Turizëm
Cilat janë efektet negative të turizmit
Bota është e madhe, por jo aq e madhe sa të kthehet në një shesh lojërash i të gjithëve
Në vitin 1953, alpinistët Tenzing Norgay dhe Edmund Hillary ishin të parët që arritën të ngjisnin malin Everest, që është maja më e lartë në botë.
Kohët e fundit, Everesti është bërë aq i ‘famshëm’ sa gjithnjë e më shumë pamje të malit të mbushur me alpinistë ose amatorë që mundohen ta ngjisin atë po publikohen nëpër rrjete sociale.
Një tokë e rrallë që dikur mund të shkelej vetëm nga Norgay dhe Hillary, tani është kthyer në një zonë me rrezik të lartë, pasi rastet e vdekjeve sa vijnë dhe po shtohen për shkak të mbipopullimit.
Numri i turistëve ndërkombëtarë është rritur pak a shumë në mënyrë eksponenciale që nga mesi i shekullit të 20-të, dhe arriti në rreth 1.4 miliardë në 2018, transmeton Scan.
Evropa është në krye të renditjes, por edhe rajoni Azi-Paqësor po rritet me shpejtësi, përcjell albinfo.ch.
Kjo rritje është nxitur nga një bashkim faktorësh;
Më evidentja janë të ardhurat e disponueshme të cilat janë rritur në të gjithë botën, kryesisht ato të Kinës, të cilat kanë pësuar një rritje veçanërisht mbresëlënëse vitet e fundit.
Njerëzit jetojnë më gjatë dhe kanë më pak fëmijë, duke u dhënë atyre kohë dhe liri për të udhëtuar më shumë.
Zonat që dikur ishin të paaksesueshme, tani janë të arritshme, pasi bota në përgjithësi është bërë më paqësore dhe më e hapur që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Teknologjia gjithashtu ka luajtur një rol kryesor. Udhëtimi ajror është i lirë dhe i kudogjendur.
Biletat, hotelet, turet dhe transporti lokal tani mund të rezervohen online. Interneti gjithashtu ka shërbyer për të dhënë informacion të gjithë individëve në lidhje me destinacionet turistike në botë dhe sezonin e përshtatshëm për ti realizuar ato. Kohët e fundit, Google Maps e ka bërë shumë më të lehtë gjetjen e rrugës në një vend të huaj sikurse aplikacionet e përkthimit e kanë bërë komunikimin në gjuhë të huaj shumë të thjeshtë. Ndërkaq Uber ofron transport të lehtë në shumë qytete ndërkombëtare dhe Airbnb ka zgjeruar gamën e akomodimeve në dispozicion.
Turizmi është biznes i madh për vendet që arrijnë të tërheqin një turmë vizitorësh. Faturat direkte nga turizmi arritën në 1.6 trilion dollarë në 2017, ose 2% të gjithë ekonomisë botërore. Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit vlerëson se sasia e aktivitetit ekonomik që i atribuohet sektorit është shumë më e madhe, duke arritur në 8.8 trilion dollarë në 2018, dhe duke përfaqësuar rreth 10% të të gjitha punëve në planet.
Ana tjetër e monedhës
Por turizmi gjithashtu ka dhe një anë negative. Siç tregon shembulli i Everestit, udhëtimi në destinacionet më të njohura i nënshtrohet asaj që ekonomistët e quajnë ‘dyndje e jashtme’, kur shkoni në një vend të famshëm, prania juaj e bën përvojën më pak të përshtatshme dhe të rehatshme për gjithë të tjerët që ndodhen aty. Shumojeni këtë efekt me miliona, dhe ndodh pikërisht fenomeni reduktimit të kënaqësisë nga prezenca e tepërt e turistëve në të njëjtin vend.
Për qytetet, përvoja mund të jetë edhe më shqetësuese. Edhe ndërsa paratë e turistëve ‘rrjedhin’ nëpër arkat e bizneseve lokale, turmat e udhëtarëve shtrëngojnë infrastrukturën e cila nuk ka qenë projektuar për të pritur kaq shumë trupa njerëzorë. Nëse një qytet përpiqet përshtatet me fluksin e turizmit duke ndërtuar infrastrukturë të re, ato rrugë dhe trena do të gjenden bosh jashtë sezonit, ose në rastin nëse qyteti humb tërheqjen e tij turistike. Udhëtarët mund të strehohen me Airbnb, por kjo mund të nxisë qiratë për vendasit. Nga pikëpamja logjistike, është thjesht joefikase që çdo vend në botë të jetë gjithnjë i gatshëm të strehojë, ushqejë dhe transportojë shumë më tepër njerëz sesa ata që realisht jetojnë atje.
Këto probleme sa vijnë dhe do të përkeqësohen, pasi sa vjen dhe më shumë vende në Azi, Afrikë dhe gjetkë po i bashkohen radhëve të vendeve të zhvilluara. Klasat e reja të mesme të Indisë, Bangladeshit dhe Indonezisë do të duan gjithashtu të kenë mundësinë të shohin edhe ato Alpet Zvicerane, kanalet e Venecias dhe dritat e Times Square. Fatkeqësisht, do të vijë një pikë ku mbiturizmi do ta bëjë udhëtimin si logjistikisht jo të përshtatshëm dhe shumë më pak të këndshëm për të gjithë.
Problemi mund të përmirësohet duke përhapur turistët për në destinacione më pak të mbushura me njerëz, siç po përpiqet të bëjë Japonia. Disa destinacione, si rasti i Amsterdamit, janë duke pakësuar dhe reduktuar në mënyrë drastike reklamat dhe vetë-promovimin.
Por përfundimisht sidoqoftë nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të fillojë tarifimi i turistëve.
Disa vende kanë filluar tashmë ta realizojnë këtë, si në rastin e qytetit të Vencias, e cila së shpejti do të fillojë të tarifojë njerëzit që vijnë për udhëtime ditore.
Edhe Zelanda e Re ka futur një taksë turistike. Vende dhe qytete të tjera europiane kanë zbatuar ose planifikuar të zbatojnë taksat nëpër hotele dhe akomodime të tjera. Ky është një aplikim i thjeshtë i tarifimit të ‘dyndjes’, një zgjidhje ekonomike për problemin e mbipopullimit.
Rritja e pashmangshme e çmimeve të kongjestionit do të jetë një lajm i keq për klasën e mesme globale në zhvillim. Do të thotë që ëndrra për udhëtime të lira nuk do të jetë më e realizueshme për këdo, të paktën, jo nëse dëshironi të vizitoni vendet e famshme.
Udhëtimet në destinacionet ‘premium’ të tilla si Venecia, përfundimisht do të kthehen në gjëra që vetëm personat në gjendje të mirë ekonomike mund të përballojnë. Do të ketë më shumë turistë sesa në epokën para udhëtimit ajror dhe internetit, por turizmi rrezikon të mos bëhet kurrë një luks kaq i aksesueshëm sa një copë buke apo një automjet.
Të ngjashme
Të tjera nga Turizëm
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër? Përpos propozimeve kombëtare, në shumë kantone dhe qytete të Zvicrës mbahet votim gjatë ditës së sotme....
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?