lartë, krahasuar me atë në shumë vende të ndryshme të Evropës. Janë vlerësuar gjithsej 35 spitale nga vende të ndryshme të Evropës.

“Notat” shumë të mira spitaleve të Zvicrës ua kanë dhënë si pacientët ashtu edhe personeli i spitaleve, shkruan “Basler Zeitung”.

Më shumë se dy e treta e pacientëve të anketuar të spitaleve zvicerane (69%) janë të kënaqur me përkujdesjen që gëzojnë në këto spitale. Ndërsa katër të pestat e tyre (81%) e vlerësojnë me nota pozitive angazhimin e mjekëve.

Ndërkaq, në mesataren evropiane, sipas këtij studimi del se vetëm rreth një e dyta (48%) e personelit mjekësor merr nota të mjaftueshme nga pacientët.